RCCOLA

Kriminaliteti, infrastruktura dhe Gjilani!

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Alban Hyseni – Duke e ditur faktin që në masën, zhvillimin dhe nivelin e kriminalitetit ndikojnë shumë faktorë, në vazhdim do të trajtojë disa çështje që kanë influencë të rëndësishme në kriminalitet.

Në qytetin e Gjilanit, krenaria më e madhe (ndoshta si në çdo komunë tjetër ku udhëheq PDK-ja e po ashtu edhe në nivelin qendror) është ASFALTI!

Sipas të dhënave zyrtare të komunës së Gjilanit, në asfaltimin e rrugëve në qytet, në fshatra si dhe në rrugët e rendit të tretë, janë shpenzuar 18.313.037 euro!

Kur e paramendojmë këtë shifër dhe shohim gjendjen e rrugëve në disa pjesë të qytetit, atëherë nuk mund të shmanget pyetja se ku me të vërtetë janë shpenzuar këto para?!
Fshati Kravaricë, siç e quan miku im, “Rahoveci i Gjilanit” për shkak të pemëtarisë së zhvilluar, është njëra nga tri zonat e vetme që tash e disa vite kanë marrë premtimin e udhëheqësve komunal se do t’ua rregullojnë dhe asfaltojnë rrugën, por ai fshat prapë është në atë gjendje, me 6 km rrugë të paasfaltuar edhe pse shifrat e zyrës së kryetarit të komunës thonë se në asfaltimin e rrugëve në fshatra janë investuar mbi 12 milionë euro!
Por, për të sqaruar problemin e rrugëve duhet të kthehemi prapë në rrugët brenda qytetit të Gjilanit!

Së pari, rruga në lagjen e Dheut të Bardhë, vend ky që është shumë i frekuentuar. Në atë pjesë ku filluan disa punime kohë më parë të cilat për t’u kryer duhej që rruga të pritej dhe kështu pasoja për shumë gjilanas dihej! Ajo rrugë tash e një kohë të gjatë ka mbetur e parregulluar, ku përveç gjendjes së rënduar për banorët e asaj ane, kolonat e mëdha të veturave,pluhurit, e kur bie shi edhe grumbullimit të madh të ujit si dhe së fundmi edhe prishja graduale e pjesëve tjera të asaj rruge për arsyen se një pjesë është prerë e nuk është rregulluar kurrë më!

Gjatë sezonit veror edhe numri i veturave dhe i njerëzve për shkak të ardhjes së bashkatdhetarëve tanë nga jashtë dihet që rritet mjaft!Pritjet e gjata, gjendja e rrugës së lartpërmendur, papastërtia, uji i grumbulluar që pamundëson ose të paktën vështirëson lëvizjen e gjilanasve të kësaj ane (atëherë kur bie shi), kanë edhe ndikimin psikologjik te njerëzit,duke bërë që edhe problemet, zënkat, rrahjet, ndeshjet mes veturave që mund të rezultojnë edhe me lëndime të ndryshme e së fundmi edhe pasojat në dëmtimin e veturave të jenë të paparashikuara! Literatura e kriminologjisë tregon qartë lidhjen ndërmjet hapësirës së ngushtë dhe rritjes së zënkave!

Së dyti, e që kjo do të jetë edhe me rëndësi më të madhe, kemi gjendjen e rrugës në lagjen “Arbëria”, gjegjësisht aty ku fillojnë edhe varrezat e qytetit. Dita ditës kjo lagje po shndërrohet në një GHETO që e njohim nga filmat e ndryshëm mbi gangsterët, ku të rinjtë e qytetit jo që po përkrahen e po drejtohen rrugëve që duhet (drejt shkollimit, edukimit, kulturës!!!) por, atyre po iu ofrohen kushtet për aktivitetet e ndryshme si pirja e duhanit, konsumimi i narkotikëve të ndryshëm si marihuana, heroina,kokaina etj. Këto sjellje kontrakulturore po zhvillohen në mbrojtje aq të lartë sakaq të rinjtë nuk duhet të brengosen fare se mund të shihen apo të zbulohen nga ndokush!

Uji Dea

Sidoqoftë, e gjitha kjo fillon nga ajo rrugë e ÇKYER! Disa me tranga ajo rrugë gjendet njëri nga investimet e dështuara të qeverisjes në qytetin e Gjilanit. Ky është parku e që për fat të keq është i lidhur me oborrin e shkollës fillore “ABAZ AJETI”. Ky park, jo që nuk shërben për qëllimin e destinuar, por shërben për një qëllim të cilin pikërisht në shikim të parë duhet komuna ta luftojë! Gjitha ato aktivitete që e shkatërrojnë një paraadoleshent dhe adoleshent, që i prishin të ardhmen, zhvillohen pikërisht në atë park! Në këtë pjesë të qytetit mungon edhe ndriçimi publik! Kombinimi i këtyre dy elementëve: 1) infrastrukturës së dobët, dhe 2) mungesa e ndriçimit.

