Kultura kërkimore shkencore nga Avni Presheva
Metoda e kërkimeve shkencore është formë e përhershme e aplikimit të logjikës, të përbashkimit të njohjeve dhe arsyes, në studimet shkencore. Pa një metodë të kërkimeve dhe hulumtimeve, hyrja në shkencë do jetë vetëm dëshirë, shkruan prof.dr. Avni Presheva
Toka vazhdimisht sillet rreth diellit, që planeti ynë i katërt, toka, dhe jeta jonë njerëzore në tokë të ecën nëpër 4 stinët e saj. Vetëm në këtë rrugëtim, ajri i vjetër pastrohet nga ajri i ri. Baza e shkrimit universitar dhe akademik është udha nga ecin aktualisht artet dhe shkencat. Metodologjia e Kërkimeve Shkencore e Avni Preshevës, për problemet e kërkimeve shkencore, trajton në formën ma të kulturuar aplikimin e logjikës dhe të filozofisë në shkencë.
Ky libër për kulturën e kërkimeve shkencore të Avni Preshevës, është një prurje e re, jo vetëm për studentët e Universitetit, por edhe për institutet shkencore e artistike.
Libri „Metoda e Kërkimeve Shkencore“, ndahet në dy pjesë; në pjesën e parë trajtohet mënyra e tërthortë e kërkimeve shkencore, ndërsa në pjesën e dytë, Avni Presheva vë në lëvizje aplikimin e logjikës për të arritur tek njohja me anë të arsyes. Njohja dhe zbatimi i kërkimeve shkencore në universitete dhe institucione, shkruan Prof. Presheva, fillimisht kërkon kulturë të gjerë të njohurive, për temën, metodën, dhe qëllimin.
Avni Presheva u lindë në vitin 1944 në Preshevë. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Preshevë. Ndërsa Fakultetin Filozofik , Filozofi – Sociologji, dhe Studimet pas-universitare, i mbaroi në kryeqytetin e Bosne-Hercegovinës, në Sarajevë. Avni Presheva është shkencëtar i mirëfilltë. Udhën për në zemër të shkencës ai kurrë nuk e ndaloi. Pas mbarimit të studimeve pas-universitare, Avni Presheva bëhet, Doktor i Shkencave, për Filozofi dhe Sociologji.
Fal punës dhe aktiviteteve shkencore, Avni Presheva i ka të fituar të gjithë gradat e Profesorit universitar. Avni Presheva deri më tash ka botuar mbi 30 punime shkencore për Filozofinë e gjuhës, për Gjuhën dhe semantikën, për Teoritë e njohjes në shkencë, dhe për Filozofinë e kuptimit. Avni Presheva deri më tash ka botuar këto vepra;
1.Filozofia e gjuhës, U P , Prishtinë 2. Prej gjuhës në gjuhë, Hannover, Gjermani 3. Gjuha dhe Metagjuha, Tiranë 4. Metodologjia e kërkimeve shkencore, USH, Tetovë. 5. Interpretimi i së drejtës në shkencat juridike, Shkup 5. Bazat e logjikës, dhe 6. libri me poezi “Atyre që do të vijnë”,janë në proces të botimit.
Veprimtaria krijuese e Avni Preshevës është e gjerë dhe e thellë. Në gjuhë shkruan, Avni Presheva, është historia e çdo populli, brendia e tij krijuese, fjala dhe shkretëtira e fletës së bardhë, e pagjendshmja e sotme, e pathëna e paprekur. Mbi këtë truall gjuhësh e mendimesh lind e lëviz, arti, kultura, dhe shkenca. Gëzimi, hidhërimi, dëshpërimi, streset, trazimi, ëndrrat, imagjinata dhe dhimbjet që e flasin gjuhën dhe kuptimin, janë në pemën e jetës. Në fushë të filozofisë gjuha konsiderohet identiteti më i paanshëm, dhe i përbashkëti i qenies, cilësori më i paluajtshëm i të jetuarit bukur dhe poetikisht. Shkëlqimi i njeriut me talent për krijimtari, njeriut i jep mundësi të krijon vepra që të ekziston.
Filozofi, Avni Presheva, me librin, “Prej gjuhës në gjuhë”, përuron mendimin filozofik shqiptar, për problemet e gjuhës, semantikës, dhe mendimit. Në përdorimin filozofik, filologjik e semantik të gjuhës në fillim të këtij mileu, shkruan Presheva, trajtimi i gjuhës ka rëndësi të veçantë në filozofinë bashkëkohore. Me këtë problematikë janë të preokupuar njerëz të të gjitha niveleve.
Njeriu që merret me filozofi, duhet të jetë impulsiv, i guximshëm, dhe me gjykim të prerë. Filozofi duhet të jetë i mbushur me njohuri të shkencës dhe artit, dhe ta njoh mirë kuptimin e të menduarit, për t´iu përgjigjur sfidave të kohës.
Filozofi Avni Presheva, me librat “Prej gjuhës në gjuhë”, dhe „Metodologjia e kërkimeve shkencore“, shkencën e Filozofisë dhe të Sociologjisë e pasuron me vepra të të mirëfillta për kohën.
Filozofisë, kësaj mbretëreshë të lashtë, dhe hijerëndë nuk i dilet me vepra të çfarëdoshme përpara. Andaj të merresh me filozofi thotë Avni Presheva, duhet të jesh i zgjuar dhe me talent, çapkën dhe impulsiv, për ta trajtuar më guxim, grimcat dhe atomet e mendimit. Të qeshurën e mendimit, kuptimin e mendimit, ndryshimin dhe trajtat, lexuesi mund t´i gjejë në librin “Prej gjuhës në gjuhë”.
Jeta e njeriut kudo është një gjithësi problemesh. Kuptimin e këtij problemi filozofik Avni Presheva, e ka shtruar për së mbari,me disiplinat më të përparuara të filozofisë. Plot gjëra burojnë prej dhembjeve, prej të thjeshtave, prej lëndëve të papërpunuara. Në shtëpinë e mendimit, Avni Presheva, na e prezanton një botë të tërë mendimesh e kundërthëniesh që preokupon mendimin bashkëkohor filozofik. Andaj, libri ”Prej gjuhës në gjuhë” dhe „Metodologjia“ janë një arritje e madhe për shkencën e Filozofisë tek ne.
Prandaj, hyrja në gjuhë ,në errësirën e fjalëve, në errësirën e tingujve dhe mendimeve, në muzgun e më të pashkelurave, pa njohjen e kodit të metodologjisë kërkimoro-shkencore, shkruan Avni Presheva, është e pamundur të bësh truall dhe të kesh prodhim shkencor dhe artistik. Libri „Metodologjia e Kërkimeve Shkencore“ që po i jepet në dorë lexuesit universitarë dhe akademik, përbën majën e një enciklopedie për përdoruesit e ardhshëm. I uroj punë e shëndet, Filozofit, publicistit dhe eseistit, Avni Presheva! Sukses!/Rrustem Geci – Dortmund/rajonipress/


