Korrupsioni dhe luftimi i tij

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Bekim Thaqi – Tema e korrupsionit është një temë e një spektri të gjerë, për të cilën ne shqiptaret këndej e matanë kufirit diskutojmë kur jemi në shtëpi, me miq në kafene , në media, portale, rrjete shoqërore dhe gjithashtu edhe në institucione zyrtare. Të gjithë e cilësojmë si ”kancer i shoqërisë” dhe japim përkufizime të ndryshme në lidhje me të. Por çka është në të vërtetë korrupsioni dhe si luftohet ai?

Me pak fjale korrupsionin klasik mund ta përshkruajmë në këtë mënyrë “Sjellje e pandershme ose mashtruese nga ata që janë pjesëmarrës në një formë te pushtetit , dhe që zakonisht përfshinë marrjen e ryshfetit”.

Duhet të dimë se korrupsioni mund të shfaqet në çdo sektor, qoftë ai publik apo privat, madje edhe OJQ (sidomos në sektorin publik). Manifestohet në forma të ndryshme duke filluar nga sektorët e ulët të administratës e deri tek nivelet më të larta dhe se shpeshherë ka shtrirjen e oktopodit me pipthat e tij kudo në shoqëri. Në institucionet e kontrolluara në mënyrë demokratike, ekziston një interes shtetëror dhe publik, për të zhvilluar mekanizma të brendshëm për të luftuar korrupsionin aktiv ose pasiv.

Pa këto mekanizma të caktuar të organeve të sigurisë, në bashkëpunim edhe me drejtësinë, e që e luftojnë korrupsionin ne mënyrë sistematike ,është vështirë, në mos e pamundur t`i dilet në krye një problemi madhor siç është çështja e korrupsionit.

Mobi Casa

Normalisht se këtu hynë në punë edhe dënimet më të mëdha dhe ashpërsimi i masave kundër korrupsionit në atë mase sa që shoqëria ta kuptojë se nuk ja vlen të jesh i korruptuar. Sistemi shtetëror duhet të funksionoje në atë mënyrë që të jetë parandalues dhe ndëshkues për të gjithë ata që merren me korrupsion.

Mirëpo a kufizohet korrupsioni vetëm në këtë, dhe a mund te jene pjesëmarrës edhe ata që nuk janë në pushtet dhe që synojnë që për përfitime personale apo tjera, ti japin ta zëmë ryshfet dikujt. Natyrisht që po, dhe këtu luan një rol të rëndësishëm vetëdijesimi i popullatës në lidhje me rreziqet e korrupsionit. Njerëzit e thjeshtë, nganjëherë janë po aq pjesëmarrës në ndërmarrjet korruptive, po aq edhe sa ata ne pushtet duke përfituar në mënyra të ndryshme me anë të aferave korruptive duke filluar ta zëmë nga dhënia e ryshfetit për kontroll pa pritur në rend ose operim në spital e deri tek përfitimi i ndonjë tenderi. Duhet bërë fushata të mëdha në të gjitha sferat e shoqërisë, me qëllim të edukimit te brezave të rinjë dhe me shembuj se si korrupsioni e stagnon ekonominë dhe e rrezikon edhe vetë shoqërinë e shtetin.

Nëse organet shtetërore dhe institucionet, janë transparente në lidhje me punën e tyre, dhe nëse në të njëjtën kohe ka transparencë edhe në shoqëri atëherë do ti dilet përballë korrupsionit dhe do të mund ta luftojmë dhe ta kthejmë se paku në suaza të normales .

Autori Bekim Thaqi është analist i sigurisë