UBT

Ku është Isa Mustafa?

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Hashim Thaçi po tregon se është më i interesuari për postin e Kryeministrit. Ai po i shfrytëzon në mënyrë efektive vendimet për ngritjen e pagave, krijimin e ushtrisë… për përfitime elektorale, pa pasur një kundërpërgjigje nga opozita. Sidomos, nga ai që konsiderohet rivali i tij kryesor, kreu i LDK’së Isa Mustafa i cili nuk është parë në opinion tash e sa kohë.

Për pak ditë, Kryetari i PDK’së, Hashim Thaçi i ka marrë dy vendime të rëndësishme. Ka vendosur për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe për rritjen e pagave për 25 përqind, për të gjithë punëtorët e punësuar në sektorin publik.

Në gjithë këtë situatë, Lideri i LDK’së, Isa Mustafa ka heshtur. Në fakt, më 27 shkurt, Isa Mustafa ka reaguar ndaj Vetëvendosjes, e cila po vazhdon të bëjë publike keqpërdorimet në Komunën e Prishtinës, e udhëhequr prej pasluftës nga LDK’ja.

Ndërkohë, deputetët e LDK’së, të enjten, reaguan ndaj rritjes së pagave të deputetëve, qeveritarëve dhe Presidentes.

Edhe këtë rast, Kryeministri Thaçi e ktheu në favor të vetin dhe 5.5 milionët e dedikuara për rritjen e pagave për udhëheqësit politik i drejtoi diku tjetër. Themeloi një fond për shërimin e fëmijëve të sëmurë nga kanceri.

Analisti politik, Behgjet Shala thotë se Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, po sillet kujdesshëm për shkak se s’ka zgjidhje tjera se si do të vepronte po të ishte në Qeveri.

“Isa Mustafa duket se nuk është këndej pari hiq sikur të ishte jashtë diku. Por, nuk është normale dikush të reagoj për rritjen e pagave. Isa Mustafa nuk po reagon se e di se nëse del me ndonjë propozim të madh dhe nuk mund ta realizoj. Ai po sillet më kujdesshëm”, ka thënë Shala, për Express, të premten.

Shala e sheh si të pasinqertë refuzimin që deputetët ia bënë rritjes së pagave nga ana e Qeverisë.

Mobi Casa

“Reagimi i deputetëve të Kuvendit të Kosovës është i pasinqertë. Qëndrimi i deputetëve të LDK’së dhe partive tjera është shumë pavend, është cinik dhe nuk është fare i arsyeshëm. Mandati i tyre është në përfundim e sipër dhe kjo është një përpjekje shumë e pamoralshme për me ardh deri te votat sepse zgjedhjet do të jenë shpejt”, ka thënë ai.

Shala konsideron se s’ka asgjë të keqe nga rritja e pagave, por se një rritje e tillë do të duhej të ishte deri në 40 përqind për shërbyesit civilë, ndërsa për ata që kanë pagat e mëdha të ishte deri në 3 përqind.

Ndërkohë, analisti tjetër, Ardian Arifaj thotë se është i habitshëm qëndrimi i LDK’së ndaj zhvillimeve të fundit në skenën politike të Kosovës.

“Është pak i habitshëm qëndrimi kaq pasiv i LDK’së. Por, nuk jam në pozitë të di pse ndodh kjo”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, ai e ka një arsyetim pse partitë opozitare kanë rënë në hije të Qeverisë dhe PDK’së.

“Shumë më shumë janë përplasur LDK’ja, Vetëvendosje dhe AAK me njëra-tjetrën të tregohen se kush është lider i opozitës saqë asnjëherë s’kanë pasur kohë të merren me PDK’në. Kryeministri dhe PDK zotëron shumë më shumë resurse se kushdo tjetër. I krijon një lehtësi për me u duk sa më mirë para opinionit. Sikur kjo puna e pagave. Ka kaluar buxheti vitin e kaluar dhe tash e merr kreditin për veti si Kryetar i Qeverisë”, ka thënë Arifaj.

“Edhe Vetëvendosje s’po sillet ndryshe përveç si një parti që është në fushatë. Çdo ditë po mundohet me paraqit vetën si të mirë e duke treguar dobësitë e të tjerëve”, ka shtuar ai.