Kuçi: S’ka dilemë, zgjedhjet në qershor

Hajredin Kuçi thotë se zgjedhjet nacionale do të mbahen në qershor ashtu siç parashihet në Marrëveshjen PDK-LDK. Pas votimit të ushtrisë në Kuvend, Kuçi thotë se do të merret vendimi për të shkuar në zgjedhjet parlamentare. Sipas tij, partitë në opozitë nuk e kanë seriozisht idenë për të shkuar në zgjedhje të shpejta nacionale.
Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi e ka qartësuar se partia e tij është pro mbajtjes se zgjedhjeve të nacionale sa më shpejt që është e mundur.
Ai ka thënë se do të respektohet me përpikëri Marrëveshja mes Thaçit e Mustafës në të cilën parashihet që zgjedhjet të mbahen gjatë muajit qershor.
“Ne kemi një Marrëveshje me LDK’në që do ta respektojmë në tërësi. Edhe në takimet tona bilaterale me LDK’në e kanë pasur të qartë se marrëveshja do të respektohet. Besoj se në ditët në vijim do të jemi edhe më të qartë për ta dhe opinionin publik”, ka thënë Kuçi, të enjten, për Gazetën Express.
“PDK do të lufton me u mbajt zgjedhjet dje”, ka thënë Kuçi, kur është pyetur se a është e gatshme partia e Thaçit për zgjedhje.
Ky zyrtar i PDK’së dhe i Qeverisë ka thënë se pas vendimit për Forcat e Armatosura do të shpërndahet Parlamenti.
Por, ai nuk ka përmendur datë, duke thënë se kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes mes partive politike parlamentare.
Sipas tij, partitë opozitare kanë nisur luftën mes tyre jo për ide por se kush po e merr bajrakun e opozitës.
“Ata që po përmendin çështjen e zgjedhjeve nuk e kanë përnjëmend. Partitë në opozitë po shtyhen se kush po e merr bajrakun e opozitës se sa kush po jep ide konkrete për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, partitë minoritare kanë vendosur të kushtëzojnë formimin e Forcave të Armatosura me vendet e rezervuara për ta në Kuvendin e Kosovës.
Pavarësisht kësaj, Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se FAK do të votohet të hënë në Kuvend pa kushte.
“Vendet e rezervuara nuk janë në agjendë. Por, në agjendë janë forcat e Armatosura dhe Ligji për Zgjedhjet nëse janë. FAK duhet të miratohet pa kushte të hënën. FAK nuk është objekt mbi të cilin mund të bëhen kompromise apo për të cilin thyhen raportet ndërpartiake apo ndëretnike”, ka shtuar ai.
Kuçi ka thënë se minoritetet duhet të votojnë për FAK’un pasi ushtria e ardhshme e Kosovës nuk do të jetë vetëm për shqiptarët.
“I ftoj minoritetet të jenë racional në vendimin e tyre. Ata e kuptojnë se Forcat e Armatosura nuk janë vetëm për shqiptarët por janë për të gjithë qytetarët e vendit dhe janë mekanizëm me standarde ndërkombëtare. Në këtë drejtim, vendimin duhet ta shohin se është për ata e jo si shpërblim për shqiptarët dhe me marrë pastaj kundërshpërblim.