Mobi Casa

Kurteshi e Ymeri takojnë banorët e Zhegrës

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Aktivistë të Lëvizjes VV! nga Gjilani dhe Prishtina kanë marrë pjesë në një tubim me banorët e fshatit më të madh në Gjilan, në fshatin Zhegër.

Ismajl Kurteshi e hapi takimin me arsyet themelore pse duhet të largohet kjo qeverisje lokale nga pushteti dhe më pas ka folur për programin qeverisës lokal. “Lëvizja VV! ka bërë programin qeverisës lokal dhe ne po bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ta prezantojmë në fushatën elektorale. Programi jonë është program më i besueshëm, më i realizueshëm dhe më origjinal. Nuk përmban premtime boshe dhe gjithmonë prioritetet duhet të përcaktohen bashkë me qytetarët. Më mirë se ju askush nuk di t’i përcaktojë prioritetet dhe nevojat” – u shpreh Kurteshi.

Ai siguroi të gjithë banorët se me Lëvizjen VV! nuk do të ketë keqpërdorime dhe nëse dikujt nuk i del paga e përcaktuar me kontratë, madje një cent më tepër, do të merr përgjegjësi dhe do të largohet. “Jemi shumë të vendosur që të mos lëshojmë pe në asnjë keqpërdorim, qoftë edhe për 1 cent. Ne e dimë se nuk ka të keqe të vogël e të madhe, por e keqja është vetëm e keqe” – përfundoi Kurteshi.

Xhelal Hajrullahu, kandidat për këshilltar komunal dhe banor i fshatit Zhegër, ka thënë se Qemajl Mustafa dhe qeverisja e tij lokale ka bllokuar perspektivën e fshatit dhe të qytetit në përgjithësi. “Mos bini preh e sjelljeve të pandershme që mund të bëjnë pushtetarët në këtë periudhë. Në këtë kohë shumë prej tyre do të ju buzëqeshin dhe do të ju përshëndesin dorë për dorë. Por kjo ndodh vetëm për fushatë, por asnjëherë tjetër që t’ju dëgjojnë hallet e juaja” – ka pohuar Hajrullahu, duke numëruar edhe problemet me të cilat ballafaqohet Zhegra si: ujërat e zeza dhe derdhja e tyre në lum, ndriçimi publik jofunksional, trotuaret dhe rreziku i fëmijëve për të shkuar nga shtëpia në shkollë, rrugicat, ndërtimi i urës te tregu për të dalur deri te pika e trafostacionit, 113 familje jetojnë në varfëri, 1500 të papunë, sigurimi i mjeteve moderne tekniko-bujqësore, mungesa e çerdhes, mungesa e shërbimeve mjekësore, rinovimi i shkollës së mesme “Agim Ramadani”, etj.

Mobi Casa

Visar Ymeri konfirmon gjendjen e rëndë të situatës politike dhe ekonomike në vend. “Qemajl Mustafa e ka privatizuar postin e tij, i cili është post publik. Shpenzimet për luks po bëjnë që Zhegra dhe shumë vendbanime të mos kenë as infrastrukturë të duhur, as shërbime cilësore shëndetësore, as shërbime publike e kështu me radhë. Transformimi nga Republika e pushtetarëve në Republikë për Qytetarë është synimi ynë kryesor. Porositni të tjerët që të fitojë koncepti i VV-s, sepse me këtë koncept fitojnë vetë qytetarët” – ka thënë Ymeri.

Besa Baftiu, kandidate për këshilltare komunale tha se angazhimi im do të jetë në programin qeverisës lokal në fushën e shëndetësisë. “Jemi të interesuar që të rinovojmë shtëpitë e shëndetit në vend, t’i funksionalizojmë ato, të ndërtojmë të tilla qendra në vendbanimet që ka nevojë dhe t’i ofrojmë shërbimet cilësore dhe të rregullta. Vetëm në repartin e lindjeve ka mungesë të barërave esenciale të cilat kanë çmim 0.50 cent, mungesë e cila ka rezultuar edhe me tragjedi, me vdekjen e foshnjave” – ka theksuar Baftiu.

Fehmi Mahmuti, me një përvojë shumëvjeçare në politikë dhe gjithmonë i angazhuar në sferën publike si aktivist, së fundi është angazhuar në Lëvizjen VV!. “Jam i zhgënjyer thellësisht me qeverisjen e deritashme lokale dhe qendrore. VV! është për herë të parë në zgjedhjet lokale, prandaj nëse dëshironi që koncepti i Lëvizjes të triumfojë, ju duhet ta mbështesni atë dhe t’ia jepni përkrahjen për t’i arritur këto ndryshime” – ka thënë Fehmiu, i cili është ndër aktivistët më me përvojë politike në skenën politike në Gjilan.

Në fund qytetarët kanë përkrahur politikat dhe aktivitetet e Lëvizjes VV! dhe kanë shprehur qëndrimin dhe vullnetin e tyre për t’u mobilizuar maksimalisht që të realizohen ndryshimet e mëdha./rajonipress/