Eko Higjiena

Kurteshi e Rudaku adresojnë rrjedhat negative të fushatës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Sot drejtuesit e Qendrës së Lëvizjes VV! në Gjilan, Ismajl Kurteshi – kandidat për kryetar të komunës dhe kandidati për këshilltar komunal, Avni Rudaku, kanë adresuar rrjedhat negative të fushatës elektorale, të cilat pengojnë zhvillimin demokratik në komunë, paraqesin dobësinë kualitative për ofertën zgjedhore te qytetarët dhe një sërë shqetësimesh tjera të cilat po i krijon pushteti aktual i PDK-së.

Ismajl Kurteshi ka kritikuar kundërkandidatët të cilët nuk kanë program të qartë dhe konkret për qytetarët dhe flasin vetëm retorikë. “Jemi dëshmitarë kur fjala ‘program’ po përmendet më së shumti në fushatën zgjedhore. Ndonëse fjala program do të duhej të dëgjohej sidomos para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore, ndërsa në fushatën zgjedhore, programi të ishte afër qytetarëve, por kjo e fundit nuk po ndodh. Shumë kandidatë, por edhe subjekte politike, nuk kanë fare program dhe tërë kohën thonë: “ME PROGRAMIN TONË!”. Kjo për ne është brengosëse, sepse paraqet propagandë dhe mashtrim të votuesit, i cili ndjehet shumë i hutuar dhe konfuz, sepse tërë këto subjekte politike, aq shumë lista dhe kandidatë, por që shumë pak i ofrohet si ofertë reale dhe program i qartë. I vetmi subjekt politik i cili po shpalon realisht programin konkret për secilën fushë, si në ekonomi, shëndetësi, arsim, bujqësi, kulturë, rini, sport etj., ka mbetur thuajse Lëvizja VV?” – ka theksuar Kurteshi.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të analizojnë programet dhe ofertat zgjedhore dhe ka pohuar se ne jemi të bindur se ndryshimi i vetëm real do të jetë bashkë me Lëvizjen VV! “Ne u themi qytetarëve që të votojnë Lëvizjen VV!, jo pse e duan Lëvizjen VV, por pse e duan qytetin dhe komunën e Gjilanit. Ne u bëjmë apel të gjithë votuesve të komunës së Gjilanit, që të mos votojnë emocionalisht, por të analizojnë programet qeverisëse lokale. Për shkak të mundësisë më të lehtë elektronike, ne kemi publikuar programin qeverisës lokal në këtë sajt zyrtar: http://ëëë.perkosoven.com/gjilan dhe të gjithë qytetarët mund ta lexojnë atë” – ka thënë fjalën Kurteshi, duke lutur në fund të fjalës përmbyllëse, edhe prindërit që të mirëkuptojnë organizatorët dhe të mos marrin fëmijët e tyre në tubime, por edhe aty ku ka manipulime që të mbushen sallat me fëmijë, të bëjnë përpjekje maksimale që të mos e lejojnë një gjë të tillë, për hir të dobisë për vetë fëmijët e tyre.

KKVITI

Ndërsa Avni Rudaku ka adresuar tri çështje kryesore: manipulimin me nxënësit dhe çerdhet, premtimet boshe ndaj bizneseve dhe ndikimin politik në inspeksionin komunal. “Para pak kohësh, lexuam lajmin se “nxënësit e shkollës së mesme të Mjekësisë “Asllan Elezi” së bashku me kryetarin e shkollës Drilon Milazimi, takuan kryetarin e Komunës Qemajl Mustafa, duke i ofruar mbështetje dhe përkrahje shumë të madhe në fitoren e tij të ardhshme për mandatin e tij katër vjeçar.” Ai në vend se t’i takojë nxënësit eventualisht gjatë ndërtimit të ndonjë kabineti apo laboratori për nevojat e shkollës, jashtë fushatës dhe pa qëllime manipulimi elektoral, kryetari Mustafa, duke e parë humbjen, e ka dobësuar nivelin e racios edhe më tej. Së pari, po manipulon edhe nxënësit të cilët nuk kanë të drejtë vote! Së dyti, po keqpërdoret posti i kryetarit të shkollës, i cili duhet të jetë në shërbim të interesave të nxënësve dhe shkollës, madje edhe të konfrontohet në debat me kryetarin, për kushtet e rënda në shkollë, e jo për t’u emocionuar para kryetarit, i cili i takon nxënësit në prag të humbjes së pushtetit! Së treti, kryetari i komunës, para pak kohësh pati thënë se e mbështesin edhe çerdhet, ndonëse ne e dimë se të keqpërdoren edhe nxënësit e mësimit parafillor, kjo tregon deri ku është tjetërsuar dhe gërryer morali politik i këtij kryetari aktual!” – ka thënë Rudaku.

Një problem tjetër sipas Rudakut, mbetet premtimi për krijimin e zonës ekonomike po nga ky kryetar. “Përveç kësaj, ne kemi parë se si përsëri në kohë të fushatës, manipulohen bizneset, kinse kryetari aktual paska vizion konkret të krijimit të zonës ekonomike. Ne e dimë se që në mandatin e parë dhe të dytë, e pati premtuar zonën ekonomike, por nuk e bëri. Në korridorin e hotelit “Kristal”, kryetari fliste për zonën ekonomike, por i mjaftonte të ecte me slajde, sepse është mësuar që projektet e parealizuara, t’i shfaq vetëm në poëer-point pasi i përfundon mandati” – ka thënë Rudaku, duke dalur në çështjen e tretë që cënon fushatën e lirë dhe demokratike, dëmtimin e billbordeve të rivalëve politikë nga pushteti i PDK-së.

“Dëmtimi i billbordeve të AAK-së në lagjen “DARDANIA”, është veprim skandaloz dhe që cenon fushatën e lirë, demokratike dhe të hapur. Ne dënojmë ashpër këtë gjest antidemokratik, sepse ne kemi thënë se komisionerët tanë do ta ruajnë votën e secilit qytetar, ashtu do të kujdestarojmë procesin elektoral të zhvillohet në kushte demokratike. Po që se ka ndodhur nxjerrja me rrënjë e billbordeve nga Drejtoria e Inspeksionit Komunal, pse të ndodh kjo vetëm për billbordet e kandidatëve, por jo edhe të inspektohet në këto fusha të lira të “Dardanisë”, ku shiten delet, drunjtë dhe ku akoma kemi kundërmimin, ndërsa këto fusha nuk janë të dedikuara fare për tregun e kafshëve e të drunjve, nëse po thirren në rregulloren e inspeksionit në rastin e billbordeve. Ne e shohim si akt të cënimit edhe të pavarësisë së Drejtorisë së Inspeksionit, e cila është nxitur të kryejë këto veprime, tinëzisht, ndërsa policia e hetonte rastin, dhe nuk ishte e informuar për rastin në fjalë. Ne këto veprime i shohim si politike dhe të ardhura nga paniku i humbjes së pushtetit nga PDK-ja në Gjilan” – ka përfunduar Rudaku thuhet në njoftimin e VV në Gjilan./rajonipress/