Vali Ranch

Kosova vs. Serbia, kush më e fortë?

/ 4 minuta lexim

Nga Naser Sertolli – Metoda më e mirë dhe pothuajse e vetmja e të dy palëve për ta arritur këtë janë – provokimet. Ose më saktë – matja e forcave. Jo në planin ushtarak, as çfarëdo që ndërlidhet me sferën e sigurisë, por ato rreth asaj se a guxojnë ose jo, apo a munden a jo, autoritetet kosovare ta ndalojnë një zyrtar serb të vijë në Kosovë.

Meçi i parë i këtij lloji është zhvilluar më 17 të këtij muaji. Reprezentuesi i Beogradit, Aleksandar Vulin, pas një manovrimi dhelparak, i ka dhënë goditje pothuajse fatale kundërshtarit – Qeverisë së Kosovës.

E mira e kësaj pune është se meçi nuk ishte në mesin e kategorive të rënda. Sa, për shembull, ai i radhës Daçiq-Kuçi. Ky i fundit, para se të vinte dita për të dalë në mejdan kishte dhënë fjalë të forta. Shumë të forta. Po të krahasohen me forcën ushtarake, të mbushej mendja se ai ishte kryekomandanti i Shteteve të Bashkuara.

Ose me forcën e ndonjë sporti luftarak, për shembull të boksit, thua ti që ka forcën e Vitali Klitchkos. E kur erdhi momenti i së vërtetës, Kuçi jo që nuk u bë i gjallë, por u përhap fjala se kërkonte të tjerë për ta zëvendësuar në dyluftim. Dikush që do të mundë t’ia mbronte fytyrën.

Në ndihmë nuk i doli as “baba”. I bindur paraprakisht për turpërimin me të cilin do të përballej, ky i fundit i duartrokiti përformancës së “buckos” së lindur në Prizren, e me të cilin ka shpeshtuar takimet.

Radha është për një matje tjetër të forcave. Protagonistë janë Bajram Rexhepi dhe sërish Aleksandar Vulin. Ministri i Brendshëm i Kosovës paralajmëroi se do ta arrestojë ministrin serb pa portofol nëse edhe një herë i mbushet mendja të hyjë “ilegalisht” në Kosovë, si më 17 tetor. Fjala ilegalisht me thonjëza sepse e kemi vetëm një version, atë të Prishtinës, për këtë çështje.

Fidanishtja

Ndoshta ai ka hyrë nëpër ndonjërën prej pikave kufitare në veri pa u legjitimuar nga askush, sikur edhe shumë bashkëkombës të tij që hyjnë e dalin pa brengën se dikush do t’ua kërkojë dokumentin e identifikimit. Ndërsa, retorika e Rexhepit u vlerësua e “papranueshme” nga Beogradi zyrtar.

Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte paralajmëruar se do të vinte të mërkurën në Kosovë, ka shtyrë me gjasë për pak ditë këtë vizitë. Arsyeja: nuk mund ta pranojë faktin që të arrestohej Aleksandar Vulini, me të cilin kishte plane t’i binte Kosovës kryq e tërthor. Kështu, të paktën, u kishte premtuar disa serbëve të Kosovës të mbledhur para qeverisë në Beograd.

Me këtë zmbrapsje eventuale, Vuçiq i bën të fryhen si “çurani”, pra të ndihen fitimtarë, disa në Prishtinë. Por, si zakonisht, ky “triumf” nuk zgjat shumë. Ngase, si gjithherë, do të gjendet një marrëveshje që do të kënaqë të dy palët.

Vuçiqi me shokë do ta realizojë premtimin, pra do të vizitojë serbët kosovarë (para ditës së zgjedhjeve – 3 nëntorit), kurse Qeveria e Kosovës do të kënaqet me faktin se ia ka arritur së paku t’ia prishë itinerarin ish-njeriut më besnik të fashistit dhe antishqiptarit më të madh, Vojisllav Sheshel. Dhe, nëse rastësisht arrijnë t’ia ndalojnë hyrjen Aleksandar Vulinit, pushtetarët tanë do të fluturojnë nga gëzimi, nga mburrja.

Dhe, një marrëveshje e tillë e supozuar, që do të kënaqte të dy palët, do të vinte kinse pas ndërmjetësimit e sugjerimit të “miqve ndërkombëtarë”. Emra të përveçëm nuk do të përmenden. Mjafton që ata janë nga “Brukseli e Uashingtoni”.

Shyqyr o Zot që qeveritarët tanë i kanë këta “miq”. Përndryshe, çfarë do të thoshin kur anëtarë të kabinetit serb vijnë e “tarahenen” kur e ku të duan nëpër Kosovë, e ata s’do t’i pyeste kush, si shumë herë të tjera deri më sot?!!!