Eko Higjiena

Kur heronjtë e gjallë flasin me gjuhën e trupit

/ 11 minuta lexim
KKVITI

Nga Sadri Ramabaja – Pavarësisht degradimit të politikës shqiptare sot, ajo tutje mbetet mjeti dhe mënyra më e mire e “shndërrimit të energjive materiale në simbolikë verbale dhe jo e kundërta”. Shih për këtë, si individë dhe si kolektivitet, nuk duhet të heqim dorë nga të “shprehurit verbal për të shkuar drejt një gjuhe trupore”. Kur heronjve të gjallë nuk u mbetet rrugë tjetër përveç se të fillojnë të flasin me gjuhën e trupit, kambanat e alarmit nuk duhet të prajnë.

Në përpjekjet titanike të popullit tonë për mbijetesë, ka disa breza që kanë dhënë shumë për kombin tonë dhe kanë hy në histori si breza emblematik të Shqipërisë. Ata janë lavdia jonë. Ndërkaq si historinë e çdo brezi ashtu edhe lavdin e tij, e mbron vet lavdia e tyre.

Brezi i rinisë studentore që hyri në histori si Brezi i 1981-ës , ai i 1989-ës, i 1997-ës që theu heshtjen e imponuar të LDK-së dhe të gjithë tok që bënë luftën titanike nën emblemën e UÇK-së janë brezat e lavdisë historike modern shqiptare.

Përpjekjet për t`i nëpërkëmbur bëmat e këtyre brezave, për ta përbaltur dhe përmbysur historinë që bën ata, dhe sidomos insistimi këmbëngulës i një garniture përfaqësuesish politikë me orientim të theksuar antishqiptarë, të infiltruar në EULEX në cilësinë e ekspertëve, mund t` i bëjmë të dështojnë vetëm me reagime të mirëfillta politike.

Çfarëdo forme tjetër, qoftë edhe hedhja në grevë urie, marrë këtë si veprim politik të llojit të vet, si akti më i lartë i vetëflijimit, vështirë se mund të përfundojnë me sukses.

Në prag të luftës në Kosovë, më saktë nga 13 maj 1996, Ibrahim Kelmendi i shoqëruar nga Fehmi Lladrovci dhe shumë idealistë tjerë, për të tërhequr vëmendjen politikës evropiane, e sidomos asaj gjermane që po koketonte me qeverinë e ekzilosur të Prishtinës, që dukej se po kërkonte rrugë për mbajtjen e Kosovës tutje nën Serbi, qenë hedhur në grevë urie në një shesh në Bon të Gjermanisë, për ta vazhduar atë plot dy javë.

Vendimi i Këshillit grevist ishte që greva të mbahej paralelisht në dy sheshe: në oborrin e selisë së „qeverisë“ Bukoshi në Bon (qendra), ku do të instalohet çadra e madhe për grevistë, kurse punkti tjetër përcjellës për publicitete në opinion në qendër të Bonit.

Në pikën e tretë të deklaratës historike të asaj greve theksohej: “Kryetari i Republikës së Kosovës, Z.Ibrahim Rugova duhet të japë menjëherë dorëheqje. Politika e tij e ashtuquajtur paqësore dhe sundimi i tij autokratik (në nivelin shpirtëror e moral mbi popullin e pushtuar shqiptar) janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Politika e tij, më në fund u diskreditua si e dështuar edhe me njohjen që i bënë shumë shtete evropiane “Republikës Federative të Jugosllavisë“. Ndërkaq në pikën vijuese potencohej me force se: “Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të kompletohet e aftësohet për t’ju dalur zot përgjegjësive, që dalin nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në vend të ushtrimit të rolit të një lloj servisi financiar (i Z.Rugova me kompani), si gjer më tani, ose të jap menjëherë dorëheqje.”

Shikuar nga këndvështrimi i atëhershëm i rrjedhave politike, por edhe nga kjo distancë kohore sot, mund të konkludojmë se ajo grevë gjithsesi se pati efektet e veta. Por efekti, më konkret që prodhoi ajo grevë ishte vendimi që mori fill pas saj Fehmi Lladrovci për të hyrë në Kosovë, në radhët e UÇK me çdo çmim. Ai më herët kishte kaluar përballjen me ekipin që tashmë e kishte kryer puçin brenda LPRK-së dhe po e përfundonte edhe puçin brenda UÇK-së, por nuk mund të arsyetonte flijimin në sheshet e Bonit, para se ta shkrepte pushkën në Çiçavicën legjendare.

