Kurteshi: Mërgata fitojë ministrinë e diasporës, por jo edhe benificionet tjera

Gjilan – Arben Kurteshi kryetar i AKR Internacional me seli në Zvicër tha për rajonipress se në këtë pesëvjetor mërgata mund të mburret që ka arritur të përfitojë ministrinë e diasporës, por jo edhe benificionet tjera siç janë mos fuqizimi i mërgatës në legjislativë dhe mungesa e infrastrukturës për të shërbyer mërgatën me dokumente.
Kreu i AKR – Internacional me seli në Zvicër Arben Kurteshi i cili edhe është nga Gjilani, në një prononcim për rajonipress flet për të arriturat e mërgatës në pesëvjetorin e shtetit të Kosovës si dhe për dobësitë dhe defektet që për këto vite e përcolli shtetin e Kosovës , karshi nevojave të diasporës.
Kurteshi tha se ajo çka mund të quhet si fitore ose rezultat i mërgatës për këto pesë vite është krijimi i Ministrisë së Diasporës. “Krijimi i ministrisë së diasporës ndodhi fal presioneve të vazhdueshme të mërgatës dhe institucioneve e shoqatave që veprojnë në diasporë. Ende duhet shumë punë për ta bërë funksionale dhe tërheqëse këtë ministri për nevojat e diasporës, por megjithatë tani ajo mund të llogaritet si një adresë dhe garantë për kërkesat dhe telashet që mund të kenë diaspora kudo që ajo ndodhet” tha Kurteshi.
Por Kurteshi flet edhe për defektet dhe dobësitë që në këtë pesëvjetor e kanë përcjellur shtetin e Kosovës përballë nevojave që ka pasur diaspora. Sipas tij mund të quhet dështim fakti se shteti i Kosovës ende nuk ka krijuar mekanizma për të tërhequr dhe thithur kapitalin financiar dhe përvojën profesionale të talenteve të ndryshëm si psh. futbollistët e mërgatës.
Çështje tjetër që përmend Kureshti është edhe mos fuqizimi i mërgatës në legjislativ. Sipas tij ende ka mungesë të infrastrukturës për shërbime të dokumenteve, meqë mërgata humb kohën e pushimeve duke vrapuar pas dokumenteve personale siç janë letërnjoftimi e pasaportat.
Mungesa e projekteve për ura lidhëse dhe integrimi i rinisë së diasporës me vendlindjen shihet nga Kurteshi një tjetër defekt që e ka përshkruar shtetin e Kosovës. “Edhe këtu kemi shumë ngecje sepse rinia e diasporës nuk po integrohet sa e si duhet. Ende ka kohë që kjo armë e shëndoshë të shfrytëzohet racionalist dhe të lidhet shpirtërisht e institucionalisht me shtetin e Kosovës” tha Kurteshi.
Kurteshi tha se është për tu brengosur mos interesimi i institucioneve kosovare për qytetarët e saj jashtë atdheut, edhe pse mërgata para , gjatë dhe pas luftës po e jep maksimumin për ta përkrahur Kosovën dhe ndërtimin e institucioneve të saja./rajonipress/