Konfliktet e ngrira dhe Kosova
Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Pas fjalimit të ambasadorit rus në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit rreth krizës në Ukrainë, përfaqësuesja e SHBA-së në këtë organ të Kombeve të Bashkuara ia kujtoi përfaqësuesit rus se “veprat flasin më shumë sesa vetë fjalët” dhe se pikërisht parimi i sovranitetit dhe integritetin territorial në të cilin Rusia aq shpesh thirret kur flet në Këshillin e Sigurimit, tani po shkelet nga vetë ky shtet.
Padyshim që Rusia nganjëherë ia kalon edhe vetë Serbisë me deklarimet e veta kundër Kosovës gjithnjë duke u thirrur kinse në mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë. Kjo është posaçërisht e vërtetë për Vitaly Churkin, ambasadorin shumëvjeçar të Rusisë në Kombe të Bashkuara, i cili i ballafaquar me shifrat e mëdha të të zhdukurve kosovarë, në një takim kishte ironizuar se me siguri të zhdukurit mund të gjenden si refugjatë nëpër Zvicër e Gjermani ku ka shumë shqiptarë sepse nuk beson që ka të zhdukur nga lufta.
Apetitet e Rusisë për të krijuar konflikte të ngrira kanë qenë të pranishme vazhdimisht, dhe për fat të keq po të njëjtën rrugë sikur vëllai i saj i madh e ka ndjekur edhe Serbia me tentimet e saj (shpesh të suksesshme) për të krijuar dhe mbajtur konflikte të tilla në pjesë të territoreve të shteteve tashmë të pavarura që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë. Përveç konflikteve të ngrira në Abhkazi, Oseti Jugore e Transdnistri, veprimet e fundit të Rusisë në Krime të Ukrainës dëshmojnë që ky shtet nuk interesohet aspak për të drejtën ndërkombëtare apo për parime të tjera të cilat respektohen nga shtetet demokratike. Madje, nuk u lënë aspak përshtypje fakti se nga shtetet më të fuqishme këto veprime po kualifikohen edhe si ‘agresion’ dhe shkelje sovraniteti. Por, Rusia asnjëherë nuk u ngop vetëm me konfliktet e krijuara në shtetet që kufizohen me të ku jetojnë pakica ruse. Ndërhyrja e këtij shteti në konfliktin e Nagorno Karabakh (duke pasur rol bosht në konfliktin për këtë territor në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit), por sidomos mbështetja e Serbisë në konfliktet që ajo i krijonte dhe vazhdon t’i krijojë në territorin e ish-Jugosllavisë, dëshmon se ky shtet rrezikon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare duke ushtruar kontroll mbi këto konflikte të ngrira me qëllimin e vetëm minimizimin e rolit të perëndimit.
Veriu i Kosovës i ka pikërisht tiparet e një konflikti të ngrirë të krijuar nga Serbia, me mbështetje të Rusisë, me qëllim të ndezjes së krizave çdo herë kur Kosova, në bashkëpunim me shtetet e perëndimit, bënte hapa drejt fuqizimit të shtetësisë së saj. Edhe pse ka shumë elemente dalluese mes veriut të Kosovës dhe rasteve si Krimea në Ukrainë, qëllimi i Rusisë dhe Serbisë nëpërmjet krijimit dhe mbajtjes së konflikteve të tilla është identik. Mediet botërore, por edhe liderët anekënd botës, tashmë tepër të preokupuar me Ukrainën, po harrojnë se gati të njëjtat veprime që Rusia po i bën tani ne Krime, Serbia i ka ndërmarrë në veri të Kosovës qysh nga viti 1999. Vendosja e forcave të armatosura serbe, e inteligjencës serbe, trupave paramilitare dhe trupave të tjera ilegale, e deri te strukturat tjera shtetërore serbe (përfshirë këtu gjykatat, spitalet, administratën, etj.) kanë qenë akt i pastër i shkeljes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë. Për fat të keq, këto veprime kurrë nuk u dënuan me të njëjtin seriozitet që sot po dënohen veprimet e Rusisë. Është krejt e kuptueshme që roli i Rusisë dhe Serbisë nuk mund të krahasohet, si dy shtete me fuqi krejtësisht të ndryshme në arenën ndërkombëtare, mirëpo shkeljet në këtë rast janë të njëjta, dhe të kryera me motive të njëjta.
Pavarësisht disa përparimeve lidhur me integrimin e strukturave në veri, Serbia ende sillet sikur veriu është pjesë e saj edhe pse dialogu Kosovë-Serbi vazhdon. Veprimet e tilla dëshmojnë se ky shtet do të tentojë ta mbajë gjallë një konflikt të ngrirë në veri të Kosovës, me qëllim që ta destabilizojë situatën sa herë të dojë, e rrjedhimisht të bëhet faktor vendimtar në përcaktimin e politikave perëndimore në raport me rajonin. Se sa e rrezikshme është të mbyllen sytë apo të kërkohet stabilitet i rrejshëm afatshkurtër, tashmë e dëshmoi Ukraina, siç e dëshmoi kohë më parë edhe Gjeorgjia. Perëndimi duhet të ketë përgjigje shumë më të qartë ndaj agresorëve si Rusia e Serbia, që çdoherë kanë qenë iniciues të konflikteve e luftërave që patën për pasojë humbjen e shumë njerëzve.
(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane)


