RCCOLA

Kosova federale në krah të Speciales

/ 12 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Flaka Surroi – Rezultati i ngjarjeve paralele në Kuvend dhe atyre në Bruksel do të jetë që Serbia do të galopojë drejt Evropës, kurse ne do të vazhdojmë të kënaqemi me pallavrat se Kosova është rrëfim suksesi.

Zymtësia me të cilën nis vera e sivjetme duket se u thye me një ngjarje autentike dhe një tjetër që në fund nuk duket të ishte e këtillë: xhudistja Nora Gjakova e fitoi medaljen e parë të Kosovës në një olimpiadë, ani që veç evropiane, dhe ky pa dyshim ishte suksesi më i madh për imazhin e dërrmuar të Kosovës në botë. Dhe ky vërtet ishte një gëzim i mbështetur mbi autenticitetin e punës shumëvjeçare të një shkolle të tërë që e ka krijuar një njeri entuziast: Toni Kuka, i cili formoi një ekip kampionësh që nuk dorëzohen para asnjë gjëje, gjithnjë duke u mbështetur në fair-play.

Ngjarja tjetër, e cila në fund la shije të një ngjarjeje të orkestruar, ani që e stolisur me petk demokratik, qe tentimi i dështuar i Kuvendit për ta kaluar amendamentin e Kushtetutës, me të cilin do të mundësohej themelimi i Gjykatës Speciale, në një shfaqje që na e mori vëmendjen gjithë ditën e lume. Fillimisht nisi me mbledhjen simbolike të veteranëve të OVL të UÇK-së para ndërtesës së Kuvendit. Rreth 150 veta ishin tubuar për ta kundërshtuar Gjykatën Speciale, e që nuk pati as piskama, as brohoritje e as një tentim i vetëm për të ndërmarrë çfarëdo aksioni që do ta parandalonte procesin në Kuvend. Shkuarja e tyre në orën 15:00 tregoi se nuk e kishin seriozisht, dhe se tashmë dihej se cili do të ishte përfundimi i seancës.

Më pas, fleksibiliteti i jashtëzakonshëm i Mr. Kty për t’ua dhënë fjalën të gjithëve aq sa ua merrte mendja, dhe vetë deklarata e tij se “do ta votonte Gjykatën edhe po të ishte i pari që do të shkonte atje”, tregoi boll: se vetë Partia e tij do ta shpëtonte. Për shllag, monologu i Thaçit në cilësinë e Kryetarit të Partisë, dhe noshalanca dhe çehrja e patrazuar, dëshmuan se tani të gjitha i kishte të kalkuluara. Përfshirë edhe shpërthimin euforik të opozitarëve që menduan, e me gjasë ende mendojnë, se fitorja ishte e tyre. E nuk qe.

Dhe u bë që këto dy ngjarje të ndodhnin në të njëjtën kohë kur në Bruksel po përfundonte edhe një raund bisedimesh ndërmjet Prishtinës e Beogradit, dhe ku po diskutoheshin temat shumë të nxehta. Këto duket se do ta kenë epilogun të hënën e fundit të qershorit me nënshkrimin e marrëveshjes, që do ta sjellë edhe krijimin e federatës së re të Kosovës ende pa u bërë Kosova shtet.

Faji

Themelimi i Gjykatës Speciale u përkrah nga Kuvendi i Kosovës në prill të vitit të shkuar, dhe atëbotë ajo u pati përkrahur edhe prej shumicës së deputetëve të AAK-së, përfshirë edhe shefen e tashme të Grupit parlamentar, që gjatë javës në formë demonstrative e shqeu projektligjin që u ishte dërguar deputetëve për miratim, pa të drejtë amendamentimi.

Kishte qenë temë e përhershme në të gjitha debatet parlamentare dhe kishte qenë atuja të cilën e kanë përdorur diplomatët e huaj në Kosovë për t’u bërë presion edhe partive politike (me rastin e krijimit të koalicionit të madh) edhe të gjithë opinionit publik se, po qe se nuk e miratojmë vetë, OKB-ja do të na e miratonte një Tribunal, nergut për shqiptarë të Kosovës.

Me një çast u bë tema më e nxehtë e cila ngjalli shumë shpresa për shumëkënd – se mbase ky do të ishte mekanizmi nëpërmjet të cilit, pos që Kosova do të spastrohej nga një numër i caktuar njerëzish që i kanë bërë shumë dëm këtij shteti me veprimtarinë e tyre jo të pastër as ekonomike e as politike, do t’u bëhej drejtësi familjarëve të atyre që kishin qenë viktima të dhunës së pasluftës të shkaktuar nga njerëzit që pos që kishin armë, llogarisnin edhe në mbrojtjen e një sistemi të korruptuar hetimor e gjyqësor, që nuk kishte interes të merrej me ndjekjen dhe dënimin e tyre. Për shumëkënd tjetër ishte një lajm i keq, për shkak se shqiptarët, nga viktimat autentike të fashizmit serb, përnjëherë po shndërroheshin në vrasës të serbëve, që në fakt po veçoheshin si kriminelët e vetëm të luftës.

