GRANDEMALL

Kultura arbëreshe ushqeu dhe parapriu Rilindjen Kombëtare Shqiptare

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Promovohet në Akademinë e Shkencave libri “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” i prof. Matteo Mandalà.

Sistemi kulturor arbëresh mori ato tipare “kombëtare” moderne qysh në shekullin e 18-të, pra, një shekull më parë se të niste Rilindja e mirëfilltë kombëtare shqiptare. Pak a shumë ky është thelbi i aksionit kulturor që ndërmerr prof. Matteo Mandalà me librin e ri “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”. “Në raport me gjetjet e reja të materialeve dorëshkrimore (vepra gjuhësore, letrare a historiografike) vihet në diskutim interpretimi tradicional i disa çasteve dhe dukurive kyçe të historisë kulturore shqiptare. Duke nisur qysh nga Rilindja, studimi dhe shpjegimi i së cilës na rezulton mjaft i mangët, sidomos për sa i përket fillimeve të saj”, deklaron autori i librit me rastin e promovimit të librit të tij në Tiranë, një promovim i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Naimi”.

Studiues të njohur si prof. dr. Francesco Altimari, akademikët Jorgo Bulo e Floresha Dado prof. dr. Shaban Sinani, , prof. asoc. dr. Anila Omari, prof. asoc. dr. Blerina Suta, dr. Evalda Paci, prof. dr. Roland Zisi kumtuan opinionet dhe vlerësimet e tyrë rreth vlerave të librit. Në promovim mori pjesë edhe ministri i ri i Kulturës, poeti i njohur Visar Zhiti si edhe kishin ardhur nga Kosova e Italia disa studiues e studentë të interesuar për albanologjinë.
Për prof. dr. Francesco Altimari libri i Matteo Mandala “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” përbën një sintezë të kërkimeve shkencore të autorit. Thelbi i tij është se “rilindja e mirëfilltë kombëtare shqiptare nis në shekullin e 18-ë në mjediset e arbëreshëve të Italisë dhe prej andej ajo pati një ndikim dhe rol vendimtar për zgjimin kombëtar të shqiptarëve në vendin e tyre”. Akademikët Jorgo Bulo dhe Floresha Dado vlerësuan metodologjinë që ka ndjekur Mateo Mandala në kërkimet dhe parashtrimet për kulturën dhe letërsisë shqiptare.

“Kemi të bëjmë me një vepër që kërkon rishqyrtime kritike për gjithë historinë e letërsisë shqipe, duke përfshirë periudhizimin e saj, ndryshimin e kalendarëve, karakterizimin e dukurive dhe zhvillimeve kulturore e letrare, prekjen e status quo-së së deritashme, funksionimin e një sistemi letrar që mbështetet mbi njësinë e gjuhës, historinë e gjinive letrare, historinë gjenetike të veprave, vështrimin krahasues të varianteve të tyre. Letërsia romantike arbëreshe, gjatë një shekulli të historiografisë letrare shqiptare, është njohur me shtrembërime dhe shmangie të papërfytyrueshme. Kjo është një prej të vërtetave më të thjeshta që duhen pranuar në rastin e botimit të librit më të ri“Gjurmime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe” të Matteo Mandalà-it, albanolog i njohur, profesor në Universitetin e Palermos, Itali” tha studiuesi i njohur Shaban Sinani.

Ndërsa prof. Anila Omari vlerësoi se “Puna studimore e Mandalà-së mbështetet në radhë të parë në kërkimet arkivore dhe në zbulimet e burimeve dokumentare. Ky është një moment i lodhshëm por domosdoshëm i punës së filologut për të sjellë përfundime të reja e të besueshme. Studimet tona kanë vuajtur nga kjo mungesë, që ka bërë që studiuesit të përsërisin pohime të njëri-tjetrit si të mirëqena pa i verifikuar ato në dokumente origjinale. Zbulimi i dokumenteve të reja, vlerësimi i vëmendshëm kritik i prodhimit shkencor të paraardhësve bashkë me një lexim të ri e të pavarur të fakteve e të dhënave, kanë sjellë ato aspekte novatore të veprës së Mandalasë që ndriçojnë, saktësojnë, deri edhe përmbysin leximet e deritanishme të dukurive të letërsisë arbëreshe”.

