Mobi Casa

Kthimi i Ramushit dhe mendimi i ri politik

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nexhat Buzuku- Kthimi i Ramushit është më shumë se një kthim i rëndomtë i njeriut prej internimit, burgut apo lirisë së kufizuar e të ndaluar. Kthimi i Ramushit është një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarin e saj.

Kthimi i Ramushit është fatmirësi e madhe sepse ai paralajmëroi se politika kosovare do të jetë e një vije të re, plotësisht demokratike, e një diskursi të ri politik, që mision dhe mëtim ka punën dhe frymën ndërtuese, optimizmin, shpresën, jetën e re, larg më të mirë, me fjalë pak e shumë punë. Ai që në hapat e parë të kthimit, që kur shkeli tokën e Kosovës, vetëm pak orë më pas, tha se do kursehet nga fjalët, por do punojë shumë.

Ramushi përkushtues, angazhues, frymëzues për shumë të pashpresë, për secilin qytetar, pa dallim, Ramushi plot energji pozitive, me mendim të pasur e të pastër intelektual, me reflektim akademik në qasje ndaj politikës dhe politikëbërjes, Ramushi që nuk sheh as përcepton vetëm zi në vendin e tij, që nuk mbjell defetizëm e pesimizëm, pasivitet dhe jo shpresë e skepticizëm, por zhvillim dhe vizion e perspektivë, ky është Ramushi që i duhet Kosovës, jo vetëm si një lider partiak – por Ramushi si lider shtetëror).
 
Kthimi i Ramush Haradinajt nuk solli vetëm kthimin e një njeriu në vendin e tij, në familjen e tij, në partinë e tij. Kthimi i Ramushit solli në Kosovë mendimin e ri politik, politikë që bazë ka diskursin politik të nivelit akademik, një diskurs politik i veshur me intelektualitet që kapërcen caqet dhe kornizat e partive politike, të zyrave partiake, madje edhe të një lideri partiako-politik.

Kosova prej vitesh vuante nga politika anemike, nga zymtësia dhe mungesa e frymës së re, e shpirtit të ri, që njerëzve u jep shpresë, u ofron optimizëm. Spektri politik i vendit vuante dhe vuan nga mungesa e profilizimit dhe metodologjisë vepruese, të përfshirjes së qytetarit në ndërmarrjen e ndryshimeve, duke e shndërruar atë, qytetarin thjesht në një vegël që flet dhe voton, por duke mbetur larg pjesëmarrjes aktive në jetën politike, hiç një grupi të vogël, që më shumë i shembëllen një organizimi kastash – grupesh të mbyllura indiane, ku as hyhet as dilet, dhe diversiteti i veprimit nuk pranohet, ose konsiderohet armiqësor.

Mirëpo, diçka e mirë erdhi në politikën kosovare, edhe shqiptare. Fjalimet e Ramush Haradinajt së fundmi, pas daljes në liri kanë sjellur lëkundje të fuqishme, të thella e gjithëpërfshirëse në diskursin politik.

Paraqitjet politike dhe debati i fundit televiziv i Ramushit ka instaluar një frymë të re të mendimit politik, një qasje dhe persiatje intelektuale politike, ku në thelbin dhe përmbajtjen e diskursit politik të kultivuar prej vitit 2000 e këtej ka qenë shtyrja me bërryla, perfiditeti, projeksionet e zymta dhe konstruktimi e shantazhi si mënyrë e si qasje, si veprim dhe si sjellje politike.

E, Ramushi e tha shtruar, e kjo që tha ai shkon përtej një porosie verbale. Ai në mënyrën e komunikimit ka shpërfaqur një model të ri në retorikën politike, që kapërcen kufijtë e Kosovës dhe të hapësirës shqiptare. Haradinaj në të gjitha fjalimet, takimet, debatet që pati këto ditë reflektoi një frymë tërësisht pozitive, shtetndërtuese, e mbështetur në kooperim dhe tolerancë të ndërsjellë. Ai duke shpërfaqur sfidat dhe punët që e presin vendin, përçoi mesazhe shprese e optimizmi në zhvillimet që pasojnë.

Ai përshëndeti përfshirjen e Blerim Shalës në ekipin e bisedimeve, dhe mbështeti dialogun si të vetmen mundësi dhe opsion për zgjidhjen e secilit problem a çështje. U bëri të ditur të gjitha subjekteve politike dhe liderëve të tyre, tërë spektrit politik, se është i gatshëm, se ka potencial, fuqi intelektuale dhe energji pozitive për të vepruar e punuar në forcimin e shtetit, në konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve, në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Mobi Casa

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë, as është mirë që të përhap skepticizëm, të krijojë situata frustruese, të prejudikojë, presupozojë e paragjykojë se kjo ose ajo ka marr fund, se Mitrovica është e humbur, se ky e ai nuk bën, nuk është i mirë, se këtë e atë duhet rrëzuar e tjetri duhet me u ngjit në pushtet.

