RCCOLA

Kundër ri-vendosjes dhe rritjes së taksave komunale për qytetarët dhe bizneset e Gjilanit

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Komuna e Gjilanit me propozimin e saj për miratim në Kuvendin Komunal të rregullores për taksa, ngarkesa dhe gjoba për vitin 2014, po i ri-kthen dhe po ri-vendosë disa taksa për bizneset dhe po i rritë taksat për shërbimet ndaj qytetarëve të komunës së Gjilanit thotë Riad Rashiti.

“Qeverisja e re komunale, do të duhej që së paku të vazhdonte rrugën e qeverisjes së kaluar, e cila për çdo vit ka bërë lehtësira në taksat komunale për qytetarët dhe bizneset e Gjilanit. Fillimisht për çdo vit ka bërë uljen e taksave, pastaj në vitin 2012 heqjen e taksës për bizneset prodhuese dhe për bizneset e reja, ndërsa nga viti 2013 ka hequr të gjitha taksat për të gjitha bizneset në komunë, me përjashtim të kompanive të mëdha publike” thuhet në një reagim të Riad Rashitit e cila edhe është si përgjigje ndaj kërkesës së Arben Mehmetit për të rritur taksat ndaj kafiterive që ndodhen afër kompleksit të shkollave.

Propozimi i komunës që sot, të ri-vendosen taksat për disa kategori të bizneseve dhe rritjen e taksave për shërbime të qytetarëve, është e papranueshme dhe paraqet regres të zhvillimeve pozitive në komunën e Gjilanit. Për të gjithë ne është shumë e freskët fushata elektorale, ku kryetari i komunës Lutfi Haziri, premtonte shumë mrekullira për Gjilanin, i premtonte bizneseve heqjen e taksave komunale edhe pse ato veç i kishin të hequra në vitin 2013, ndërsa sot ato taksa, kryetari i komunës së Gjilanit po i ri-vendos dhe po i rritë mbi 70% taksat për shërbime ndaj qytetarëve.

Propozimet e reja për rritje të taksave për shërbime ndaj qytetarëve janë që, për pajisjen me certifikata të ndryshme, si ato për pajisje të certifikatës për status martesor kemi rritje 200% të taksës komunale, për kurorëzim jashtë orarit të punës 50%, për nxjerrjen e dokumentit të Aktvdekjes kemi rritje 70%, për lëshimin e certifikatës mbi vendqëndrimin kemi rritje 150%, për regjistrim të mëvonshëm të qytetarëve kemi rritje 70%, për korrigjime në librat e regjistrimit 70%, si dhe disa në disa taksa tjera po ashtu kemi rritje.
Për të gjithë operatorët e transportit publik, komuna e Gjilanit tani po i ngarkon me nga 100 euro për licencim, ndërsa në qeverisjen e kaluar kjo taksë i është liruar dhe nuk e kanë paguar transportuesit publik për licencim.

Bizneset tani po ngarkohen më shumë me taksë për leje ndalje për furnizim me mallra të lokaleve të tyre afariste, ku kemi rritje 100%, nga 20 euro në 40 për një muaj, pra 480 euro në muaj ngarkohet një biznes afarist në qytetin e Gjilanit.

Uji Dea

Bizneseve po ashtu iu është rritur 100% taksa komunale për hyrje në qytet me automjete transportuese mbi 3.5 ton, nga 15 euro në 30 euro për një hyrje. Kemi rritje 100% të taksës për ofertën e shitblerjes së banesës.

Po ashtu, tani po komuna e Gjilanit po i ri-vendosë dhe ngarkon me taksë të gjitha bizneset me veprimtarinë e hoteleve dhe restoranteve, prej 500 dhe 800 euro, pompat e benzinës po i ngarkon me taksë prej 500 euro, kompanitë e sigurimit fizik të objekteve me nga 300 euro, po ashtu edhe hipermarketeve dhe supermarketeve po i ri-vendos taksën vjetore prej 800 dhe 1000 euro.

Kërkesa e LDK-së që edhe kafiterive t`i ri-vendosen taksat komunale pranë kompleksit të shkollave të mesme, po tregon se kjo qeverisje nuk ka kurrfarë plani e as programi zhvillimor për komunën e Gjilanit, sepse përmes taksave komunale nuk mund të arrihet asgjë tjetër përpos që i bëhet barrë dhe ngarkesë e rëndë për qytetarin dhe biznesin e komunës.

Komuna e Gjilanit duhet të angazhohet në zgjidhjen e problemeve duke ofruar alternative dhe zgjidhje më të mirë pa e dëmtuar askënd. Rasti i kafiterive te kompleksi i shkollave të mesme është zgjidhur nga qeverisja e kaluar, vetëm se duhet të implementohet nga qeverisja aktuale, sepse kanë kaluar të gjitha procedurat e tenderimit për ndërtimin e infrastrukturës në kompleksin e shkollave të mesme, ku do të përfitojnë të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë qytetarët e Gjilanit të cilët do të ndiheshin të sigurt për fëmijët e tyre të cilët i dërgojnë në shkollë.

Andaj, Kuvendi Komunal do të duhej që në seancën e nesërme mos të miratoj këtë propozim rregullore e cila i ngarkon dyfish më shumë qytetarët dhe bizneset e komunës së Gjilanit ka thënë në reagimin e tij Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së./rajonipress/