ARKATANA

Krimi me universitetet

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Një ndër sektorët më të shkatërruar dhe më të keqpërdorur nga qeverisja e PDK-së, është arsimi universitar. Në mënyrë të paprecedentë, qeveria Thaçi gjithnjë manipuloi me studentët dhe arsimin e lartë në përgjithësi, duke i parë ata gjithnjë vetëm si numra e vota, por asnjëherë si potencial për zhvillimin e Kosovës.

Vendi ynë, me një përqindje aq të lartë të qytetarëve me moshë të re, ka pasur mundësi që tërë këtë potencial njerëzor vërtetë ta shfrytëzojë si përparësi të madhe në krahasim me vendet në rajon dhe më gjerë. Mirëpo, politizimi i tejskajshëm i universitetit rezultoi me shkatërrim të çdo mundësie që në këta tempuj të dijes të ofrohet cilësi e arsimimit të brezave të ardhshëm. Në këtë mënyrë, nuk bëhej krim vetëm me universitetet, por me të gjitha fushat e tjera, sepse nuk prodhoheshin kuadro të përgatitura as për drejtësi, as ekonomi, as mjekësi, e as fusha të tjera esenciale për zhvillimin normal të një shoqërie e një shteti.

Duke i parë institucionet e arsimit të lartë jo si tempuj të dijes, por si tempuj të votave, qeveria Thaçi hapi universitete publike pa kurrfarë kriteri e kushti, dhe tani ballafaqohemi me universitete anekënd Kosovës që nuk kanë as staf të mjaftueshëm akademik e as mundësi për të ofruar kualitet në arsim, duke dëmtuar kështu studentët të cilët kërkojnë mundësi për të fituar dije dhe diploma të cilat u mundësojnë punësim. Përkundrazi, përkundër diplomave që jepen, ata përfundojnë rrugëve pa ndonjë mundësi punësimi, duke ju bashkuar kështu qindra mijëra të rinjve të cilët përkundër përfundimit të studimeve nuk kanë asnjë perspektivë në shtetin e tyre, por vetëm kërkojnë mundësi për t’u larguar nga Kosova në ndonjë vend tjetër ku mund t’a sigurojnë mbijetesën. Zhvillimet e fundit në universitet, me protestat në Universitetin Publik të Prishtinës vetëm e konfirmuan se interesi i studentit nuk ishte asnjëherë në qendër të vëmendjes së kësaj qeverie dhe të njerëzve të saj që i kishte instaluar në çdo celulë të arsimit të lartë. Por, kjo po konfirmohet sërish këto ditë me fushatën paraelektorale të Kryeministrit Thaçi, i cili e ka nuhatur drejtë se do të humbasë zgjedhjet e ardhshme nacionale, dhe po tenton që sërish të keqpërdorë studentët për të siguruar vota për PDK-në.

Eco Higjiena

Fushata e këtyre ditëve që po e bën kryeministri Thaçi po bëhet pa zgjedhur mjete, dhe fatkeqësisht, sic e thashë në kolumnën e javës së kaluar, po bëhet në dëm të taksapaguesve të Kosovës, sepse po keqpërdorë asetet publike, gjë që është në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Kosovë. Qeveria e PDK-së, duke qenë të korruptuar vetë, po mendojnë se mund të përdorin mjete korruptuese me të gjitha kategoritë e qytetarëve të Kosovës, përfshi edhe studentët. Në një vizitë që Thaçi kishte në Universitetin Publik të Prizrenit ai në mënyrë të hapur bëri fushatë për PDK-në, duke kërkuar nga studentët që vendimin për ta ulur shumën e pagesës semestrale ata ta shpërblejnë me votë për PDK-në. Lidhja Demokratike e Kosovës në një reagim ka dënuar këtë tentim për manipulim masiv të qytetarëve dhe në veçanti të studentëve nga ana e PDK-së dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos mashtrohen nga premtimet e kota të atyre që e rrënuan vendin dhe që nuk mund të shpëtojnë asgjë në fund të mandatit të tyre. Krimi që PDK ka bërë dhe po vazhdon ta bëjë me universitetet nuk mund të lahet me asnjë vendim për të ulur shumën e pagesës semestrale e as shpenzimet e tjera të studentëve. Këto tentime për të manipuluar me studentë e me qytetarë do të jenë të fundit për keqqeverisjen e PDK-së.

(Autorja është anëtare e kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)