Fundamenti

Konvalescenca dhe konvalidimi

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Riza Smaka – Në të Drejtën Romake, në Periudhën e Republikës së Perandorisë Romake, në “Regula Catoniania, Paulus, 29, Dig.”, nder të tjera, ka qenë krijuar dhe miratuar sentenca “Quod Initio Vitiosum, est,Non Potest Tractu…” që do të thotë se kur një punë juridike në fillim bëhet keq, e parregullt, e mbrapshtë, kurdoherë do të mbetet dhe trajtohet si e tillë. Edhe në të folmen tonë, në kontekste të tilla, thuhet “çfarë niset ose bëhet keq, mbrapsht, gjithmonë do të mbetet, “kur keq niset, keq bitiset”, “keq është nis, nuk del mirë” etj.

Së andejmi, kur një punë niset e aq më parë kur kryhet mbrapsht, e tillë do të mbetej përgjithmonë, e aq më keq, Argumentum Ad Fortiori, edhe me pasoja të dëmshme. Kjo do të thotë se nga fillimi mbrapsht, kurdoherë mbrapsht, apo juridikisht: “Ab Initio Nullum, Semperea Nullum”! Po kjo sentencë mund t’i referohet Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror Ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të hartuar nga ishKomisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror (ishKomisioni për Demarkacion) tok me komisionin homolog malazez, të propozuar nga ish-Qeveria e Kosovës për ratifikim nga Kuvendi i RK-së, ngase është bërë: – jashtë mandatit të ish-Komisionit për Demarkacion – Shënjimin e Kufirit nëpërmjet ridelimitacionit- ricaktimit kufitar, madje edhe – ridelimitacioni kufitar është i bërë arbitrarisht e në kundërshtim me kriteret primare për demarkacione kufitare të mirënjohura ndërkombëtarisht – vetëm sipas kadastrës problematike!

Konvalidimi i punëve dhe akteve juridike relativisht nul

Në atë mënyrë, punët juridike relativisht nule “legalizohen”, apo konform me terminologjinë juridike konvalenscohen përkatë- sisht konvalidohen. Në doktrinën juridike bashkëkohore konvalescenca konsiston në legalizimin e punëve juridike individuale relativisht nul, ndërsa konvalidimi aplikohet në raste të njëjta, por në punët juridike të përgjithshme relativisht nul! Rrjedhimisht, praktikat juridike bashkëkohore nuk e bëjnë dallimin e këtyre dy institucioneve juridike, ashtu që kryesisht e përdorin termin e fundit, konvalidimin si akt të “validimit përkatë- sisht të legalizimit” të punëve juridike relativisht nule, kryesisht nga të meta juridike – formale. Kur për një punë juridike do të kërkohej forma juridike si një nga elementet konstitutive të saj, e ajo nuk do të përfillej nëse nuk do të dëmtohej interesi i përgjithshëm, me kalimin e kohës e njëjta, në procedurë të veçantë, do të mund të konvalesnscohej, përkatësisht të konvalidohej. Për testamentin me mungesa formale të caktuara, pala me legjitimitet aktiv dhe e interesuar do të mund të kërkonte nulim të tij brenda afatit subjektiv prej një viti e afatit objektiv brenda dhjetë vitesh. Nëse brenda atyre afateve nuk do të kërkohej nulimi i testamentit të tillë i njëjti do të konvalidohej. Po ashtu, konform me nenin 1432 të Kodit Civil Gjerman e gjithandej do të veprohej edhe në punë juridike – civile të ndryshme, nëse palët përkatëse në ndërkohë do t’i kryenin transaksionet përkatëse pa efekte as afekte juridike negative! Në rastin kur do të lidhej kurora ndërmjet bashkëshortëve me defektin e të zëmë me bashkëshorten jomadhore 16-vjeçare, pas në madhërisë së saj, në procedurë legale, me “emancipatio” do të mund të konvalidohaj martesa e tillë!

Pikëpamje juridike të paqëndrueshme të zonjës Vjosë Osmani për konvalidimin e “demarkacionit” të kufirit kosovar -malazez!

