Kryeziu e mbron Isën, shan Sejdiun

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu e kritikon Qeverinë e Kosovës se nuk është duke bërë asgjë për zbutjen e papunësisë dhe zhvillimin e vendit. Kjo qeveri, sipas tij, me shumë po punon për interesat e veta, sesa për popullin. Kritika, ai ka edhe për opozitën. Thotë se kjo opozitë po ia mundëson pozitës që të ndihet shumë komode.
Në një intervistë për gazetën “Tribuna”, Kryeziu i ka dalë në mbrojtje kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Ka thënë se Mustafa nuk ka tendencë për ta ngulfatur LDK-në, ndryshe nga Fatmir Sejdiu i cili kishte tentuar ta bënte një gjë të tillë.
“Jo Isa nuk ka një natyrë diktatoriale, është një njëri që ka autoritet si ekspert i rrethanave, në këtë aspekt Isa është i prerë, por kjo nuk do të thotë se dikujt tjetër nuk po i shkëlqejnë sytë si të maces që dëshiron të vërë kontroll mbi LDK-në, por Isa jo. Një gjë të tillë ka tentuar Fatmiri ta bëjë, duke u munduar ta fusë nën kontroll të gjithë partinë prej zyrës, por kjo gjë ka qenë absurde totalisht”, ka thënë Kryeziu.
Duke folur rreth skandaleve të fundit nëpër disa ministri të Qeverisë së Kosovës, Kryeziu ka thënë se dikush nga ministrat është dashur të shkojë në shtëpi. /Telegrafi/