RCCOLA

Kujdes nga pluhuri provincial

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Shefik Shkodra – Nuk janë vjersha të kohës krijimet si ajo kënga popullore: “Oj lulija jonë me limona,/A ma mirë te na, a te nona-o?”(!) Po kjo punë është si një arë e lëruar thellë. Jo me parmendë e krejt “laknor”, si kanë thënë dikur. Pra, krijimtaria letrare si çdo gjë tjetër, do të duhej të avancohej dhe të identifikohej si krijimtari e re prej asaj para një shekulli.

Po flasim për letërsinë shqipe. Dhe kjo ishte e lëruar dhe është prej një pjese të krijuesve të mirëfilltë edhe sot, edhe këtu në Kosovë. Madje e krahasueshme edhe me atë evropiane, sa marrë vesh. Sidomos poezia, por edhe romani. Pra, për ta lëruar një tokë mirë për bereqet të begatshëm, duhet pas qé e pllug të fortë.

Krejt çka shkruhet në vargje s’është krijimtari. Një shkrim, mund të jetë vetëm improvizim. Një përsëritje, për të mos thënë plagjiaturë. Ndonjëri s’i vë as konturat e duhura të një poezie. Si një shtëpi e mbuluar me fier e kashtë, kur nuk i viheshin ‘lëmezët’ përmbi për ta mbajtur materialin e pullazit, të mos e bart era menjëherë, të palohet mirë dhe të mos depërtoj pika e shiut.

Qëllimi dhe përfundimi i një libri

Dhe tashi vlerësimi i poezisë te ne. Nëse vërtet duam të bëjmë atë pasqyrim, atëherë duhet të ngarkohemi me thasë shumë të rëndë, pastaj t’i rendisim nëpër vende të veta. Dhe më shumë zhveshje e ndriçim na nevojitet se, çka flasim e se sa fletë të bardha letre i mbushim për të. Ku e “rendi-t” i nderuar gjithë atë material? Qe nga fillimi i saj në Kosovë, thamë, është e rëndë, të vendoset nëpër rafte, të parin, të dytin, të tretin, ndoshta edhe të katërtin. Kush e di! Është edhe sipas shijes dhe aftësisë, por s’është punë përsëritje se çka kanë thënë të tjerët. Themi tash me shkas për një libër të botuar nga ato këndet e Kosovës, që do të na bënte qejfin, sikur t’ia dija qëllimin e përfundimin. Isha në promovim, po atë ditë e mora atë libër. Nuk shkoj disa orë e përfundova së lexuari. Titullin ia di, thash, por nuk e di për çka ishte fjala. Nuk do ta merrja shumë afër zemre, sikur autori të mbante një farë kriteri. Madje, po të mos i “harronte” edhe të tjerë emra.

Sakrifikimi deri te qëllimi

Njëherë censura politike na la pa krijuar disave të asaj kohe, tash s’ka censurë politike – hajde të gjithë të shkruajmë! I madh e i vogël. ‘Veç shkronjat (tridhjetë e gjashtë) duhet t’i dimë edhe parat për ta shtypë librin. Mirëpo, s’ka kapacitet akëcili për të krijuar diç të re. Kjo do të thotë, sikur një karcyell (insekt) a mundet të ngarkoj mbi shpinën e tij një shkëmbë me qinda tonelata?! Po punë e lehtë kjo për “guximtarët”: shkruaj sot roman, pas nja një muaj vjersha, pas pak edhe kritikë dhe teoricien, e përtej kritike – “ajka” që i vë kapak çdo shkrimi.

Si ai rrethi i formuar me Editor, Redaktor, Recensent me do para që ua ndau komuna! E marrin edhe ndonjë kacavjerrës pas vete, që tashmë u ka dalë boja si sendeve të leshta në shi e borë dhe do të bëjnë “hukubet” letërsi. Libër të madh kritike.

Në pamje të parë, asi si jemi të mësuar t’i lexojmë e t’i shohim prej atyre që janë sakrifikuar deri te qëllimi. E megjithatë, i pakënaqur ndoshta shpesh prej atyre autorëve…Po ky rrethi provincial (nuk flitet për mese gjeografike, veç për mendësinë e njerëzve), shumë të aftë, a? Madje, kanë bërë edhe “kriter”, ashtu si e kanë planfikuar kaherë.

