United Hospital

Prof. Fadil Shabani, 37 vjet përkushtim në arsim – drejtori që mbajti gjallë frymën profesionale dhe njerëzore të shkollës

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Pas 37 vitesh punë të ndershme e përkushtim në arsim, mbi 14 prej tyre në drejtimin e SHFMU “Nazim Hikmet” në Dobërçan, prof. Fadil Shabani pensionohet në ditëlindjen e tij të 65-të, duke lënë pas jo vetëm një shkollë të zhvilluar, por edhe një kolektiv të bashkuar rreth vlerave të respektit, bashkëpunimit dhe profesionalizmit. I palodhur në punë, i drejtë në qëndrime, energjik në veprim dhe gjithmonë i afërt me kolegët, ai ishte më shumë se drejtor: ishte njeriu që kultivoi besimin, mbajti gjallë frymën profesionale dhe dëshmoi se një shkollë e suksesshme ndërtohet mbi dije, përkushtim dhe humanizëm.

Postimi nga Kolektivi i SHFMU-së “Nazim Hikmet”

Ka njerëz që nuk e matin jetën vetëm me vitet që kalojnë, por me gjurmët që lënë në zemrat e njerëzve dhe në rrugëtimin e brezave të tërë. Drejtori i shkollës sonë, prof. Fadil Shabani është njëri prej tyre. Sot, më 28 tetor 2026, në ditën kur mbush 65 vjet, ai përmbyll edhe një kapitull të rëndësishëm të jetës së tij profesionale, duke u pensionuar pas 37 vitesh përkushtim në arsim, prej të cilave mbi 14 vjet në drejtimin e SHFMU “Nazim Hikmet” në Dobërçan.

UBT - Kosove

I lindur më 28 tetor 1961 në Dobërçan, prof. Fadil Shabani e ndërtoi rrugën e tij profesionale mbi dijen, përgjegjësinë dhe dashurinë për arsimin.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në drejtimin e Kimisë, në vitin 1989 nisi punën si mësimdhënës në shkollën “Nazim Hikmet”. Për shumë vite, ai ndau me nxënësit jo vetëm njohuritë e lëndës, por edhe vlerat e punës, këmbënguljes dhe besimit te mundësitë e secilit. Në kohë të vështira, përfshirë vitet e okupimit dhe periudhën pas luftës, ai qëndroi i palëkundur pranë shkollës dhe misionit të saj, duke kontribuar që drita e dijes të mos shuhej kurrë.

Në mars të vitit 2012, prof. Fadil Shabani mori përgjegjësinë e drejtimit të shkollës sonë. Që nga ajo ditë, puna e tij u përqendrua në krijimin e kushteve sa më të mira për mësimdhënie e mësimnxënie, në zhvillimin e institucionit dhe në hapjen e dyerve të shkollës drejt partneriteteve të reja.

Lista e punëve dhe projekteve të realizuara është shumë e gjatë. Gjatë udhëheqjes së tij u përmirësua infrastruktura e shkollës, u pajisën kabinetet e Kimisë dhe Informatikës, klasat u pasuruan me videoprojektorë e tabela të mençura, u zhvillua biblioteka dhe u gjelbëruan hapësirat e jashtme. Përmes bashkëpunimit me institucione, organizata dhe partnerë vendorë e ndërkombëtarë, u krijuan mundësi të reja për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Nën udhëheqjen dhe mbështetjen e tij, nxënësit e shkollës shënuan rezultate në gara të diturisë në nivel komunal dhe shtetëror, veçanërisht në kimi, matematikë, teknologji informative, robotikë dhe sport. Plani Zhvillimor i Shkollës u vlerësua nga GIZ ndër dhjetë planet më të mira në Komunën e Gjilanit, ndërsa në vitin 2019 prof. Fadil Shabani u nderua me mirënjohje si drejtori më i mirë në shkollat e komunës së Gjilanit.

Megjithatë, vlera e drejtorit tonë nuk matet vetëm me projektet e realizuara, pajisjet e siguruara apo vlerësimet e fituara. Ajo matet edhe me besimin që ka krijuar, me mbështetjen që u ka dhënë të tjerëve dhe me gjurmët e kujtimet që ka lënë pas.

Prandaj, gjithmonë do të kujtohet për qasjen e tij njerëzore, urtësinë, gatishmërinë për bashkëpunim dhe respektin ndaj kolegëve, nxënësve, prindërve e komunitetit. Ai ka qenë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët, ku çdo arritje është ndërtuar me përkushtim, punë ekipore dhe besim në fuqinë e arsimit për ndryshim.

Sot, teksa i urojmë drejtorin për 65-vjetorin e lindjes dhe pensionimin, nuk po shënojmë thjesht përfundimin e një detyre. Po nderojmë 37 vite të një jete të dhënë për shkollën, për nxënësit dhe për të ardhmen e tyre, vite në të cilat breza të tërë kanë kaluar nëpër dyert e kësaj shkolle, duke marrë me vete dije, përvoja dhe kujtime të paharruara.

Mbi 14 vjet në drejtimin e shkollës “Nazim Hikmet”, kanë lënë gjurmë të dukshme në zhvillimin e këtij institucionit, por edhe gjurmë njerëzore që nuk maten me shifra e që nuk do të fshihen me kalimin e kohës.

Në emër të kolektivit dhe nxënësve të SHFMU “Nazim Hikmet”, Dobërçan, i shprehim drejtorit Fadil Shabani falënderimet dhe mirënjohjen tonë më të thellë për gjithçka që ka dhënë me ndershmëri dhe përkushtim.

Faleminderit për vitet e punës, për përgjegjësinë e bartur, për sfidat e përballuara dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në shkollën tonë. Kontributi juaj do të mbetet pjesë shumë e rëndësishme e historisë së shkollës sonë dhe shembull i një jete profesionale të ndërtuar mbi vlera./rajonipress/

Gëzuar 65-vjetorin, drejtor!
Ju priftë e mbara në këtë kapitull të ri të jetës.
Ju urojmë shëndet, qetësi, gëzim dhe shumë vite të lumtura pranë familjes e njerëzve tuaj të dashur.

Me shumë respekt, mirënjohje dhe falënderim,
Kolektivi i SHFMU-së “Nazim Hikmet”, Dobërçan

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.