Kosova ka mjaft helm
Nga Ibrahim Rexhepi – Ideja që helmet e Sirisë të asgjësohen në minierat e “Trepçës”, apo të “Goleshit” ishte krejt e pamatur, pos nëse ka pasur për qëllim që Edi Ramës t’i ofrohet ndihma vëllazërore në kohën kur Shqipëria tronditej nga protestat.
Kosova ka plot helme, madje, disa janë të fshehta dhe përherë paraqesin rrezik për njeriun dhe për ambientin. Edhe projektet që përmenden, si ato në energjetikë dhe në xehetari janë rrezik i vazhdueshëm, nëse me kohë nuk merren masat preventive.
Toka prej nga marrim bukën është e kontaminuar nga metalet e rënda, ku secilin vit hidhen edhe rreth 65 mijë tonelata pleh artificial, sikurse që shëndetin tonë çdo ditë na e han ajri i ndotur nga rreth 400 mijë makina që djegin benzinë me plumb, ose naftë të falsifikuar. Prandaj, Kosova ka mjaft helme dhe nuk do të na duhej që helmet e Sirisë të asgjësohen në minierat e “Trepçës”, apo të “Goleshit”. Posaçërisht se asnjëra prej tyre nuk është mbyllur, dhe në një ditë të mirë aty do të zbresin minatorët.
Kjo ide e plasuar në opinion, më shumë si “bombë provuese”, ishte krejtësisht e pamatur, pos nëse nuk ka pasur qëllimin që kryeministrit të Shqipërisë , Edi Rama t’i ofrohej ndihma vëllazërore në kohën kur vendi i tronditej nga protestat “anti-helm”.
Sado që të dhënat mund të mos jenë të kompletuara, megjithatë edhe ato matje që janë bërë,e janë të besueshme dëshmojmë se ne jetojmë në një ambient që na mbytë secilën ditë, e që ka rrezik të bëhet edhe më i dëmshëm. Prodhimi i energjisë nga qymyri, minierat e qymyrit dhe ato të metaleve me ngjyrë, djegia e drurit dhe e linjitit në amvisëri, komplekset industriale në Mitrovicë, Drenas dhe Han të Elezit, kompanitë e ngrohjes qendrore në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë, transporti rrugor dhe deponitë e mbeturinave urbane dhe industriale, në të cilat secilin vit mbushen me mbi gjysmë milionë tonelata bërllok, që kryesisht digjet, mjaftojnë që të kuptojnë se sa e rrezikshme për jetë është kjo hapësirë. Madje, edhe matjet që për cdo ditë bëhen në qendër të Prishtinës tregojnë se aty ajri përmban substanca të dëmshme për jetë, ndonëse kryeqyteti nuk ka industri të zhvilluar, por termocentralet, minierat dhe hirin e qymyrit të djegur e ka shumë afër.
Këtë ambient të helmuar e ilustrojnë edhe të dhënat rreth problemeve shëndetësore të popullatës. Në vitin 2011 ishin 2.943 raste me tumore, 10.200 me sëmundje të gjakut dhe 7.000 me problem të frymëmarrjes, të cilat janë në ndërlidhje direkte me ambientin. Statistikat tregojnë se gati 63 për qind të vdekjeve janë shkaktuar nga problemet me sistemin e qarkullimit të gjakut, pastaj 14 për qind nga tumoret, rreth pesë për qind nga çrregullimet në organet e frymëmarrjes… Kjo statistikë është mjaft shqetësuese për vendin me 10,9 mijë kilometra katrorë dhe me 1,8 milionë banorë.
Vështruar nga aspekti financiar, pa dyshim se degradimi i ambientin ka kosto mjaft të lartë, kurse kjo ngarkohet edhe më shumë nga shpenzimet për trajtimit të të sëmurëve, të cilët lëngojnë për shkak të ndikimit të ambientit në shëndetin e tyre. Një hulumtim i Bankës Botërore ka nxjerrë se kostoja e degradimit të ambientin është 322,5 milionë euro në vit! Ndërkaq, gati gjysma e tyre ka të bëjë me ndikimin plumbit. Kjo, njëkohësisht ndikon që Kosova të përballet me ndikime shumë serioze sociale dhe ekonomike nga aktivitetet ndotëse që menaxhohen dobët. Po sipas BB-së, ndikimi i lartë i plumbit shkaktohet nga substancat që lirohen nga minierat e pariparuara të plumbit dhe zinkut, dhe stabilimentet për përpunimin e këtyre metaleve, si edhe nga shfrytëzimi i vazhdueshëm i benzinës me plumb. Kjo gjendje ndërlidhet edhe me ujësjellësin, kanalizimin, higjienën e dobët dhe ndotja e ujërave sipërfaqësor me metale të rënda . Kjo panoramë e zymtë merr pamjen e saj të plotë kur shtojmë nivelin e emetimeve nga termocentralet, që është shumë më e lartë se që lejohet me Direktivën e Komisionit Evropian. Termocentralet emetojnë dioksidkarboni dhe monoksidkarboni dy herë më shumë se norma lejuar, ndërsa pluhur 10-30 herë, varësisht nga blloku.
Këto të dhëna janë të mjaftueshme që të kuptojmë se duhet të ketë kujdes të madh në procesin e zhvillimit, ashtu që të mos e degradojë edhe më tutje ambientin dhe që Kosovë të mos bëhet zonë e vdekjes. Madje, është e rrezikshme edhe të mendohet se tunelet e mbetura nën tokë nga shfrytëzimit janë të përshtatshme për eliminimin e helmeve të ndryshme, meqenëse të gjitha minierat janë aktive, pos asaj të qymyrit në Babush, por për shkak të mirëmbajtjes së dobët për vitet të tëra është i dyshimtë niveli i sigurisë se këto helme nuk do të depërtonin në sipërfaqe.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)