Haradinaj ka nënvizuar se asgjë nuk është e humbur, se kemi punë dhe punët do t’i bëjmë mirë, së bashku. Ndërsa hoqi dilemat e atyre që mund të kenë pritur ashpërsim të spektrit politik, të jetës politike dhe institucionale në vend. Tha: Do të punojmë së bashku. A ka mesazh më të mirë, A ka madhështi më të bukur. A ka qasje më njerëzore. A ka politikë më të mençur. Do punojë me të gjithë, sepse vendi e qytetari kërkon e dëshiron ndryshime, progres, prosperitet, perspektivë dhe ardhmëri. Ndërsa shtoi: Ende nuk kemi konkretizuar lidhur me përbërjen – koalicionin qeverisës, por do ta ndihmojnë e përmirësojnë mënyrën e qeverisjes, gjithsesi më të avancuar e më efikase, siç mëton secili vend i përparuar.

Ramushi në mënyrë krejtësisht të qetë, me një paraqitje të njeriut e politikanit, liderit dhe konstitucionalistit të nivelit akademik shpërfaqi nevojën dhe domosdoshmërinë e definimit të qartë dhe ekzakt të përgjegjësive dhe kompetencave. Ramushi pati një porosi dhe një paralajmërim se si do të duket qeverisja dhe përgjegjësia e detyrimet dhe obligimi i institucioneve dhe zyrtarëve të tyre, të të gjitha niveleve. Në këtë vend secili duhet ta kryej punën e vet, detyrën e vet, me përgjegjësi, korrektësi dhe transparencë. Ka vazhduar tutje: Nuk mund të mësojë mjeku njeriun e politikës se si duhet bërë politika, sepse detyra e tij është ta bëjë punën e tij në spital, shtëpi shëndeti, ordinancë. Dhe: Nuk do të lejohet që ai që ka zënë një vend pune thotë kur takohet me miq a në shtëpi “se isha në punë dhe u knaqa, tërë ditën kam ndejtur”.

Ramushi, prandaj, u ka bërë të gjithëve të ditur se secili zyrtar, në të gjitha nivelet, edhe qytetari i rëndomtë, duhet të kuptojnë se puna nuk është për të ndejtur, por është vend me përgjegjësi dhe do t’u takojë vetëm atyre që e meritojnë dhe e dëshmojnë me angazhimin, përkushtimin dhe vlerat që japin, ndryshe nuk mund të ndërtojmë demokracinë dhe shtetin. E, interesi jetik është vlera dhe puna e sinqertë dhe jo meritokracia dhe politika denigruese dhe humbja e energjisë duke u marr me tjetrin.

Kthimi i Ramushit është më shumë se një kthim i rëndomtë i njeriu prej internimit, burgut apo lirisë së kufizuar e të ndaluar. Kthimi i Ramushit është një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarin e saj. Kthimi i Ramushit është fatmirësi e madhe sepse ai paralajmëroi se politika kosovare do të jetë e një vije të re, plotësisht demokratike, e një diskursi të ri politik, që mision dhe mëtim ka punën dhe frymën ndërtuese, optimizmin, shpresën, jetën e re, larg më të mirë, me fjalë pak e shumë punë. Ai që në hapat e parë të kthimit, që kur shkeli tokën e Kosovës, vetëm pak orë më pas, tha se do kursehet nga fjalët, por do punojë shumë.

Ramushi përkushtues, angazhues, frymëzues për shumë të pashpresë, për secilin qytetar, pa dallim, Ramushi plot energji pozitive, me mendim të pasur intelektual, me reflektim akademik në qasje ndaj politikës dhe politikëbërjes, Ramushi që nuk sheh as përcepton vetëm zi në vendin e tij, që nuk mbjell defetizëm e pesimizëm, pasivitet dhe jo shpresë e skepticizëm, por zhvillim dhe vizion e perspektivë, ky është Ramushi që i duhet Kosovës, jo vetëm si një lider partiak – por Ramushi si lider shtetëror.

Asnjë koalicion qeverisës, asnjë qeveri nuk mund të jetë funksionale pa Ramushin. Republika e Kosovës ka një njeri, ka një lider, ka një burrështetas, ka një shpresë për të gjithë. E ky është Ramushi, njeri i mendimit intelektual, i politikanit intelektual, model i ri në politikën e vendit, nga i cili duhet të mësojmë të gjithë.