Hidromorava

Ku ndodhet dhe pse u quajt Muhalla e Muhaxhirëve në Gjilan

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Lagjja e Muhaxhirëve në Gjilan është themeluar nga familjet muhaxhire të dëbuara nga Sanxhaku i Nishit gjatë viteve 1877/78.

Kjo lagje është themeluar në një hapësirë të lirë në pjesën veriore të qytetit, në afërsi të objektit të Gjimnazit të vjetër, tani Universiteti, në dy anët e rrugës së tanishme “Halim Orana”, në të djathtë me një rend të shtëpive deri afër teqesë së tarikatit Sadi, dhe burimit të Banjës.

Kurse në të majtë të kësaj rruge, deri te rruga “Haki Myderrizi”, ishin katër radhë të shtëpive mbështetur njëra pas tjetrës, pothuajse në një kulm. Nga të dhënat memoriale të banorëve të lagjes mësuam se shtëpitë e tyre ishin të gjitha përdhese, të rrethuara me thupra dhe të lyera me llaq.

Uji Dea

Familje muhaxhire kishte edhe në lagje të tjera të qytetit, ku më së tepërmi ishin të koncentruara në Lagjen e Deremëhallës dhe në Lagjen e Balecit, si lagje më të reja, por edhe në lagje të tjera të qytetit. Kështu në Derëmëhallë ishin të vendosur Oranët, Sllamnikët, Tupallët, familja e Rexhep Nallbanit e të tjera.

Sipas disa autorëve, ardhja dhe vendosja e muhaxhirëve në qytetet e Kosovës, jo vetëm që e shtoi numrin e zejeve, por bëri që të flitet më tepër gjuha shqipe dhe u ndryshua deri diku edhe tipi i çarshisë, thuhet në librin e historianit Aliriza Selmani:” Gjilani qendër e Anamoravës nga themelimi deri në gjysmën e parë të shekullit XX”./rajonipress/