RCCOLA

Kosova, një vend i varfër i njerëzve të pasur

/ 9 minuta lexim
Eco Higjiena

Në Kosovë isha për herë të parë në tetor të vitit 2007, por asokohe qëndrova vetëm një natë dhe një paradite, rrugës për në Shkup, ku ekipi kombëtar kroat i futbollit luante ndeshjen kualifikuese me Maqedoninë. Ishte kjo katër muaj para shpalljes së Republikës së Kosovës. Edhe pse në ndërkohë shtetin e ri e njohën gati njëqind shtet, regjimi serb në kufi me Kosovën nuk ka ndryshuar aq shumë.

Fotot: Nenad Čakić

Në Kosovë isha për herë të parë në tetor të vitit 2007, por asokohe qëndrova vetëm një natë dhe një paradite, rrugës për në Shkup, ku ekipi kombëtar kroat i futbollit luante ndeshjen kualifikuese me Maqedoninë. Ishte kjo katër muaj para shpalljes së Republikës së Kosovës. Edhe pse në ndërkohë shtetin e ri e njohën gati njëqind shtet, regjimi serb në kufi me Kosovën nuk ka ndryshuar aq shumë. Në të vërtetë, kur të mbërrini në kufi ju duhet që automjetin ta ndalni njëqind metra para kalimit dhe të prisni derisa t’ju thërras oficeri i policisë serbe. Nëse nuk veproni kështu, dënimi është 200 euro. Ai mund t’ju thërras menjëherë, ose pas gjysmë ore, pavarësisht asaj që mund të jeni njeriu i vetëm në kufi. Dallimi me gjashtë vite më parë është se ky vendkalim tani njëmend i ngjan një vendkalimi (përpara, nga ana serbe ndodhej vetëm një kontejner), megjithëse Serbia zyrtare ende nuk e njeh si një kufi shtetëror.

Për serbët, kufiri është inekzistent

Kjo gjë mund t’iu shkaktojë probleme shtetasve të huaj që nga Serbia në Shqipëri udhëtojnë përmes Kosovës – siç ishte rasti edhe me shoqërinë time. Fatmirësisht, para udhëtimit u informuam mirë, kështu që në kufirin mes Kosovës e Shqipërisë e lutëm policin kufitar shqiptar që të mos na vejë vulë në pasaporta. Po ta bënte këtë, do të na duhej që nga Shqipëria të kalonim në Maqedoni, e tek pastaj të hynim në Serbi. Në të kundërtën, kur të ktheheshim në shtëpi, nuk do të mund të dilnim nga Serbia, sepse s’do të mund të dëshmonim që kishim hyrë në Serbi. Në fakt, do të kishim vula shqiptare, por jo edhe serbe, që për ta do të nënkuptonte se në Serbi kemi hyrë ilegalisht. Absurde, por kokëfortësia serbe për sa i përket Kosovës po zbutet tepër ngadalë. Në këtë kontekst, është interesant që në Serbi bllokohen edhe telefonat celularë shqiptarë. Çdokush që ka një numër shqiptar (gjegjësisht slloven ose frëng – sepse, për shkak të bllokadës së Serbisë, Kosova ende s’ka numër thirrës, andaj telefonat celularë ende janë të lidhur me numrat thirrës të vendeve prej nga vijnë pronarët e operatorëve mobilë të Kosovës) që nga kufiri kroato-serb e deri te ai serbo-kosovar nuk ka fare sinjal.

Para udhëtimit në Kosovë, lexova diku se Serbia edhe zyrtarisht ka dalë nga recesioni, dhe se, sipas informacioneve të Agjencisë Kosovare të Statistikave, 44.9 përqind e popullatës së Kosovës është e papunë.

Por, në Kosovë e kuptova për herë të parë se statistikave nuk duhet besuar gjithmonë. Kështu, përderisa Serbia – pavarësisht daljes nga recesioni – dukej depresive dhe e zymtë, Kosova ishte një botë krejt tjetër.

