RCCOLA

Kryeministri i munguar

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Armand Shkullaku – Një milion “shuplakat”, që i përsërit aq shpesh, duket se po e mbajnë në ajër dhe nuk po e lënë të ulet më këmbë në tokë kryeministrin Edi Rama. Ish basketbollisti, ish artisti rebel apo ish kryetari atipik i bashkisë së Tiranës, siç e cilëson shpesh shtypi i huaj, nuk po arrin të ulet në karrigen e kryeministrit dhe të nisë të merret me punët që u ka premtuar jo një milion por katër milionë shqiptarëve. Deri tani, duhen ende edhe disa ditë për të shënuar 100-ditëshin e famshëm, Edi Rama duket sikur po përgatitet të kandidojë për bashkinë e Vlorës dhe jo sikur është kryeministër i Shqipërisë.

Ndonëse ka shënuar një fitore të rëndësishme në zgjedhjet e 23 qershorit dhe ka nisur një mandat të ri, Rama nuk po manifeston ndonjë energji të veçantë pozitive, dëshirë për ndryshime të mëdha, vullnet për punë të pandërprerë. Ai nuk po transmeton as atë optimizëm dhe pasion që ka çdo fillim i ri, e që madje ai vetë e ka pasur të theksuar në sfidat që ka marrë përsipër deri dje. Përkundrazi, kryeministri duket i lodhur pa nisur ende nga puna.

E filloi siç pritej me rregullimin e zyrave, bojërave dhe orendive të zyrave, por edhe me ato nuk u morr vetë siç dikur e ka pasur zakon duke u qëndruar 24 orë mbi kokë ustallarëve të dizajnit. Ndryshoi ca grafika e ca logo, si një drejtues mediash kur merr detyrën e re, dhe asgjë më shumë. Edhe vrulli i pasionit të vjetër për të sofistikuar së paku pamjen nuk është më i pari.

Festimet e ditës së pavarësisë, një rast që Ramës së dikurshëm nuk do t’i kishte ikur pa shpalosur aftësitë e tij dekorative, ishin më shumë se monotone, të zymta, pa ngjyra, pa entuziazëm. Një ceremoni sa për të thënë në Vlorë dhe një klishe demode që shfaqet në çdo 28 nëntor. Artistët dhe personazhet e famshëm shqiptarë në botë që kthehen një natë për të dëgjuar fjalimin e kryeministrit e për të treguar se “duan më shumë Shqipërinë”. Mjerim në ide, trishtim në përsëritje, banalitet në shije. Kryeministri nuk do të ketë pasur nerva për të krijuar diçka tjetër, të freskët e moderne të paktën në dukje, për të bërë diferencën e “rilindjes” me “epokën e shkuar”.

Festa e pavarësisë është një rast simbolik që shpreh qartë kontrastin mes mundësisë për të treguar energjinë e një sfide të re, të një qeverie të re dhe mosinteresimit që e shoqëroi atë. Por nuk është thjesht ky rast. Mungesa e energjive pozitive dhe dëshirës për të ndryshuar vendin është e pranishme kudo. Krahasuar me premtimet e bujshme elektorale, kjo mungesë bërtet edhe më shumë. Çdo fillim i ri do të duhej të ishte optimist, të motivonte bizneset më shumë, të rriste shpresën tek qytetarët, të demonstronte më shumë forcën e ligjit dhe të shtonte besimin te ndryshimi pozitiv. Në fakt nuk ka asgjë të tillë. Zhurmë për ndërtimet pa leje, zhurmë për lojërat e fatit, zhurmë për “pallatin e Bashës” në Vlorë, zhurmë për Shpëtim Gjikën e plot zhurma të tjera, por asgjë e re për punësimin e premtuar, për heqjen e tvsh për ushqimet e shportës, për energjinë apo medikamentet. Asgjë për uljen e krimit, vrasjeve dhe luftën kundër korrupsionit. Një qeveri që erdhi në pushtet duke dhënë alarmin për borxhin e lartë, dhe aktin e parë që bëri ishte rritja e këtij borxhi.

RCCOLA

Një kryeministër që premtoi zgjedhje të lira dhe u kap në flagrancë në Korçë duke bërë pikërisht atë për të cilën kishte akuzuar kundërshtarin. Një politikan i majtë që flet për Shqipërinë e pastër dhe që turizmin e ka shpallur një prej tre shtyllave të ekonomisë, që është i gatshëm të pranojë armët kimike të Sirisë nëse këtë do ta kishin bërë edhe dy vende të tjera evropiane. Këto duken çështje të mëdha, por qeverisja sa për të thënë dhe mungesa e vullnetit duken edhe në shumë raste të tjera. Kryeministri as me angazhimin e tij për të ndarë mandatin e deputetit nga ai i ministrit nuk ka nge të merret. Nuk po merret as me bëmat në tatime e dogana, të cilat premtoi se do t’i bashkonte në një administratë të vetme. Legalizimet falas, pronat, shëndetësinë…

Ky është fillimi më i zymtë i çdo mandati qeverisës në Shqipëri. Ky ndoshta është rasti i vetëm ku mbështetja e opinionit publik për një kabinet që sapo ka nisur nga puna është në kuotat më të ulëta. Qeverisë më shumë duket sikur i ka mbetur në dorë qeverisja sesa e ka dëshiruar atë për të ndryshuar apo rilindur Shqipërinë. Më shumë po flet se si kanë qeverisur paraardhësit se sa po angazhohet në punët e veta.

Në një qeveri, vullneti i kryeministrit është themelor për të vënë në lëvizje gjërat. Por ai nuk arrihet as me dreka në restorante e as me batuta në facebook. Edi Rama nuk po arrin të shkëlqejë dhe shkëlqimin e tij t’ia përcjellë mazhorancës që drejton. Ndoshta për një ish-basketbollist apo ish-artist, sfida mbaron kur arrin rezultatin apo objektivin, pjesa tjetër nuk ka më rëndësi. Rama u bë kryeministër, vazhdimi nuk e frymëzon, nuk e eksiton më tej. Të vetmet reflekse që i kanë mbetur si ish-kryetar bashkie janë shfaqjet që jep herë pas here në Vlorë. Por janë shumë pak për një kryeministër dhe për një vend në prag të krizës.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)