Mobi Casa

Dhe krejt kah fundi, autori shton edhe ndonjë fjali sa për t’ua shënuar emrat e shumë poetëve, sidomos të atyre terreneve, por jo aq “të vlefshëm”: “Nga poetët e regjionit (…), duke i përfshirë edhe disa krijues (…), mund të them se poezi të mira kanë botuar…” numëron nja njëzet, tridhjetë, por të lënë edhe nja disa emra të tjerë. Shihe ti si çohet pluhuri i provincës, “mund të them se poezi të mira kanë botuar”. Ta lejojmë këtë fjali edhe në pavetore! Qe si çohet pluhuri provincial, madje inaugurohet, promovohet shkrimi i këtij teksti me shumë përgjegjësi nga njerëz që janë përgatitur të dalin para opinionit.

Ndër të tjera, po “përvjelin mëngët”, mendja e tyre, që ta “vjerrin” lart e më lart poezinë e njëri-tjetrit. Edhe t’i kushtojnë “kujdes” special në hapësirën e bardhë të letrës kolegialitetit provincial.

Letërsia për politikën ditore

Do “poetë” në këtë kohë, si dje, për të shfrytëzuar gjoja kohën e humbur dhe për të arritur “atje”, ku nuk mund të ngjiten asnjëherë, shkruajnë për figura historike, politike, etj. Ta zëmë, dje shkruante ndonjëri për Titon, sa më shpejt që t’ua tërheq vërejtjen redaktorëve politikë, që të fitojnë privilegje të pamohueshme, mendonte akëcili se shpejt do të bëhej krijues letrar, poet.

Dikush ia kishte pa “hajrin” kësaj mënyre, po dikush aty ku e nisi aty edhe mbeti. Sot, po ashtu, si për nguti ka shumë që u kushtojnë vjersha ngjarjeve historike, duke e shquar veten si patriot e si njeri me shqisa të veçanta; shkruan për heronjtë e luftës së fundit, por realiteti tregon diçka krejt tjetër. Shkurt, nuk ka mundur ta përjetoj ndodhin sa është e meritueshme. Pastaj, del e shkruan publikisht, se, dje ai e ky ishin të privilegjuar nga politika ditore si shkrimtar, etj.

Po ata kishin privilegje. Kishin krijuar letërsi (poezi) për politikën ditore. Saktë, e dimë se ka pas të tillë herë pas here. E pamohueshme! Po, krijimtaria e mirëfilltë nuk mund të mohohet në asnjë kohë. Ne kemi pas letërsi të shkëlqyeshme edhe në kohën e fashizmit. Po ti? A s’je i privilegjuar? Kur me një vjershë përkushtuese për Skënderbeun, Adem Jasharin, e figura të tjera kombëtare, përpiqesh ta rregullosh strofullogun?! Më parë, parat ku i more për shtypje të librit? A s’i këndon edhe sot ti vetë kësaj dite me: liria, demokracia, atdheu, kryetari i kësaj e asaj partie…të faleminderit atij këtij shteti që na ndihmuat, etj.

Madje, dikush është edhe më i privilegjuar se sa për atë të djehit që flet. Me ndonjë përjashtim, por përpjekja që të bëhet degradimi i tërësishëm i një pjese të letërsisë (poezisë) si shërbëtore e politikës ditore dje, bien po aq poshtë e përnjëmend, si shërbyes i një politike të sotme.

Kjo ngjan si një rrebesh shiu të rastit, njësoj si emocionet e “trimit tonë” që shkarkon ujë turbulltë. E dinë ana e Kamenicës, përtej atij Prronit të Keq, përmbi atë katundin H., ishte kufiri në mes të ‘moravalive’ dhe ‘maloçve’. Po, rrafshi me gollakun. Kështu na qet kokë edhe pak kohë në këto ditë kjo parulla, unë moravali e ti malok…! Kujdes nga përroskat periferike shkrimtarë! Pa eufori!…