Grevën e urisë si mjet politik e përdorin kryesisht të burgosurit politik gjithandej ku ligjin e bëjnë qeveritë autoritare ose diktaturat e pastra. Grevën e urisë e bëjnë edhe politikanët në këto vende, në burgje apo në sheshe të hapura. Kudo. Sepse kudo për ta është burg.I tipit të mbyllur apo i tipit të hapur. Siç ishte Kosova e para qershorit 1999. Siç po shndërrohet Kosova edhe në vitet e pavarësisë formale. E tillë siç është, me EULEX-in nëpër këmbë, por edhe me politikën e inkriminuar, që ia ka zënë frymën Kosovës dhe po inkriminon edhe UÇK.

Uji Dea

Shih për këtë unë, në vend të grevës së urisë kam pritur dhe pres reflektim më të ndjeshëm politik, këtu në Kosovë dhe jo ikje nga fronti i luftës politike. Ti dhe idealistët që të mbështesin, miku im Ibrahim Kelmendi, e ata nuk janë të paktë, nuk do të duhej të hiqnit dorë nga të “shprehurit verbal për të shkuar drejt një gjuhe trupore”. Momenti historik është që pa e zgjatur grevën, ta hartoni një deklaratë po me atë gjuhë dhe përmbajtje të fuqishme politike, siç ishte ajo që lëshuat ditën e 16-të të grevës së urisë në Bon.

Populli në Kosovën gjysmë të lirë, e ka tepër të vështirë ta kuptoj grevën si mjet lufte. E ka të vështirë ta kuptoj edhe për një fakt shtesë: në krye të qeverisë është vet ish drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së! Kjo grevë për shumëçka e jashtëzakonshme, edhe për faktin se në krye ka të vetmin të mbijetuar që ishte në aktin e themelimit të LPRK-së më 17 janar 1982, e që më pas do të shndërrohet në strumbullar rreth të cilit do të riorganizohet emigracioni ynë politik, kontributi i të cilit solli në jetë UÇK.

Ky hero i gjallë grevën e ka filluar jo larg zyrave të qeverisë në krye të së cilës është Hashim Thaçi, që në fund të luftës na u bë edhe zëri politik i UÇK-së. Populli i Kosovës është i bindur edhe pa grevën e Ibrahim Kelmendit me këtë grusht idealistësh, se EULEX-i është duke shkelur mbi historinë dhe dinjitetin tonë. Por në këtë mes është edhe një e keqe shtesë: popullit i kanë ardhur në maje të hundës një kategori të ashtuquajturish komandantë që tashmë janë shndërruar në milioner. Prandaj ai ka humbur besimin tek politikanët.

Pavarësisht këtij fakti notar, politika mbetet tutje mjeti dhe mënyra më e mire e “shndërrimit të energjive materiale në simbolikë verbale dhe jo e kundërta”. Ti, miku im, këtë e ke mëse të qartë. Prandaj nuk do ta preferoja kurrë që të hiqje dorë nga të “shprehurit verbal për të shkuar drejt një gjuhe trupore”, sidomos jo tashti kur mundësitë janë më të mëdha se sa ato që i kishim para 12 qershorit 1999. Kur heronjve të gjallë nuk u mbetet rrugë tjetër përveç se të fillojnë të flasin me gjuhën e trupit, kambanat e alarmit nuk duhet të prajnë.

Populli, miku im, ka kohë që ndjehet i tradhtuar nga politika, si edhe shumica e luftëtarëve real të UÇK-së. Ata mendojnë se politikanët,, sidomos kjo kategori politikanësh që e kanë sjellë këtë mjerim politik, moral e ekonomik…janë qenie të paprincip, qenie tej mase të privilegjuara. Ndonjë syresh po t` ju hiqej qafe popullit siç janë, si hajna të shtëpisë së vet, askush nuk do ta çante kokën. Kjo kategori tashmë po na shndërrohen si dikur Azem Vllasi (1989), kur rrezikonte pushtetin dhe për ta ruajtur atë keqpërdorte popullin.

Kjo qeveri dhe ky kryeministër, janë shumë të përafërt me qeverinë kuislinge të viteve -80-ta dhe Azem Vllasin. Nëse Azem Vllasi kishte zgjedhur si partner bashkëpunimi Ivan Stamboliqin dhe një bërthamë të Lidhjes Komuniste Jugosllave që po shpresonte ta mbajë në jetë Jugosllavinë, Hashim Thaçi dhe qeveria e tij janë përcaktuar që të shndërrohen në vasal të baroneshës K.Ashton dhe revizionistëve të historisë që po pretendojnë t`i bëjnë ndërhyrjes së NATO-së në Jugosllavinë e cunguar, qoftë edhe me kushtin e shndërrimit të Kosovës në shtet të dështuar, vetëm e vetëm që të vazhdojnë të jenë në krye të piramidës pushtetore.

