Mobi Casa

Deklaratat e Kurtit dhe Sveçlës për pagat e Njësisë elitare të Policisë ngjallin reagime të ashpra nga opozita e analistët

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Deklaratat e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, e më pas edhe të kryeministrit Albin Kurti, për të ardhurat e Njësisë elitare të Policisë së Kosovës, kanë ngjallur reagime të ndryshme.

Partitë opozitare por edhe pjesëtarë nga shoqëria civile i kanë marrë me dyshime këto deklarata nga Qeveria.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, në “Debat Plus” ka thënë se deklarata e Sveçlës është sikur të ishte shkruar nga dikush andej kufirit (me Serbinë) e jo nga një ministër i Kosovës.

“Është shumë e rëndë çka ka shkruar ministri i Brendshëm”, ka thënë Qalaj.

“Kurrë Policia e Kosovës nuk është më keq me pajisje, as në vitin 2008, as 2009, as 2010, as sot. Është e vërtetë që i kanë blerë disa autoblinda. Është e vërtetë që i kanë blerë një pjesë të uniformave, por të tjerat janë llom. Sot Policia që e shohim përditë nuk ka këpucë dhe kjo është fakt. Që tri vite s’ka marrë këpucë. Jelekët antiplumbë Policia e Kosovës si ka marrë donacion nga Maqedonia e Veriut, kurrë s’ka ndodhur. Ne përpara kemi qenë Amerikë për Policinë në rajon. Edhe për ka aspekti logjistik, edhe nga aspekti i pagës dhe nga aspekti profesional”, ka shtuar tutje Qelaj.

Analisti Dibran Hoxha ka thënë se kompensimet për angazhimet shtesë nuk janë dhuratë për Policinë e Kosovës, por rezultat i punës së tyre jashtë orarit.

“Kompensimet për angazhime shtesë nuk u janë falur nga qeveria, por me punë e kanë arritur atë angazhim. Nuk mund të merret mesatarja e një muaji për të thënë që policët paguhen 2,200 euro. Nëse do ashtu, merre mesataren e komplet vitit”, ka deklaruar Dibran Hoxha.

Eco Higjiena

Edhe analisti tjetër Ylli Hoxha, mendon se të ardhurat e Njësiteve elitare të Policisë nuk janë të dinjitetshme.

“Unë ju garantojë se një numër i madh i këtyre njerëzve që punojnë në njësitet elitare mund të sigurojnë të ardhura shumë më të larta nëse bëjnë ndonjë punë tjetër në sektorin privat, me përgatitjet që kanë. Por shtetit të Kosovës i ka kushtuar shumë trajnimi dhe përgatitje profesionale e këtyre njerëzve. Ai njësit nuk guxon të trajtohet në këtë mënyrë. Vet skandal në vete është se si ka ardhur deri te debatimi. Ata njerëz as nuk guxon të dalin në publik e të shihen e numërohen këta njerëz”, deklaroi Ylli Hoxha.

Derisa analisti Imer Mushkolaj, e ka cilësuar manipulim deklarimin e kryeministrit, Albin Kurti, se shumë pjesëtarë të Policisë ja kanë kaluar Presidentes me paga këtë vit.

“Kurti po manipulon. Po thotë janë 203 policë që sivjet patën të ardhura më të lara se të Presidentes. Kur po i thotë të ardhurat e Presidentes po ia thotë veç pagën bazë prej 1,890 euro. Sa i ka të ardhurat Presidentja o zotni, ku i ka mëditjet, ku i ka shtesat. Policëve po ja u llogarit pagën me shtesa, e Presidentes vetëm atë bazë pa shtesa”, ka shtuar Mushkolaj.

Ndryshe, si Kurti ashtu edhe Sveçla sot kanë deklaruar se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të NJSI sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat).

Kurti shkoi edhe më tej duke thënë se 203 policë të Kosovës sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës./Telegrafi/