Kontribut për një monografi më me vlerë për Gjilanin me rrethinë
Nga Nuhi Ismajli- Debati i zhvilluar, më 15 tetor 2012, me qytetarët e Gjilanit, lidhur me tekstin e monografisë për Gjilanin me rrethinë, sipas vërejtjeve që paraqitën qytetarët, dëshmoi se varianti i tanishëm i tekstit duhet të ndryshohet e të plotësohet bukur shumë.
Por, meqë debati nuk pati mundësi të realizohet i tëri, pasi ai u zgjat pa nevojë nga ata që pohonin se kishin ardhur “në emër të shumicës” (sikur diskutimet e të tjerëve përfaqësonin vetëm individin !), dhe u ndërpre pa u bërë edhe shumë diskutime të tjera, për ç’shkak nuk mund të dihet krejt ç’do të kërkohej edhe më, për përmirësimin e tekstit të tashëm të veprës së përmendur.
Mendimi, i cili nuk u tha aty, për shkak të mungesës së kohës dhe imponimit të atyre “që kishin shumë për të thënë”, mbase, është paksa më i ashpër se ai që u dëgjua aty, sepse është mendim se disa tekste të variantit të tashëm të monografisë nuk vlejnë fare dhe duhet të shkruhen rishtazi.
Monografia ose duhet bërë si duhet ose nuk duhet bërë fare, ndërkaq ata që marrin përsipër ta krijojnë atë, duhet të dinë të bëjnë vepër të tillë dhe jo të humben ndër dilema se çka duhet bërë e çka jo. Ata duhet të dinë, të kenë dije të mjaftueshme për të bërë monografi dhe të kenë edhe nivel shkrimi për të hartuar tekst monografik.
Nga autorët që kanë marrë përsipër të shkruajnë monografinë për Gjilanin me rrethinë, disa janë krijues të qëlluar, të cilët mund të bëjnë tekste të tilla, por, disa prej tyre, as nuk kanë dije të mjaftueshme, as aftësi shkrimi. Kështu janë, si i njohim, dhe ashtu si i dëshmon varianti i tashëm i shkruar për monografinë e Gjilanit me rrethinë.
Është absurde të dëgjohet ajo që u dëgjua ditën e diskutimit se monografia nuk duhet të ketë fusnota. Monografia është tekst shkencor, i cili hartohet jo veç në bazë të mendimeve të atij që shkruan, po edhe bazë të mendimeve të të tjerëve. A nuk duhet, pra, të dëshmohet, se mendimi i kujt është shfrytëzuar?
Gjithashtu, në debat, u shpreh edhe mendimi që, në monografi, të shmanget përdorimi i emrave. Përse? Nëse heqim emrat e nevojshëm, çfarë monografie bëjmë?
Pasi jemi tek emrat, mund të shtrojmë pyetjen: a mund, p. sh. të shkruhet monografia e vërtetë e Gjilanit me rrethinë, pa e përmendur, ashtu si nuk është përmendur fare, fshati Terziaj, një fshat i kësaj komune, i njohur shumë mirë në histori, për njerëzit e saj që u martirizuan për identitet kombëtar (1846-1848), një fshat i përmendur me shumë respekt nga krijuesit e mëdhenj shqiptarë e botëror? A mund të shkruhet një monografi me vlerë, nëse nuk përmendet fare një fshat i përmendur për luftëtarët kombëtarë, për profesorët e parë të Kosovës, për të burgosurit politikë shumëvjeçarë të kohës së Rankoviçit? Teksti i tashëm i monografisë për Gjilanin me rrethinë e kishte fshirë krejt dhe nuk e përmendte fare fshatin Terziaj!
Nga pjesët që janë shkruar dobët, sipas variantit të tashëm të monografisë në fjalë, më së keqi qëndrojnë shkrimet për kulturën, ndërsa në kuadër të kësaj veçmas teksti për krijimtarinë letrare të shkruar dhe atë gojore.
Teksti i monografisë, siç është tani, duhet të hiqet dhe të shkruhet një shkrim tjetër, ku do të kemi panoramën e vërtetë të krijimtarisë letrare të Gjilanit me rrethinë dhe jo siç është tash, një tekst, të cilit i mungon tërësisht ajo që kërkon të ketë një tekst monografik për letërsinë.
Për të pasur një tekst monografik për krijimtarinë letrare, siç duhet ta kemi tani për krijimtarinë letrare të Gjilanit me rrethinë, në të duhet të kemi të dhëna shumë koncize e përgjithësuese, për:
1. Letërsinë gojore (pasuria, llojet letrare, botimi etj.);
2. Gjinitë dhe llojet letrare të letërsisë së shkruar, me ç’rast, përmes një vështrimi përgjithësues, do të kishim autorët, veprat e ndryshme të tyre, kohën dhe rrethanat krijuese, veçantitë dhe vlerat krijuese;
3. Emrat dhe veprat e autorëve, me ç’rast, përmes një shprehjeje koncize dhe një teksti minimal, do të jepeshin datat jetësore, vendlindja, veprat, ndonjë veçanti tipike krijuese, vlerësimin esencial për vlerat letrare të autorit etj.
Shënimet e veçanta për autorët, të cilat janë të domosdoshme për të pasur shënim monografik, me përjashtim të 3-4 autorëve, nuk do të kërkonin më shumë se dy-tre rreshta.
Një tekst i tillë, konciz e me të dhëna përgjithësuese me rëndësi, do të mund të jepej në një hapësirë deri në tri-katër faqe, sipas formatit të tashëm të tekstit.
Po kështu, edhe teksti i stërzgjatur e jofunksional për teatrin, do të duhej të hiqej dhe në vend të tij të bëhej një tekst tjetër.