Ditë më parë, zonja Vjosë Osmani gjatë kryesimit të një komisioni të Kuvendit të RK-së, gjatë diskutimeve për Marrëveshjen për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Malit të Zi, të bërë nga ishKomisioni Shtetëror për Demarkacion, nder të tjera, pa parafrazime, ka theksuar:-…edhe pse ish-Komisioni për Demarkacion e paska pasur të tejkaluar mandatin e vetë (duke bërë demarkacion në vend të delimitacionit kufitar), megjithatë puna e tillë (kinse) del të jetë e drejtë, pasi që e njëjta paska pasë qenë miratuar nga ish-Qeveria, madje edhe nga Qeveria aktuale e RK-së ( kjo e fundit nuk e ka miratuar, por vetëm e ka përcjellë për procedim legjislativ tok me Raportin e Komisionit Shtetëror… aktual). – Marrëveshja për kufirin na obligon, pasi që është nënshkruar nga përfaqësues shtetërorë të RK-së si dhe në funksion të ratifikimit të Marrëveshjes në fjalë obligohemi edhe nga dokumente ndërkombëtare…! Pikëpamja juridike e tillë e Vjosës është e paqëndrueshme, ngase konvalidimi eventual i Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi vetëm në procedurë të caktuar më parë do të mund të bëhej ekskluzivisht nga Kuvendi i RK-së nëpërmjet ratifikimit eventual të saj, por kurrsesi jo nga ish-Qeveria, as Qeveria aktuale, madje as nga të dyja tok, ngase Qeveria, cilado qoftë, si ekzekutiv i vendit, sipas dispozitave të neneve 92 @ 93 të Kushtetutës së RK-së, nuk ka autorizim të tillë. Ndryshe, sikundër ish- Qeveria apo Qeveria aktuale do të mund të bënte konvalidimin e Marrëveshjes për Kufirin, ratifikimi i të njëjtës nga Kuvendi do t’ ishte miratuar pa zvarritje.

Marrëveshja për kufirin, akt absolutisht nul, që nuk do të mund të konvalidohej

Sikundër u tha më sipër, konvalidimi do të mund të praktikohej vetëm në rrethana dhe në procedurë të veçantë për ndonjë punë apo akt juridik relativisht nul, çfarë nuk është rasti me Marrëveshjen për Kufirin, e cila, është absolutisht nule! Kjo nga se, Marrëveshja për Kufirin është në kundërshtim me: – Ligjin nr. 04- L – 072 për Kontrollin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror konform me të cilin ish- Komisioni për Demarkacion ka qenë emëruar dhe mandatuar për demarkacionin – shënjimin e kufirit e kurrsesi jo për ridelimitacionin – ricaktimin e kufirit të caktuar, ekzistues e historik nga vitet 1945-6; – Rregulloren e QRK-së për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror; – Vendimet qeveritare për emërimin dhe riemërimin e ish-Komisionit të emërtuar dhe të autorizuar enkas për demarkacion – shënjim të kufirit në përfillje të kufirit më parë të delimituar, të pakontestuar, egzistent e valid dhe në kolizion flagrant; – Rezolutën nr. 05- R – 03 dt. 25 qershor 2015 të Kuvendit të RK-së, me të cilën nga ish Komisioni dhe nga ish Qeveria, Ius Imperativum, ka qenë kërkuar që në përfillje të kufirit administrativ ekzistues të bëhet demarkacioni – shënjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe mbi të gjitha; – mandatin enkas për demarkacionin – shënjimin e kufirit sipas kufirit të delimituar – caktuar, por kurrsesi jo për ridelimitacionin-ricaktimin e kufirit cirka shtatëdhjetë vjet më parë të delimituar – caktuar! Aq më keq A Fortiori, ish-Komisioni për Demarkacion, as ridelimitacionin – ricaktimin e kufirit, për të cilin nuk kishte mandat, nuk e ka pas bërë sipas kritereve primare të mirënjohura në doktrinën dhe në praktikat e mira juridike ndërkombëtare. por vetëm sipas kadastrës problematike, kudo dhe kurdo inadapt për demarkacione kufitare e së andejmi të papraktikuar, pos në raste specifike si element eventual suplementar, plotësues.