Ky grusht njerëzish që sundojnë sot Kosovën, në krye të të cilit është ky kryeministër, miku im, janë përgjegjës për shumë të këqija e ndeshtrasha nëpër të cilat ka kaluar UÇK-ja, jo vetëm kur përballej me armikun duke i munguar edhe fishekët, por edhe më pas, kur ai u pajtua për çarmatosjen e saj pothuajse të pakusht, vetëm e vetëm që atij personalisht dhe një grushti individësh rreth tij, t`i hapej rruga e karrierës politike. Kjo qeveri dhe ky kryeministër është përgjegjës edhe për rikthimin e Serbisë në formën e re, në atë të Autonomisë Serbe Brenda në Kosovë. Realizimi i kësaj autonomie serbe ndërlidhet me dëshmimin e muskujve të EULEX-it ndaj UÇK-së. Tallja me çlirimtarët që ka kohë që po bën EULEX-i, e që kulmoi me burgosjen e ish shefit të Shtabit të UÇK-se me bashkëluftëtarët e tij të ngushtë të Zonës së Drenicës, nuk do të mund të bëhej pa e bërë të heshtur kryeministrin tonë dhe atë që quhet Qeveri e Kosovës sot. Ajo autonomi, prandaj, që tashti duket se do të jetë tumori i llojit malinje, që po zë shtat, do të metastazohet më pas në trupin e brishtë të Republikës. Në fakt, tashmë është sekret publik: Republika ka kohë që është bërë peng politik i Hashim Thaçit.

Tashmë që të gjithë, madje edhe kundërshtarët e UÇK që koketonin me Serbinë dje dhe vazhdojnë të koketojnë edhe sot, qoftë përmes miqve të tyre si puna e Salustros, apo drejtpërdrejt, e kanë të qartë se një pjesë e strukturës së EULEX-it mbesin të përkushtuar që ta denigrojnë epokën më të lavdishme të historisë sonë – atë të UÇK-së. Inkriminimi i luftës së UÇK është projekt i atyre që imponuan marrëveshjen për Autonominë Serbe në veri të Kosovës, respektivisht ndarjen e butë të Republikës, si hap i parë i kërkim faljes ndaj Serbisë! Brukseli do të mund ta shkarkonte serbofilin Salustro vetëm nëse kjo do të kushtëzohej me dorëheqjen e Thaçit. Vetëm atëherë Brukseli do ta rishikonte pozicionin e EULEX-it dhe trajtën e mënyrën e qëndrimit të tij në Kosovë.

Për veprimin që ke ndërmarrë, sidomos duke pas parasysh shëndetin Tënd, nuk mund të kesh mirëkuptim tim, aq më tepër për faktin se e ke bërë kokë më vete. Pra nuk ke vepruar si më 1996 në Bon. Ky fakt më bën të ndjehem i trishtuar. E di se sa ke qenë i lidhur me Fehmi Lladrocin. Vendin e tij sigurisht se nuk e zë kush dot. Por megjithatë, e sheh, pranë teje, erdhën ata që i ngjajnë Fehmiut. Pranë do t` i kesh edhe të tjerë, nëse e lyp nevoja. Edhe për këtë fakt, Ti, miku im, mbetesh model. Njeri me shpirt të madh. Që falë edhe ata që ligjet e luftës nuk do t`i falnin. Ndërkaq atëherë kur ata e mundin të keqen dhe din të rreshtohen në shërbim të atdheut, i falë më lehtë. Tashti, kur kulmi i përbuzjes dhe talljes me çlirimtarët mori përmasat që mori, t`i nuk përfille as shëndetin Tënd. U hodhe në betejë, si hidhen heronjtë real, pa bujë… Prandaj më duhet të përgëzoj për shpirtin vetëflijues!

Kur heronjve të gjallë nuk u mbetet rrugë tjetër, përveç se të fillojnë të flasin me gjuhën e trupit, vdektarët duhet t`i zë trishtimi, kambanat e alarmit nuk duhet të prajnë. Ky reflektim imi, le të shërbejë së paku si një kambanë alarmi.