Uji Dea

Kur flet miku

/ 8 minuta lexim
FITORJA

Nga Baton Haxhiu – Nuk mund të mohohet një mik shqiptar për një armiqësi personale. Nuk më erdhi mirë që Philip Ryker e tha atë që e tha. Kush është kundër Marrëveshjes – është kundër SHBA-së.

Pse duhet që dikush kaq mik i Kosovës të vijë në atë pozitë sa të shprehet kaq troç? A jemi kaq të paedukuar politikisht sa të na thuhet kjo fjali? E, e tha në mes të Prishtinës.

M’u duk shumë naive, e papërgjegjshme, ndërkaq, një përgjigje tjetër e liderit të Vetëvendosjes: “Do t’i shkruajmë shefit tuaj se çfarë keni deklaruar, duke ofenduar etj.”.

Kujt i duhet ky komunikim? Mbrojtje e cilit dinjitet? Personal, intelektual, politik, kombëtar? Çfarë mbrojtje është kjo? Për kë dhe kundër kujt?

Duke shfletuar çdo ditë këtë arrogancë në protestë na është pamundësuar që të luftojmë edhe për diçka që është e patolerueshme. Siç është një pjesë e Projektligjit për Amnistinë, ose një pjesë e Draft-Marrëveshjes që ka mundur të jetë ndryshe e përmirësuar. Sepse, nuk mund të refuzosh gjithmonë dhe gjithçka. Në gjuhën politike të kësaj kohe po ngulmon jotoleranca, e kur ajo është aq e shprehur, natyrisht, fiton injoranca.

Dhe, për të qartësuar deri në fund: nuk mund të mohohet një mik (miqësi) shqiptar(e) për një armiqësi personale.
Nuk duhet harruar se Kosova në një pjesë të saj është ende një territor i papushtet, pa kufij dhe pa numra identiteti. Këtu mund të hyjë kushdo dhe të veprojë sipas porosisë, qejfit, dhe pa kurrfarë problemi të krijojë vijën e mafisë politike dhe krimit. Dhe, ne nuk kemi fuqi ta mbrojmë. Kot gënjehemi.

Problemi qëndron te pasojat që mund të vijnë për shkak të keqtrajtimit që i bëhet politikës para syve të bashkësisë ndërkombëtare. Para syve të atyre që ndihmuan çlirimin e Kosovës dhe larguan Serbinë, përgjithmonë, nga Kosova.

Thënë troç, edhe një herë pas 14 vjetësh çlirimi, ne nuk jemi fitues të vetëm të kësaj lufte. Por, siç po flasim dhe siç po qëndrojmë karshi tyre, një ditë, me cinizëm, ndërkombëtarët do të na falënderojnë që ndihmuam NATO-n në luftë kundër Serbisë.

Prandaj, vendosja e diskursit politik në duar të papërgjegjësisë nuk është asgjë tjetër pos mohim i arsyes. Sidomos, është krim qasja ndaj marrëveshjes si koncept dhe refuzimit të të gjithëve që punuan për platformën. Ky është koncept jotolerant ndaj minoriteteve dhe serbëve të cilët me numrin e tyre nuk janë kurrfarë rreziku për Kosovën. Ata, edhe ashtu, nuk çojnë peshë në rrezikimin e së ardhmes, dhe duhet ta pyesim veten pse jemi kështu dhe cila është arsyeja e vrasjes së “kufomës”.

Duhet thënë atyre që bëjnë zhurmën politike se “krimi ka gjithmonë të njëjtën fytyrë”, sepse nuk është “sasia” që e bën atë të dënueshëm, por “cilësia” e tij. Dhe, nuk janë një grusht serbësh pse jemi në këtë situatë, por një politikë e gabuar që është ndërtuar prej kohësh dhe një politikë kundërshtuese që bëhet një dekadë me vonesë.

Disa nga familjet, mund të kuptohet, janë shumë të lënduara dhe nuk mund të falin, por nuk po duket se janë ata prapa kësaj zhurme. Prapa kësaj paqartësie.

Nëse deri më tash është sakrifikuar aq shumë për kauzën e pavarësisë, atëherë të bësh politikë në mënyrë të tillë do të thotë ta dëmtosh idealin e secilit për Kosovën e pavarur. Dhe, kjo është rruga që do ta shpjerë Kosovën para një rreziku tjetër – prolongimin e Kosovës Europiane – vendosjen e saj në duart e bashkësisë ndërkombëtare të tërë sistemit qeverisës – dhe ndërrimin e politikës për Kosovën duke e harruar dhe ndërtimin e saj.

