Krasniqi nuk mori kurrë përgjigje nga EULEX

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Ndonëse janë bërë më shumë se një muaj, kur Prokuroria e EULEX-it ka intervistuar kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, si të dyshuar për krime lufte, ajo ende nuk ka konfirmuar se deri ku ka shkuar procesi për rastin e tij.

Burimet e Publiku.net të afërta me rastin, kanë thënë se, EULEX-i ende nuk i ka kthyer përgjigje kryeparlamentarit për hapat që i ka ndërmarrë apo do t’i ndërmerr në lidhje me rastin.

“Ende nuk dihet se çfarë ka ndodhë me rastin e kryeparlamentarit, kanë pushuar hetimet ndaj tij apo jo”, ka thënë burimi.

Uji Dea

Krasniqi është intervistuar në EULEX në lidhje me deklarimet e një dëshmitari të mbrojtur se kinse ai kishte qenë i përfshirë në një rast torturimi në Likoc të Drenicës.

Avokati i Krasniqit, Mexhid Syla kishte thënë se, pretendime e EULEX-it janë të pabaza. Krasniqi është akuzuar pikërisht nga dëshmitarët, në bazë të deklaratave të të cilëve është ngritur aktakuza e dytë ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi dhe tre të tjerëve, për tortura fizike dhe psikike ndaj dy personave, të cilët ishin mbajtur në qendrën e ndalimit në Likoc.

“Një nga ushtarët që është prezantuar si ‘Jakup Krasniqi’ ia kishte prerë buzën Dëshmitares A me thikë”, thuhet në aktakuzën e EULEX-it, duke shtuar se motrat dëshmitare të mbrojtura, thonë se “Jakup Krasniqi” ua kishte prerë të dyja vajzave flokët me thikë. Jakup Krasniqi, gjatë luftës në Kosovë, ka qenë zëdhënës dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.