Uji Dea

Me Marrëveshjen Teknike – Ushtarake, Rezolutën e KS të OKB-së për Kosovës, Propozimin e Ahtisarit, Deklaratën e Pavarësisë, Kushtetutën e RK-së, as me ndonjë dokument tjetër, nuk ka qenë bërë asnjëfarë ridelimitacioni të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi konform me dispozitën e nenit 3 (e) të Marrëveshjes Teknike – Ushtarake ndërmjet KFOR-it, Qeverisë së YU III dhe Qeverisë së Serbisë, të miratuar në Kumanovë, të bërë më datën 9 qershor 1999 (Military Technical Agreement June 3.1999, Kumanovo). Qe formuar “ZST” – Zona e Sigurisë Tokësore (Ground Safety Zone) deri në 5 km tej kufirit të Kosovës si dhe “ZSA” – Zona Sigurisë Ajrore ( ASZ: Air Safety Zone) deri në 25 km tej Kufirit të Kosovës, pra tej kufirit ekzistues, të delimituar në vitet 1945-6 ! Së andejmi as me atë dokument nuk ka qenë aplikuar asnjë- farë ridelimitacionit, pra as demarkacioni kufitar kosovar – malazez, sikundër gabimisht dhe Mala Fidei, thirret ishKomisioni Shtetëror për Demarkacion! Po ashtu as me Dokumentin e Komisionit të Arbitrazhit të Badinterit, “Arbitrarian Commission of Peace Conference on SFRY” , ose, “Badinter Arbitratio Commitee , August, 27. 1991”,Rezolutën nr. 1222-99 të KS të OKB-së për Kosovën, “UN Security Counsil Resolution , No 12244-99”, Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, “Comprehensive Proposal for the Kosovo Status Settlement, March,26, 2007”, Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 2008, as në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, 2008, nuk qëndron asnjë klausë e stipuluar përkitazi me çfarëdo ridelimitacioni as demarkacionit të kufirit ekzistent, konstant e historik të Kosovës dhe të Malit të Zi që daton nga vitet 1945- 6 ! Përkundrazi, me dokumentet e sipërpërmendura nuk ka qenë bërë asnjëfarë delimitacioni as demarkacioni kufitar, pos adresimit në “kufirin ekzistues”, përkatësisht në “kufirin e njohur më parë”! Ndryshe, me dokumente e sipërpërmendura, implicite, ka qenë aluduar dhe konfirmuar linja kufitare kosovare – malazeze ekzistuese: Maja e Shpatit – Maja e Plakut – Qafë e ÇakorritMokra – Usovishte- Hajlë- Kullë, delimituar në vitet 1945-6, historikisht konstante dhe valide, si dhe asnjëherë e ndryshuar në procedurë legale.

Lajthitja e opinionit publik me kërkesën për nevojën e ratifikimit të “demarkacionit” të kufirit

Sponsorë jo të paktë, kryesisht partizanë partiakë konformistë e poltronë jo të paktë, pro ratifikimit të “demarkacionit” të kufirit kosovar – malazez, vijojnë të mbrojnë qëndrimin pro “demarkacionit”, duke mos e ditur, eventualisht duke e ditur, por duke e heshtur faktin se esencialisht nuk është rasti për ratifikimin e demarkacionit, por, përkundrazi, për ratifikimin e ridelimitacionit të paautorizuar, të gabuar, juridikisht absolutisht nul dhe politikisht të dëmshëm. Së andejmi, jo pak qytetarë vendorë si dhe funksionarë të jashtëm, në saje të prezantimeve inadekuate e të kamufluara dhe të simuluara kinse, “për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin”, rreshtohen pro “ratifikimit të demarkacionit ” duke mos e ditur, eventualisht, duke mos dashtë të dinë se me atë akt nuk do të vendosej për demarkacion adekuat, korrekt, të qëndrueshëm, të drejtë, bilateralisht të pranuar, por, përkundrazi, për ridelimitacion kufitar arbitrar, të gabuar dhe të dëmshëm për integritetin territorial të vendit! Se me Marrëveshjen për Kufirin, në vend të demarkacionit në përfillje të delimitacionit – kufirit të caktuar më herët, ka qenë bërë ridelimitacion – ricaktimi i paautorizuar, gabuar, panevojshëm i kufirit ndërmjet Kosovës dhe malit të Zi, vërtetohet edhe me nenin 4 të po asaj Marrëveshjeje në të cilën është stipuluar explicite se demarkacioni- shënjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, do të kryhej brenda dy viteve nga hyrja e asaj Marrëveshjeje. Ndaj me bazë mund të besohet se personat në fjalë të lajthitur deri tani, me vullnet të mirë, bona fidei, pas informimit se ishin të keqinformuar do të rreshtoheshin kundër ratifikimit të Marrëveshjes për Kufirin, në mënyrë që të hapeshin mundësi të pritshme për një demarkacion- shënjim të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në përfillje të kufirit të delimituar- të caktuar cirka shtatë dekada më parë dhe deri sot asnjëherë të ndryshuar në procedurë e bazë ligjore madje as të diskutuar për ndonjë farë ndryshimit eventual!