Dhe përderisa gjatë gjithë kohës zhvillohej një debat i gjerë e i gjatë nëse Gjykata synonte ta diskreditonte UÇK-në apo se në fakt po përpiqej të sillte drejtësi për viktimat që i kishte apostrofuar një raport, e gjithë çështja u reduktua në faktin se puna e krimeve të luftës, të shkaktuara nga palët ndërluftuese, si dhe vrasjet e pasluftës, ishin dhe mbetën përjetë temë tabu e shoqërisë kosovare të pas 1999-s. Ka shumë të tillë që do të thonë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër; porse fakti është se në luftë vriten njerëz, e më së shpeshti viktimat janë civile. E nuk mund të themi me siguri se pjesëtarët e UÇK-së nuk kanë kryer krime ndaj civilëve, pavarësisht etnisë. Sepse ka familjarë të viktimave që e thonë të kundërtën. Porse, kjo nuk do të thotë se e gjithë UÇK-ja do të duhej të kriminalizohej, ashtu siç nuk po kriminalizohen as policia e ushtria e Serbisë: në fakt dënimet e shqiptuara në Tribunalin e Hagës nuk u janë shqiptuar institucioneve të Serbisë, por individëve, me ose pa përgjegjësi komanduese. Dhe problemi i shoqërisë kosovare që nga 1999-a ka qenë se i ka mbyllur sytë ndaj gjithë së keqes që ka mundur të ndodhte gjatë dhe pas luftës. E nëse nuk i ka mbyllur sytë, atëherë e ka mbyllur gojën, dhe për më keq ka refuzuar të bashkëpunojë me sistemin gjyqësor, sado të gjymtë, të UNMIK-ut, që ndoshta ka mundur të bënte më shumë, vetëm po të mos ishin frikësuar shqiptarët të flisnin haptazi për atë që e dinin, kurse tash e mbajnë në ndërgjegje.

Faji kryesor i shqiptarëve ka qenë që nuk kanë insistuar ta kenë një degë të veçantë për krime lufte në Gjykatën Supreme, në kohën kur e kanë marrë gjyqësinë në dorë, edhe me mbikëqyrjen e EULEX-it. Faji kryesor i shqiptarëve ishte që terrenin ua lanë të lirë njerëzve të komprometuar për t’i udhëhequr edhe policinë, edhe hetuesinë e edhe gjyqësinë; ua mundësuan me mosdaljen në zgjedhje, ose edhe me votim të drejtpërdrejtë që shtetin ta marrin nën kontroll klanet kriminale që sot ta diktojnë jetën; që me heshtje dhe mosveprim miratuan katandisjen e Kosovës në këtë çfarë është sot: gjysmështet, me një popull që s’e do kush, me një ekonomi që as pulat nuk arrin me i ushqy, e lëre më 2 milionë njerëz të cilëve u ka humbur rruga në oborr.

Çka tash?

Pra, cilat janë alternativat e mundshme tash.

Nëse të huajt e kanë seriozisht, do të na e dërgojnë çështjen në Këshillin e Sigurimit. Dhe pavarësisht asaj që u tha dje në Kuvend, se do të ringjallet 1244-i, duhet thënë se ajo Rezolutë ende është në fuqi. E këtë e vërteton fakti se në Kosovë ende funksionon misioni i UNMIK-ut. Pra, ne kurrë nuk u liruam nga Rezoluta m’u për faktin se kurrë nuk na u votua njohja e pavarësisë aty. Pra, nëse të huajt e kanë seriozisht, do të na votohet një Tribunal special veç për shqiptarë kriminelë lufte, e aty do të kemi edhe prokurorë e gjyqtarë rusë, e kinezë, e spanjollë, e qipriotë, e sllovakë, e grekë, e shumë të tjerë që nuk na kanë njohur – dhe ky me gjasë do të jetë Tribunali i cili nuk do ta amnistojë asnjërin nga ata që përmenden në Raportin Marty, e që i kanë ikur hëpërhë, falë moskalimit të amendamentit.

Uji Dea

Nëse nuk e kanë seriozisht, alternativa mund të jetë themelimi i gjykatës për krime lufte në kuadër të sistemit gjyqësor të Kosovës, por që do t’i përfshinte të gjitha rastet e krimeve të luftës në Kosovë, për të cilën gjë nevojiten kallëzimet penale që Kosova qe 16 vjet nuk i ka bërë. Qe 16 vjet nuk u dëgjua që të jenë ngritur kallëzime për masakrat, për vrasjet, dhunimet, djegiet, shkatërrimet – sepse udhëheqja jonë s’ka pasur kohë të merrej me këto punë. Sepse kujt nuk i është kujtuar se në vend se t’i vjedhin gjithë ato para, kanë mundur të ndanin një fond për angazhimin e avokatëve që e dinë se si duhet ngritur çështjet penale kundër kriminelëve të luftës. Po ta kishin bërë këtë, kishte pasur shumë hapësirë që të ndiqeshin kriminelët ndërkombëtarisht, posaçërisht në kohën kur ka qenë këtu UNMIK-u, sepse e gjitha do të realizohej nën ombrellën e OKB-së. Në mungesë të saj tash, këtu është ende EULEX-i, me mandat evropian, dhe me fuqi, po të donin, për t’i ndjekur të gjithë, e jo vetëm ata që i identifikon Marty.

