Fundamenti

Kur “shkreton” Presidentja

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Imer Mushkolaj- Ndoshta dikur Atifete Jahjagës do t’i bie ndërmend çfarë shansi ka pasur në dorë dhe e ka humbur, kurse neve çfarë kohe të çmuar kemi humbur duke ia dhënë shansin asaj.

Ka kaluar më shumë se një vit që kur Presidentja Atifete Jahjaga kishte mbajtur një fjalim të zjarrtë në përvjetorin e Partisë Demokratike të Kosovës – të atillë çfarë do t’ia kishin lakmi militantët më të zjarrtë të kësaj partie. Ajo po fliste si të mos ishte e para e një vendi, e cila duhet të simbolizojë unitet e paanshmëri politike.

Atëbotë, nga këshilltarë të saj kjo ishte konsideruar si diçka normale, madje njëri nga ta kishte thënë se kështu ajo do të vepronte edhe në përvjetorë partish tjera. Por, që atëherë ai ka ngelur fjalimi i vetëm, unikat, i të parës së shtetit, në një tubim partie.

Thuajse në të njëjtën kohë, në manifestimin “Takimet e Gjeçovit”, në Zym të Hasit, Jahjaga kishte folur për karakterin human të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Duke u shprehur në superlativ për të, ajo në njëfarë forme po promovonte Kanunin, në kohën kur Kosova synon të ndërtojë një shtet modern.

Fishkëllimat kundër saj në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e xhamisë në Prishtinë ishin reagime pikërisht ndaj këtyre deklaratave, të cilësuara si fyerje ndaj myslimanëve.

“Margaritarët” e Jahjagës vazhduan me vlerësimin për protestat e muajit të kaluar, organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me ç’rast ajo tha se ky subjekt politik ka bërë manipulim të masave, thua se i ka mbetur asaj, ndryshe çfarë e përcakton Kushtetuta, që të mbajë anë politike apo të ngre akuza ndaj ndonjë force politike.

Por, ajo nuk u ndal me kaq. “Shkretoi” sërish në Tiranë, në ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Mbretit Zogu I.

Ndryshe nga homologu i saj shqiptar, Bujar Nishani, i cili kthimin e eshtrave të Ahmet Zogut në Shqipëri e cilësoi detyrim moral e patriotik, Jahjaga përmendi simbolikën e “drejtësisë hyjnore” dhe “paqes politike” dhe i thuri lavde pafund mbretit kontravers.

Para se t’i thur lavde Ahmet Zogut, apo cilitdo udhëheqës tjetër shqiptar, Jahjaga do të duhej parë edhe qasjen e tyre ndaj Kosovës. Natyrisht, Zogu nuk është as hero, as tradhtar dhe kosovarët nuk janë shpërfillur vetëm prej tij. Por, Presidentja e Kosovës do të duhej të tregohej më e pëmbajtur në vlerësime, sidomos kur bëhet fjalë për figura dhe ngjarje kontraverse, roli i të cilave nuk është sqaruar ende deri në fund dhe paanshëm nga historia.

Duke bërë nderime para eshtrave të Ahmet Zogut, Jahjaga ka përfaqësuar qytetarët e Kosovës, edhe Hasan Prishtinën. Atë Hasan Prishtinë, eliminimi i të cilit i faturohet pikërisht Zogut. Atë Hasan Prishtinë, në përurimin e shtatores së të cilit në kryeqytetin kosovar një vit më parë, e pranishme ishte vetë ajo.

UBT

Tash e më shumë se një vit e gjysmë, Atifete Jahjaga na qeras me lloj-lloj gafash e “margaritarësh”. Në përpjekje për ta sfiduar dhe arsyetuar të qenit e para e vendit, ajo jo rrallë është vënë në situata të sikletshme qoftë me deklarata publike, qoftë me sjellje në publik.

Ende pa e bindur as veten për përgjegjësinë që ka pozita që mban, ajo nuk ka sesi t’i bind të tjerët me ato që thotë, me mënyrën si vepron.

Gjatë gjithë këtyre muajve në krye të vendit, Jahjaga nuk ia ka dalë të mposht pasigurinë që e shoqëron në çdo hap të karrierës së saj prej presidenteje. Dhe nuk ka se si.

E dalë nga një zarf, ajo vazhdon të ketë paraqitje dhe përfaqësim që lë shumë për të dëshiruar, pavarësisht se këshilltarë dhe këshilltare vazhdojnë të parakalojnë nëpër kabinetin e saj. Në mesin e tyre edhe të atillë që ia servojnë fjalimet sipas qejfit të tyre – fjalime që ajo nuk i refuzon. Dhe nuk ka se si.

Sepse, nuk është fort e lehtë për Jahjagën të flasë për mbretër, kanun, shtet e komb. Thjesht, nuk ka njohuri dhe kompetencë të mjaftueshme ta bëjë këtë. Prandaj shpesh mezi i lexon ato që ia shkruajnë të tjerët.

Dikush mund t’i konsiderojë fyese dhe keqdashëse këto që shkruaj. Por, unë ndihem keq thuajse çdo ditë kur shoh një femër që ma kanë vënë në krye të shtetit, e që më mundon me paditurinë e saj në punën që bën. Njësoj do të mendoja edhe po që se në vend të saj do të ishte një mashkull me tipare të njëjta.

Është fat i madh që ndërkombëtarët, të cilët e përkrahin Jahjagën, madje e kanë shembull të “arritjes së gruas në Ballkan dhe më gjerë”, nuk dinë shqip. Përndryshe, do t’iu vinte gjynah çfarë heqim ne të shkretët, kur “shkreton” ajo.

Më shumë se gjithçka tjetër, Presidentes i duhet një këshilltar i mirë, i atillë që ia shkruan fjalimet si duhet e me përgegjësi dhe që e mëson si të flasë në publik. Të paktën do të na kursente nga mundimi kur ta dëgjojmë çfarë “shkreton”. Ndërkaq, Kosovës më së paku i duhet një presidente si Jahjaga.

Mbase dikur asaj do t’i bie ndërmend çfarë shansi ka pasur në dorë dhe e ka humbur, kurse neve çfarë kohe të çmuar kemi humbur duke ia dhënë shansin asaj.