Eko Higjiena

Kosova e harresës

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Milaim Shefkiu – Të hënën u bënë 32 vjet, kur qindra studentë shqiptarë, të grumbulluar në Prishtinë, nisën t’i dalin karshi regjimit të dhunshëm të Jugosllavisë së atëhershme. Të gjithë djem të rinj, të mbushur me shpresë dhe të edukuar kombëtarisht, nisën protestat gjithëpopullore duke shënuar kthesën e madhe kombëtare.

Demonstratat kishin nisur më 11 mars 1981, kur studentë të Universitetit të Prishtinës kërkuan ushqim më të mirë në mensë dhe kushte më të mira nëpër konvikte. Kjo ishte shkëndija e parë studentore e cila nxiti kërkesën themelore për barazi politike, duke kërkuar republikë për Kosovën.

Pranvera e vitit 1981 u skuq me gjak. Qindra shqiptarë u vranë, mijëra u burgosën, shumë të tjerë u arratisën jashtë vendit. Familjet e atyre djemve që u burgosën, u bënë sikur “lisi në derë të kovaçit”. Secili UDB-ash apo polic me urrejtje të akumuluar kundër shqiptarëve shfrynte ndaj familjarëve të tyre. Historiani Noel Malcom në librin “Kosova: një histori e shkurtër” thotë se në demonstratat e 1981-shit, janë vrarë rreth 1000 shqiptarë, më shumë se 2000 janë arrestuar gjatë protestave, ndërsa rreth 4000 mijë janë burgosur.

Përveç atyre djemve që e bartën mbi supe barrën e gjithë asaj etape, demonstratat e 81-shit, të cilat ia lëkundën themelet shtetit jugosllav, nxorën në sipërfaqe, sikurse zvarranikët nëpër zall, kuislingët shqiptarë të cilët luftuan që Kosova të mbetet krahinë e Serbisë. Kjo klasë politike, studentët protestues i quajti armiq, irridentista, seperatista, kundërrevulucionar, e çka nuk i ra ndërmend. Madje dikush i porositi që të hyjnë në birë të miut (Bira e miut 300 grosh).

Kjo ishte vetëm njëra pjesë e historisë së vitit 1981. Pas disa viteve, kur komunizmit po i kalbeshin rrënjët, protagonistët e asaj plejade u liruan nga burgu, disa morën mërgimin e disa të tjerë mbetën nëpër Kosovë, por edhe nëpër vendet tjera si në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Jehona e demonstratave të vitit 1981 ishte shumë e përhapur gjatë viteve ’90, madje ishin shkëndijat e asaj proteste që nxitën themelimin e UÇK-së, si struktura e organizuar guerile në një luftë të hapur për liri.

Mobi Casa

Mirëpo pyetja e çdo qytetari do të ishte, se pse kjo ngjarje kaq e lavdishme e historisë ka mbetur në errësirë? A e kanë merituar protagonistët e asaj plejade, disa që janë ngjallë e disa që kanë rënë dëshmorë, të nderohen me një akademi solemne, simpozium shkencor e historik, apo edhe me një nderim të thjeshtë nga kryeministri apo presidentja e Kosovës?

Këtë ngjarja e ka mbuluar harresa. Më e dhimbshmja, ndërkaq është se edhe populli po harron. Nëse për tri dekada është harruar pranvera e vitit 1981, për tri dekada të tjera do të harrohet edhe lufta e UÇK-së dhe në vijimësi do të harrohen edhe dëshmorët që e sollën lirinë. Kjo veç po vërehet tash kur kanë kaluar 14 vjet nga lufta dhe kur plagët akoma janë të freskëta. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës nuk po i nderojnë familjet e atyre që kanë rënë në luftë. Ata po shkojnë vetëm tek varrezat (dhe atë me zor), por jo edhe te familjet e dëshmorëve.

Duke ndjekur këtë politikë dhe duke iu nënshtruar ndërkombëtarëve “sikur maca ndër sofër”, po i harrojnë edhe prindërit. Kjo është marrëzia e këtyre politikanëve të sotit, të cilët duke u mbështetur verbalisht në idetë e globalizmit, po i përqafojnë vlerat e huaja dhe po i harrojnë të vetat.

“Një popull që nuk ka histori, nuk ka as të ardhme”, kështu i ka thënë Gjergj Kastrioti -Skënderbeu djalit të tij Gjonit. Nëse gjeneratat para nesh e kanë mbajtur gjallë të kaluarën e lavdishme të popullit shqiptar, ata e kanë garantuar të ardhmen me lirinë e Kosovës, ndërsa nëse kjo gjeneratë nuk e kujton të kaluarën, atëherë kjo e rrezikon të ardhmen.