Fundamenti

Mungesa e hapësirës politike, për shkak të jotolerancës politike dhe trajtimit të keq që u bëhet minoriteteve, po e bën të rëndë zgjedhjen e problemit të Veriut te Kosovës. Po e bën pikë të jotolerancën, duke u thirrur në konceptin bosh të nacionalizmit.

Sa më shumë që zgjat jotoleranca – aq më shumë do të zgjatet problemi i ndryshimit të këtij pushteti, i cili dikur me jotolerancën e ka vonuar procesin e pavarësimit, kurse tash me heshtjen e papushtetshme e vonon Europën në Kosovë.

Me gjuhë të tillë ushqejmë jotolerancën dhe na duhet vetëm edhe një gjë që ta përmbysim lirinë – vetëm që të përsëritet ajo që ka ndodhur në disa qytete të Kosovës dikur – pastrimi nga serbët.

Ata që janë të shurdhër, duhet ta kuptojnë se ndërkombëtarët duhet ta mbrojnë politikën e tyre të cilën e krijuan në Kosovë. Nuk mund të tolerojnë një gjuhë të Millosheviqit që tash vetëm flet shqip.

“Janë të shumtë ata që mendojnë, sidomos ata që kontribuuan për fitoren e Aleancës, se vazhdimi i politikes së tillë ndaj serbëve, dhe minoriteteve tjera, në duart e bashkësisë ndërkombëtare, është shuplakë fytyrës për ata që u angazhuan për lirinë e Kosovës. Mos na bindni se edhe Ju, shqiptarët, keni idenë e jotolerancës etnike. Ajo ishte lufta e humbur e Millosheviqit. Prandaj rreziku i politikës dhe ndërrimit të saj në favor të viktimës po shtohet”, më thotë një diplomat.
Duke shfletuar idetë të cilat po sillen në qarqet diplomatike, mund edhe të parashihen variantet e rrezikshme për Kosovën. Rreziku, ta zëmë, është ikja nga Marrëveshja (edhe pse shumica e tyre e mohojnë këtë), sepse ikja dhe orientimi i serbëve kah enklavat e tyre dhe krijimi i oazave politike më vonë mundëson ndarjen e sofistikuar të Kosovës.

Kur shterojnë mundësitë e tolerancës, ka mundësi të krijohet tipi i rezistencës brenda enklavës serbe dhe, atëherë, krijohen dy mundësi.

E para: bashkësia ndërkombëtare nuk lejon humbjen e moralit politik dhe ushtarak, të investuar në Kosovë me të drejtën e intervenimit në Kosovë për çështje humanitare, dhe duke lënë që viktima e re të jenë serbët. Me këtë rast, bëhet fjalë edhe për parimin, e jo disa serbë që po rrezikohen në Kosovë. Presioni që mund të bëhet nga mediat, mund të jetë aq i madh sa nuk mund të tejkalohet si punë e kryer. Mediat janë ato që e mbikëqyrin situatën dhe punën e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Këtë e bënë edhe me rastin e intervenimit në Kosovë.

E dyta: Kthimi i policisë dhe ushtrisë serbe në Veri për të ruajtur enklavat serbe është rrezik permanent për Kosovën. Dhe, ky do të ishte debakël i politikës dhe debakël i shqiptarëve dhe Kosovës në përgjithësi.

Në momentin kur bashkësia ndërkombëtare huq idenë e mbrojtjes së pakicave, ajo gjen variantin e saj të orientimit politik. Duhet të besoni, thekson miku ynë diplomat, se kështu ka menduar edhe Millosheviqi: “Kështu mund dhe si duket po mendojnë edhe një pjesë e shqiptarëve”.
Dhe, së fundi, shton ai zëshëm, me një mimikë prej njeriu që është lodhur duke bindur shqiptarët se ky është rasti historik për ta dhe Kosovën, “jemi lodhur me shqiptarët”. “Jemi lodhur duke i bindur ata se Kosova nuk është problem për të cilin bashkësia ndërkombëtare do të kujdeset vazhdimisht”.

Duhet besuar në fjalët e liderëve botërorë, se “nuk e kanë bërë çlirimin e Kosovës për të filluar një pastrim i ri, prandaj ata që mohojnë projektin dhe serbët në këtë moment janë dora e shkatërrimit të Kosovës dhe humbjes definitive edhe të rastit historik të idesë për pavarësinë e saj”, përfundon ai.
Çfarë duhet të thuhet më shumë se kaq?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.