Në Kosovë nuk vlen asnjë politikë ekonomike, këtu nuk qëndron asnjë teori makroekonomike, dhe asgjë që një student mëson në Fakultetin Ekonomik këtu nuk gjen aplikim. Shkurt, gjendja reale ekonomike në Kosovë i sfidon të gjitha teoritë, shkencat dhe statistikat.

Pra, zyrtarisht (dhe statistikisht)Kosova është një prej vendeve më të varfra në Europë, por, praktikisht, në shtetin më të ri evropian jetohet më mirë se në vendet më të pasura të Unionit.

Në Kosovë po ndërtohet si askund tjetër në Europë, njerëzit janë vazhdimisht në njëfarë lëvizje, e në çdo hap shihet njëfarë lloj ngutie, një energji dhe eutrofi e veçantë.

Gjithçka në Kosovë është fitimprurëse

Përderisa tek ne lokalet afariste janë të zbrazëta e zyrat mbyllen përditë,gati nën secilën shtëpi familjare në Kosovë ndodhet nga një dyqan.Përderisa tek ne bizneset që ‘punojnë’ mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, tregu në Kosovë sikur është i uritur për shërbime, prodhime dhe ide.

Arsyeja është fare e thjeshtë. Për shkak të shkallës së natalitetit, Kosova ka bindshëm popullatën më të re në Europë, kurse secila familje ka të paktën 5-6 meshkuj të aftë për punë, të cilët, për shkak të traditës disa-dekadëshe të imigracionit, lehtësisht shkojnë në vendet e Unionit, dhe atje punësohen edhe më lehtë. Veç kësaj, për dekada të tëra shqiptarët e Kosovës nëpër vendet tjera i eksportojnë edhe zanatet e tyre, para së gjithash, argjendarinë, punimin e ëmbëlsirave dhe tregtinë, kështu që shumë kosovarë posedojnë biznese fitimprurëse private jashtë vendit.

Kur kësaj t’ia shtojmë edhe solidaritetin tradicional shqiptar dhe lidhjet familjare, të cilat i kanë vetëm edhe hebrenjtë, atëherë nuk është vështirë të supozohet se një sasi enorme e atyre eurove të fituara kthehen në Kosovë, ku shpenzohet një pjesë e madhe e tyre. (Ndryshe, valuta zyrtare e Kosovës është euro). Pra, Kosova nuk prodhon asgjë, nuk eksporton asgjë (përveç fuqisë punëtore), por populli i saj fiton shumë. Njerëzit kanë tepër shumë para, dhe dëshirojnë t’i shpenzojnë ato.

Fundamenti

Prandaj, në Kosovë ka sukses çdo biznes. Për biznesin nuk ka kufizime (s’ka sindikata, ekologë, planifikues hapësinore, konservues, dhe të ngjashëm, të cilët më me dëshirë do të preferonin të mos hapej dhe të mos ndërtohej asgjë), ndërkaq, tregu është i uritur për çdo gjë. Dhe gjithçka është e privatizuar, dhe asgjë nuk është pa pagesë. Në qytetin e Podujevës, ku ishte “baza” jonë, një i kthyer ndërtoi një pishinë, e një tjetër një fushë për futboll të vogël. Secili që dëshiron të notojë ose të luajë futboll duhet të paguajë. Dhe, të gjithë presin në radhë.

Në Kosovë pothuajse nuk ka kartela, minuse në llogari e as kredi. Gjithçka paguhet kesh, me euro. Shteti s’ka problem as me sistemin pensional – si shumica e vendeve të BE’së – sepse numri i të rinjve është dukshëm më i madh se i të moshuarve. Veç kësaj, meqë shumica e të moshuarve nuk kanë punuar asnjëherë, ata kanë të drejtë vetëm në pension të pleqërisë.