Frika e ecjes dhe qeverisja indiferente e autoriteteve komunale të Gjilanit

Një lokacion i tillë si parku i lartpërmendur dhe afërsia e tij me varrezat e qytetit mund të quhen parajsë dhe vendburim i zhvillimit dhe kultivimit të aktiviteteve të kundërligjshme! Kjo hapësirë që po ofrohet për aktivitetet e lartpërmendura, jo që vetëm ndikon në shtimin e krimit, delikuencës, narkomanisë, si rreziqe kronike të shoqërisë, por ka edhe dy efekte tjera: njëri efekt është psikologjik që ndikon te banorët e kësaj pjese të qytetit, duke i bërë ata që të mos ndihen të sigurt të kalojnë në atë rrugë, sidomos gjatë natës dhe, tjetri e që është shumë më negative, afërsia e këtij vendi me shkollën fillore “Abaz Ajeti”, vend ky që ka numër shumë të lartë të nxënësve, e të cilët mund të ndikohen nga kultura dhe aktivitetet që zhvillohen rreth saj e kështu të viktimizohen nga persona të papërgjegjshëm e të cilët edhe vetë ka mundësi që të jenë viktimizuar në po këtë mënyrë! Prezencë ajo e lartë e shërbimit policor në këto vende është edhe një indikator tjetër që shërben për akomodimin dhe mbjelljen e shkelësve të ligjit dhe normave të shëndetshme shoqërore!

Nga përvoja si banor i lagjes në fjalë dhe nga një hulumtim shkencor i bërë për “Frikën nga Kriminaliteti në Gjilan”, mund të konstatoj me plot përgjegjësi se gati 90% e të anketuarve në pyetjen se a ka ndonjë pjesë të qytetit që nuk do të donin (që do të frikësoheshin) ta kalonin vetëm natën, janë përgjigjur me “PO”, e kjo pjesë sipas tyre është rruga që kalon mes “VARREZAVE DHE PARKUT”!!! Nuk është e saktë se kjo frika nga varrezat është vetëm problem bestytnie kulturore e ruajtur dhe mbajtur si besojmë nga traditat, kulturat e lugetërve e vampirëve, por lidhet direkt me aspektin infrastrukturor, urban dhe hapësinor.

Siç shihet pra, ndriçimi publik, si dhe eliminimi (ose të paktën përshtatja e ambientit, e që në kriminalistikë dhe në praktikën e vendeve të huaja njihet edhe metoda e lyerjes së mureve me ngjyrë të bardhë) i vendeve të fshehta dhe të errëta,ka ndikim në uljen e kriminalitetit, në uljen e zhvillimit të aktiviteteve kriminale si dhe në fund ndalon procesin e viktimizimit me atë që në viktimologji njihet si viktimizim përmes metodës së emetimit!

Pra, në komunën e Gjilanit, jo vetëm që nuk është investuar dhe bërë ajo që është premtuar, por edhe në ato raste kur është bërë ndonjë investim, ai është bërë pa u menduar mirë e që pasojat e atyre keq investimeve tani po dalin në shesh, e që është më e keqja se po prekin pjesën më sensitive të shoqërisë sonë. Ata janë të rinjtë dhe fëmijët tanë dhe përmes klishesë i quajmë me retorikë boshe E ARDHMJA JONË, ndërsa në praktikë nuk bëjmë bash asgjë!Ky fenomen tani për tani mund të mos duket alarmant dhe për ndërhyrje emergjente, por do të bëhet pas pak kohe kur ata fëmijë e të rinj do të thellohen në këto dukuri e do të bëhen problem dhe barrë e familjeve, shoqërisë,komunës e shtetit.

Ajo se çfarë duhet të bëjmë ne është që parat që janë në dispozicion, t’i shfrytëzojmë për qëllimin e destinuar e jo në darka e dreka,jo në rrugëtime zyrtare e shpenzime tjera të luksit pa përfitime konkrete për komunën. Këto para dhe me pak vullnet politik, e një troh poashtu kreativitet,do të duhej të eliminojmë dukuritë negative, për të drejtuar rininë drejt kulturës, sportit dhe aktiviteteve tjera të dobishme për ta e për ne si shoqëri.