KKVITI

Kthetrat e kleptokracisë

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Xhemal Ahmeti – Luftë për licenca e tenderë. Oligarkët rrezikojnë tregun e lirë. Demokracia e kapur nga plutokratët. Shteti – klub grykësish. Askush i pakorruptuar. Shoqëria civile si parashkollë zombi-karrieristësh. Opozitë haraçi dhe kulaçi. Parlamenti përshkruhet si një hordhi piratësh që me dhëmbë e thonj grushtohet se kush do ta kap kockën më mishëplotë. Shteti kosovar, me këto përshkrime, kushtimisht të çon mendjen te anija e Captain Jack Sparrowit në filmin “Pirates of the Caribbean…”. Ky imazh sugjerohet përditë – nga mediat, qytetarët, rrjeteve sociale, nga partitë politike dhe seancave të shpeshta të të akuzuarve me profesion politikani. Është ky një zhvillim normal? Edhe tjerët kanë probleme, madje edhe ata që konsiderohen mostra për të “pazhvilluarit”.

Demokracitë si ajo italiania dëshmojnë se shqiptarët nuk janë as të parët e as të fundit që sa ora nuk ndërtojnë dot shtet. Mjafton një Berluskon që ta shndërrojë shtetin dhe hapësirën publike në big-brother –bordel. Mjafton një klub fare i ngushtë plutokratësh (Blocher, Frey, etj.) që për më shumë se një dekadë ta rrezikojnë sistemin, kulturën politike deri tani të demokracisë më të qëndrueshme helvetike. Le Peni sa herë zgjohet keq e turbullon “grand nationin”-in me racizmin e tij mesjetar.

Skandinavisë qëmoti ulërijnë përbindësha flokëpërpjetë sikur të donin t’ia kalojnë vetë Hitlerit për nga retorika dhe mendësia. E kapja e shtetit nga koncernet, multimiliarderët ekscentrik, sektet dhe zhonglerët financiarë nuk është as gjetje e as mundësi shqiptare – është problem global që fillon të bëjë traditë. Dallimi ndërmjet shtetit kosovar dhe tjerave qëndron në një pikë tjetër esenciale: tek tjerat shteti bën luftë me grykësit e tyre të bordelizuar, kapjet episodike dhe vazhdimisht arrin të shpëtojë, ta mbajë gjallë ligjësinë dhe shpresën për më shumë barazi, mirëqenie e humanitet. Ky kosovari ndërsa as që ia ka nis njëherë të bëhet shtet.

Domethënë nuk i lufton dot fenomenet e këqija sepse fenomen qenka vetë. Se Kosova gjendet në këtë stad nuk janë vetëm oligarkët dhe plutokratët fajtorë natyrisht, mirëpo – sidomos provenienca e majtë kështu – janë më të egërit në thithjen e resurseve shoqërore për interesa të veta. Sa e vërtetë mund të ishte kjo tezë?

FIDANISHTJA

II. Atë që e besonin dhe predikonin Vulgata, Rousseau, Marx-i, Saint-Simon sidomos në shoqëritë pa shtet të konsoliduar del superutopi. Këta ishin kategorikë demokracia të jetë e “vërteta e çdo politike” dhe se industrializimi (mirëqenia, zhvillimi) do ecë në funksion të zgjedhjes së problemit ekonomik, ku ndarja e punës do të evitohet dhe do të krijohet shoqëria e lirë dhe e barabartë për të gjithë. Të drejtë kishte më shumë (së paku deri tani) si duket Ati i liberalizmit ende aktual Aron Raymond që iu jepte të drejtë makiavelistëve kur thoshte: “Asnjë sistem politik nuk mund të parafytyrohet pa oligarki” (Demokracia dhe totalitarizmi: 1970. F.92). Aron nuk besonte se njerëzit do të humanizohen aq sa nuk do të kenë më regjim të prirë nga pak njerëz (=oligarkia), sepse sipas tij është vetë natyra e politikës e tillë ku vendimet merren PËR shumicën e jo NGA shumica. Pra Aron nuk besonte se një ditë modeli i demokracisë së drejtpërdrejtë (Zvicra) ku shumica voton dhe vendos për çështjet substanciale të shtetit do të përqafohet nga shumica e shteteve. Ai mbështeste të kundërtën, pra se demokracia konservative gjermane (ku qytetari vetëm voton njëherë në katër vite dhe aq) është ajo që do të jetë stadi që maksimalisht mund ta mbërrijnë kombet. Tërthorazi ky qëndrim manifeston mosbesimin në arsyen e njeriut. Ose është një teori a la “homo homini lupus” (Plautus+ Hobbes) e formuluar me më shumë instrumente shkencore.

III. Në Gjermani nuk ka mundësi që pakica sunduese të vë diktat absolut, për shkak të mbrojtjeve ligjore dhe shoqërisë së fortë civile. Në vendet tjera ndodhë kjo orë e çast. Në Kosovë është edhe më keq: pamë vazhdimisht se pushteti ishte jo në duar të një pakice, por si tepër shpesh u bë pre e disa personave. Do të ndodhë deri në pakufi. Asnjë qeveri me këto klasa politike nuk ofron garanci. Këta oligarkë vunë nën kontroll edhe tregun gjysmëlegal me ca plutokratë (sundimi i të pasurve), shumica e të cilëve (bashkë me politikanët) nuk u bënë nga diku tjetër ose me rrogat njëmijë eurosh të tillë por brenda vendit të dërmuar nga skamja. Kemi të bëjmë, në fakt, me një klub prej disa personash që kanë monopolizuar tregun për shkak se kanë shtetin dhe nuk i bëjnë llogari ligjet. Dhe siç pamë së fundi; integrimi i të rebeluarve ndodhë nëpërmjet integrimit në klub e nuk është asfare politik. Shteti? Shoqëria? Kosovari i sotëm del si viktimë e dyfishtë; e plutokracisë globale ( e cila mund të rezistohej me ekzistencën e kombit-shtet) dhe kleptokracisë lokale. Kleptokraci (qeveri hajdutësh) për arsye se pasurimi i gjithë këtyre asnjëherë nuk mund të ketë ndodhur brenda një tregu të rregulluar me ligj, të barabartë dhe ku do të kishin drejtë kyçjeje të gjithë e në formë legale. Tenderët, licencat na e zhveshën metodën si kurrë më parë.

IV. Kjo tezë ndoshta na e demonstron edhe arsyen se pse asnjë parti nuk e prek sistemin konservativ gjermanik të demokracisë kosovare për të kërkuar më shumë për bazën. Nga ana tjetër shihet se vetëm me një presion të civilitetit (që mungon absolutisht si protestë dhe korrektore qytetare) mund të ndodhë shteti, ndryshe jo. Shpresëdhënëse janë aksionet dhe vendosshmëria e shumë eksponentëve politikë brenda të gjitha partive e sidomos brenda bllokut të ri që kanë fokusuar me të drejtë luftën kundër kleptokracisë, sepse pa mbytjen e saj s’ka shtet, s’ka ligje e demokraci e liri edhe më hiç. Ajo qeveri që do ta mbys kleptokracinë do të jetë ajo që në histori do të jetë ajo e lirisë më shumë se tjerat!

(Autori është kolumnist i rregull i gazetës Tribuna)