Mobi Casa

Kosova gëzon mbështetjen e Suedisë për anëtarësim në BE e NATO

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, dhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund, kanë deklaruar se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në rrugën e saj për tu anëtarësuar në aleancën më të fuqishme ushtarake ne botë.

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës lëkundi themelet e sigurisë evropiane.

Kjo luftë ndikoi edhe tek Suedia, një shtet që njihej me histori të gjatë neutraliteti dhe qëndrimi jashtë aleancave ushtarake.

Me ndryshimin e rrethanave vetëm disa muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, Suedia vendosi t’i bashkohej aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s.

Edhe shteti më i ri në Evropë, Kosova aspiron që një ditë të bëhet pjesë e kësaj aleance ushtarake.

Deputetja e parlamentit të Suedisë, Helena Bouveng, tha se Kosova ka çfarë të mësojë nga Suedia për t’u bërë pjesë e NATO-s.

Bouveng e cila është edhe pjesë e Komisionit Parlamentar për Mbrojtje, deklaroi se Kosova do ta ketë mbështetjen e Suedisë në këtë proces.

“Pushtimi rus i Ukrainës pati ndikim te madh në Evropë. Si pasojë e kësaj lufte edhe Suedia i ndryshoi qëndrimet. E pamë se në këto kohëra sfiduese nuk mund të qëndrojmë të vetëm andaj vendosëm për ndryshime. Anëtarësimi i Suedisë në NATO ishte i domosdoshëm, prandaj iu bashkuam aleancës së bashku me Finlandën. Kosova mund të nxjerr mësime të rëndësishme nga anëtarësimi ynë dhe i Finlandës në strukturat e NATO-s. Suedia e mbështet seriozisht Kosovën për t’u bërë partnere në BE dhe në NATO, mirëpo ka ende shumë punë për t’u bërë”, tha Bouveng.

RCCOLA

Disa rekomandime për Kosovën për rrugën drejt aleancës veri-atlantike i ka edhe ambasadori suedez në Prishtinë, Jonas Westerlund.

“Suedia bëri kthesë të jashtëzakonshme për t’u bërë anëtare e NATO-s. Ne nuk kemi qenë në luftë që nga viti 1814, që është një kohë shumë e gjatë. Kështu pra u desh të ndryshonte i gjithë mentaliteti i shoqërisë suedeze. Ne aplikuam për tu bërë pjesë e NATO-s, vetëm tre muaj pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Tani po ndërtojmë ngadalë forcat tona të armatosura dhe po kontribuojmë në mbrojtjen e Ukrainës. Disa nga rekomandimet për Kosovën është që të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse në kuadër te NATO-s. Është e rëndësishme që të mos përqendroheni vetëm në forcat tuaja të armatosura, por edhe në aftësitë tuaja të mbrojtjes civile”, tha Westerlund.

Diplomati suedez i kupton shumë mirë sfidat me të cilat përballet Kosova për tu anëtarësuar në NATO, duke nënvizuar këtu 4-shtetet mos-njohëse.

Megjithatë ai shprehet optimist se këto çështje do të zgjidhen në të ardhmen përmes dialogut, ndërsa ka inkurajuar Kosovën që t’i forcoj marrëdhëniet bilaterale me shtetet e tjera anëtare të aleancës.

“Është fakt që disa prej shteteve anëtare të NATO-s akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë është e rëndësishme që Kosova të mos ndalet dhe të zhvilloj dialog me ato shtete për t’i zgjidhur këto çështje. Ndërkohë Kosova mund të zhvilloj marrëdhënie të mira bilaterale me shtetet e tjera brenda NATO-s si dhe të bashkëpunojë ngushtë me to”, tha ai.

Suedia u bashkua me NATO-n më 7 mars të këtij viti, duke e zgjeruar aleancën në 32 shtete anëtare.

Rrjeti Alumni Suedez në Kosovë në bashkëpunim me ambasadën suedeze të premten organizoi konferencën “Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, mësimet e nxjerra nga Suedia”.