Studiuesja tjetër dr. Evalda Paci konstaton se “Duke qenë marrë prej vitesh me tekstet e vjetra shqipe por dhe me historinë e letërsisë së shkruar të viseve arbëreshe, duke qenë autor dhe përpilues i botimeve kritike të rëndësishme që radhiten krahas realizimeve më të rëndësishme të kësaj tradite, Matteo Mandala paraqitet me një vepër përmbledhëse në të cilat ka ritrajtuar inkuadrimin e veprave të autorëve arbëreshë në një kuadër filologjik bashkëkohor; historikun e kërkimeve të dorëshkrimeve dhe botimeve kritike që lidhen me to; historinë e leksikografisë shqiptare e arbëreshe si një pjesë e rëndësishme e traditës së studimeve filologjike; jetëshkrimin e figurave kryesore të historisë së letërsisë arbëreshe, duke realizuar dhe botime kritike që u bëjnë nder studimeve në fushë të filologjisë së tekstit dhe historisë së letërsisë së shkruar shqiptare”.

Dr. Blerina Suta tha se “Në sfondin e turbullt të risisë që solli strukturalizmi në kritikën e letrave shqipe, puna e prof. Matteo Mandalasë duhet klasifikuar si një alternativë ndryshe, një alternativë që mëton të zërë rrënjë për shkak të raportit me traditën, gërshetuar me risinë. Kritika e diasporës në Itali ka ndjekur në mënyrë të natyrshme zhvillimet metodologjike në fushë të kritikës duke realizuar kritika të thelluara mbi lëndën e letërsisë shqipe, nivel që për fat të keq nuk u arrit dhe kushtëzon edhe sot studimet letrare këndej Adriatikut”.

Fundamenti

Prof. dr. Roland Zisi e vlerësoi librin e ri të prof. Matteo Mandal si një kontribut me vlera të reja për kulturën dhe filologjinë shqiptare, një model pune për studiuesit, sidomos për brezin e ri. Me këtë rast kumtuesi tha se në bashkëpunim me albanologët italianë do të organizohet në Gjirokastër një konferencë shkencore me temën “Një Rilindje (e vogël) para Rilindjes (së madhe).

Skeda e librit:
Autori: Matteo Mandalà
Titulli: Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe
Recensues:Shaban Sinani, Gëzim Gurga, Naim Zoto
Përktheu e redaktoi: Gëzim Gurga
Në ballinë: tablo e Ibrahim Kodrës
Botues: “Naimi” – shtëpi botuese dhe studio letrare
Të dhëna për autorin e librit:

Matteo Mandalá, lindur në qytezën “Piana degli Albanesi”, më 27 qershor 1958, është profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në universitetin e Palermos, Itali. Albanolog i mirënjohur, autor i disa librave dhe studimeve themelore për historinë, kulturën dhe letërsinë arbëreshe në veçanti dhe atë shqiptare në përgjithësi, ai është një pikë reference në shkencat albanologjike.

Ndër veprat e prof. Matteo Mandalá, mund të veçojmë botimin filologjik të veprës së plotë (“Opere”) të Zef Skiroit, Gavril Darës, Nikollë Filjas (e njohur me emrin “Codice Chieutino”), Lekë Matrangës po dhe të autorëve më të pak të njohur gjatë katër shekujve letërsi arbëreshe në Italinë ishullore palermitane, përfshirë në antologjinë më të madhe të kësaj letërsie, realizuar në tri vëllime, me titullin “Profi lo storico-antologico della letteratura degli Albanesi di Sicilia” (2005-2007-2012), si edhe dy librat monografikë të tij: “Diaspora dhe rikthimi: miti, historia dhe kultura tradicionale në veprën e Zef Skiroit” [“La diaspora e il ritorno. Mito, storia, cultura tradizionale nell’opera di Giuseppe Schiro”, 1990] dhe “Botës i pëlqen të mashtrohet: mitet e historiografi – së arbëreshe” [“Mundus vult decipi: I miti della storiografi a Arbëreshë”, 2007].

Prof. Mandalá ka marrë pjesë aktive me referate e studime shkencore në Kongreset Ndërkombëtare të Albanologjisë prej vitit 1987 si edhe në konferencat shkencore të Akademive të Shkencave të Kosovës e Shqipërisë, ndërkohë që prej vitit 1986 ka publikuar intensivisht studime filologjike. Ai ka përgatitur dhe botuar një bibliotekë të tërë veprash akademike nga më të rëndësishmet, me ide të reja në studimet mbi Skënderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Kongresin e Manastirit, Rilindjen Kombëtare e Pavarësinë e kombit, historinë e letërsisë shqipe, De Radën, M. Camajn, I. Kadarenë etj.

Prof. Matteo Mandalá bëri të mundur themelimin e revistës shkencore të albanologjisë “Res Albanicae”, një tribunë shkencore, që synon të mbledhë rreth vetes forcat më të mira intelektuale që merren me kërkime albanologjike në mbarë Europën./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.