Cilido që të jetë opsioni pas të cilit do të shkohet një mbetet e qartë: përgjegjësinë për këtë situatë të shëmtuar e bart struktura politike që e ka dërrmuar Kosovën në 16 vjetët e fundit. Ajo e cila është në tehun e akuzave për krime lufte dhe e cila për ta ruajtur prapanicën e vet e mban peng komplet Kosovën.

Federalizimi

Rezultat direkt i kësaj pengmarrjeje është edhe zhvillimi i negociatave krejt jotransparente me Beogradin, ku fjalën kryesore e ka pasur kryeministri i Jashtëm, Thaçi. Duke vënë nënshkrimin në atë farë marrëveshjen e Brukselit, e legjitimoi Zajednicën me fuqi ekzekutive. Serbëve në veri të Kosovës u dha polici e gjyqësi etnike. U dha kontroll mbi të hyrat doganore dhe tatimore. Tash me bisedat në vijim, do t’ua japë telefoninë dhe energjinë, dhe për kapak, objekt të bisedimit do ta ketë një “park” të barrikaduar mbi urën e Ibrit, që nëse “zgjidhet” do të shndërrohet në kufirin e ri administrativ ndërmjet kësaj pjese të Kosovës dhe asaj tjetrës nën kontrollin e Beogradit.

Dhe kur t’ia nisin me u përzi kompetencat, do të dalë dikush i mençur nga bashkësia ndërkombëtare dhe do t’u thotë këtyre kolltukxhinjve në Prishtinë, se më së miri është që të krijohet një entitet autonom serb në veri, dhe që Kosova ta ndryshojë rregullimin e vet shtetëror. Dhe, natyrisht, kjo do të arsyetohet në Parlament si këshillë e miqve ndërkombëtarë me të cilët nuk kemi interes t’i prishim punët. Por, ndërkohë, Serbia do të refuzojë ta pranojë shtetësinë e Kosovës, ani që lëshon pe aty-këtu për pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Kosovës në ndonjë federatë të sportit, sepse kështu më së lehti ua mbyll gojën të gjithëve, duke dëshmuar “kooperativitet”.

Kështu, shumë shpejt, edhe me ndryshime kushtetuese, do ta kemi Federatën e Kosovës, me republikën shqiptare me të gjitha pakicat plus ca serbë, dhe republikën serbe me ca boshnjakë e ca shqiptarë atje në veri…, e të cilët është lehtë të zhvendosen në jug, sepse thjesht ua ndalojnë ndërtimin si te Kroi i Vitakut, dhe mbaroi puna.

* * *

Rezultati i gjithë kësaj do të jetë që Serbia do të galopojë drejt Evropës, kurse ne do të vazhdojmë të kënaqemi me sukseset e jashtëzakonshme ekonomike e politike të këtyre diletantëve që e udhëheqin shtetin si biznes privat. Qaq keq i kemi punët, sa edhe instrumenti, të cilin e përdorin për ta zvogëluar papunësinë, Agjencia e Statistikave e Kosovës, thotë se Kosova ka pasur rritje ekonomike prej 0,9% më 2014-n.

E përderisa na çajmë dërrasa dhe përpiqemi të mbijetojmë në kushtet e mjerueshme në të cilat jetojmë, ata shëtiten nëpër botë me paratë tona dhe kthehen të rrezitur në pikë të majit për të na treguar se Kosova është rrëfim i suksesit.

E suksesi më i madh për Kosovën do të jetë dita kur këta të hiqen prej pushtetit, por jo me gjykatat speciale të tipit Marty, por, siç do ta thoshte mikja ime Brikenda, “një gjykatë super ekstra speciale që do të hetojë hovin e krimeve që do të ndodhin edhe nesër. Një gjykatë, në punët e së cilës nuk do t’i fusin hundët politikanët e kriminalizuar të Kosovës, e as soji i gjykatësve të korruptuar të EULEX-it, e definitivisht as gjykatësit e prokurorët e paaftë e të mbrapshtë të UNMIK-ut”.

Drejtësi, rend e prosperitet në Kosovë do të kishte pasur moti, po të kishin dashur e lejuar këta që i shkelën të gjitha në emër të “sakrificës sublime” që e kanë bërë kinse për ne, e në të vërtetë, e kanë bërë për vete.

[email protected]

http://koha.net/?id=31&o=750