Përveç ndërmarrjeve klasike shqiptare, ku tregtia – natyrisht – zë vendin e parë, ajo më habiti tepër ishte përhapja e dy bizneseve – autolarjet dhe sallonet e nusërisë. Autolarje ka në çdo hap, nuk janë të sofistikuara (kanë vetëm spërkatëse me presion të lartë dhe sfungjer), por aty, për 2-3 euro, kalamajtë ta lajnë veturën për 15 minuta. Dhe, përsëri, të gjithë presin në radhë.

Mega biznesi i dasmave

Dasmat janë një tregim i veçantë. Kosova ka shumë të rinj që martohen, dhe të gjithë këtë e bëjnë në Kosovë, pa marrë parasysh se në cilin shtet evropian jetojnë apo punojnë. Nga qershori, kur fillojnë pushimet vjetore, e deri në fillim të shtatorit, në Kosovë zgjat sezoni i martesave. Atëherë shpenzohen me miliona për fustane nusërie, ahengje e dhurata dasmash.

Mirëpo, më së shumti para shpenzohen për banim. Familjet garojnë se cila do të ndërtojë një pallat më të bukur e më madhështor. Arkitektura kryesisht është një kiç, kështu që shtëpitë e rrugët disi ta kujtojnë lagjen Konjscinska, në Zagreb, ku jetojnë janjevalinjtë. Mirëpo, shikuar nga konteksti i asaj se këtu ky kiç shndërrohet në sistem, i gjithë ky ndërtim i egër dhe i çmendur të duket disi simpatik.

Shpeshherë tre-katër vëllezër ndërtojnë shtëpitë bashkë, dhe ‘në vijë’, zakonisht nga dy kate, ku në katin përdhes janë lokalet për biznese familjare.

Çdo fshat ka internet

Për shkak të emigracionit të lartë, rëndësia e internetit në Kosovë është kuptuar shumë herët, kështu që tani i tërë vendi është i mbuluar me internet të fuqishëm. Pothuajse çdo kafeteri, restorant, apo pompë benzine ka wi-fi, ndërkohë që qasja në internet zakonisht bëhet pa pasur nevojë për fjalëkalim. E atje ku ka nevojë, fjalëkalimin për wi-fi mysafirëve ua japin menjëherë. Natyrisht, internet ka secila shtëpi.

Për shkak të rritjes enorme natyrore të popullsisë, edhe shkollat në Kosovë po ndërtohen masovisht. Në Podujevë e rrethinë – e cila deri në vitin 1990 ishte sa Labini, Rovinji apo Poreçi, ku sot jetojnë afro 70,000 banorë, vetëm gjatë vitit të kaluar kanë lindur më shumë se 6,000 fëmijë. Sa për krahasim, në Labin lindin nga njëqind fëmijë në vit. Prishtina me rrethinë sot numëron afro 700,000 banorë, përderisa qyteti më i bukur në Kosovë, Prizreni, me rrethinë, ka rreth 200,000 banorë.

Ndryshe, sipas rezultateve të regjistrimit zyrtar të vitit 2011, në Kosovë jetojnë 1,739,825 banorë, 92.93 e të cilëve janë shqiptarë, ndërsa 1,47 përqind serbë. Edhe pse, regjistrimi nuk është kryer në pjesën veriore të Kosovës, gjegjësisht në tri komunat me shumicë serbe: Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Në Kosovë nuk ndërtojnë vetëm familjet, por edhe shteti. Para një viti ka përfunduar ndërtimi i pjesës së autostradës moderne, që lidh dy qytetet më të mëdha dhe më të rëndësishme, Prishtinën dhe Prizrenin. Me ndihmën e SHBA’ve, rruga ka vazhduar edhe drejt kufirit shqiptar, e pastaj edhe drejt Tiranës, kështu që tani qytetet kryesore të Kosovës dhe Shqipërisë janë të lidhura me autostradë. Kjo na shtyri ta vizitojmë edhe Shqipërinë. Por, për të do të shkruaj në një artikull tjetër.

Përgatiti: Faton Raçi