Përfundime

Marrëveshja Ndërkombëtare për Kufirin e R. së Kosovës dhe të R. së Malit të Zi ka qenë hartuar nga ish- Komisioni për Demarkacion me komisionin homolog malazez, nëpërmjet ish-Qeverisë i ka qenë propozuar Kuvendit të RK-së për ratifikim. Ratifikimin e asaj Marrëveshjeje e kanë kundërshtuar opozita parlamentare, qindra e mijëra qytetarë, një pjesë e konsideruar e klasës akademike dhe e shoqërisë civile, për ç’shkak, por edhe ndër të tjera, ish-Qeveria ra në dorëheqje dhe u shpallën zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Qeveria aktuale e pat shkarkuar ishKomisionin për Demarkacion dhe e ka emëruar Komisionin Shtetëror për Demarkacion- Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i cili, sipas kërkesës së Qeverisë, ka bërë dhe dorëzuar Raport për gjetjet faktike dhe juridike në punën e ish-Komisionit për Demarkacion.

Raportin në fjalë, Qeveria aktuale me Marrëveshjen Ndërkombëtare për Kufirin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi ia ka dërguar Kuvendit për procedim legjislativ. Pra, në këtë segment zonja Vjosë gabonte nga neglizhenca qëllimi ( Culpa – Dolus) kinse Qeveria aktuale, sikundër edhe ishQeveria, e paska miratuar e me të edhe konvaliduar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Kufirin. Zaten, ajo nuk e ka përmendur termin konvalidim, por e ka theksuar përmbajtjen e tij – legalizimin e Marrëveshjes në fjalë! Tani, Marrëveshja Ndërkombëtare ndodhet në zyrën e Kryesisë së Kuvendit e së andejmi pritet për t’u proceduar për shqyrtim në Kuvend konform me nenin 18 të Kushtetutës dhe për t’u refuzuar eventualisht miratuar ratifikimi i së njëjtës. Marrëveshja Ndërkombëtare për Kufirin është akt juridik absolutisht nul, sepse nga ish- Komisioni për Demarkacion është bërë jashtë mandatit, në kundërshtim me ligjin e aplikuar, në kundërshtim me vendimin qeveritar për emërim, si dhe për vazhdimin e të njëjtit mandat për të praktikuar demarkacion e jo ridelimitacion kadastral, si dhe në kundërshtim me Rezolutën nr. 05- R -03 të dt. 25 06 2015! Në këtë kontekst zonjës Vjosë, ia shoh për të madhe kur, në vend të interpretimit juridik adekuat të Marrëveshjes në fjalë si akt juridik defektoz, nul, edhe pse jurisprudente jepte komentime koherente me politikat ditore dhe me imperativat partiake të subjektit politik që i takon, në një anë, por, për aq të paqëlluara dhe të paqëndrueshme juridikisht, në anën tjetër. Në këtë kontekst, theksoj se në legjislaturën e tretë të Kuvendit të RK-së isha deputet jashtëpartiak, por në grupin parlamentar të subjektit politik që më ka pasë zgjedhur deputet dhe atë për hir të nderimit të votave të besuara nga po ai subjekt. Nëse ndokush, e pse jo zonja Vjosë, ka kureshtje, le t’i analizojë shënimet zyrtare të punës sime në Kuvend, në të cilin asnjëherë, ama asnjëherë, nuk kam qenë koherent me qëndrimet e grupit parlamentar përkatës sa herë që nuk isha i bindur së kërkesat e ligjit të aplikuar ishin tjetërfare.

(Kosova Sot)