Fundamenti

Kosovari drejtor i gjithanshëm i agjensisë Associated Press për rajonin

/ 3 minuta lexim

Fisnik Abrashi, një korrespodent dhe redaktor i një prej agjensive më të mira të lajmeve në botë, “Associated Press”, i cili ka mbuluar luftra dhe periudhat pas tyre në tri kontinente, është emëruar Drejtor i Lajmeve të të Gjitha Formateve për Europën Qendrore dhe Lindore.

Ai do të jetë përgjegjës për drejtimin e mbulimit me video, foto dhe tekste të një rajoni që shtrihet nga Ballkani deri në Poloni.

Emërimi u njoftua ditën e premte nga udhëheqja redaksionale e AP-së në Londër: Derl McCrudden, kreu i mbledhjes së lajmeve ndërkombëtare për AP Television News; Tony Hicks, redaktori rajonal i fotografive për Europën dhe Afrikën si dhe Redaktori i Europës, Niko Price.

“Një udhëheqës i vetëm për raportimin për me video, foto dhe tekste do t’i mundësojë AP-së që të gdhendë histori të cilat rrëmbejnë vëmendjen pavarësisht se në çfarë platform bëhet transmetimi, në shtyp, internet apo në celularë”, tha McCrudden.

Abrashi do të vendoset në Pragë nga do të udhëheqë ekipin e AP-së për Europën Lindore e Qendrore në mbulimin e politikës, ekonomisë, sigurisë çështjeve sociale dhe jetën e përditshme të 13 vendeve.

“Mezi po presim të shohim sesi Abrashi do të fusë në punë vizionin e tij për një mbulim agresiv të një prej rajoneve më dinamike të Europës”, tha Price.

Mobi Casa

“Abrashi gërsheton aftësinë për të gjykuar në mënyrë të jashtëzakonshme lajmet në të gjitha formatet me një njohje të thellë të rajonit”, shtoi Hicks.

37-vjeçari shqiptar filloi të punonte për AP në vitin 2000, në vendlindjen e tij në Kosovë, ku ai ndihmoi në mbulimin e periudhës së pasluftës, që solli tërheqjen e forcave serbe nga ish-krahina autonome e Jugosllavisë. Ai më vonë punoi për tre vite në Afganistan ku ndihmoi në mbulimin e zgjerimit të kryengritjes së Talibanëve, rritjen e prodhimit të drogës dhe ftohjen e marrëdhënieve ndërmjet udhëheqjes afgane dhe mbështetësve të saj perëndimorë. Që prej vitit 2010 ai ka qenë redaktor në selinë qendrore europiane të AP-së në Londër.

Abrashi ka udhëtuar për misione gazetarie të AP-së nëpër gjithë botën, duke përfshirë edhe ndjekjen nga afër të konfliktit në Irak, zgjedhjet e para pas luftës civile në Sri Lanka, apo Kupën e Botës në Afrikën e Jugut në 2010.

Përpara AP-së, Abrashi ka punuar për BBC-në dhe për gazetën “Koha Ditore” në Kosovë.

Ai ka një gradë master në Studimet e Europës Lindore e Qendrore nga University College në Londër dhe flet shqip, serbo-kroatisht si dhe pak bullarisht, maqedonisht dhe sllovenisht./Illyriapress/