RCCOLA

Konfirmojnë riformatimin

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk e ka mohuar mundësinë e riformatimit të Qeverisë, por ka thënë se nuk është në dijeni se cilët janë emrat që priten të largohen nga ekzekutivi. Burime të Express pohojnë se gjithçka pritet të sqarohet pas kthimit të Kryeministrit Hashim Thaçi në vend.

Përfoljeve të fundit për ndryshimet në kabinetin qeveritar u dha një përgjigje Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në një prononcim për Express, Kuçi ka thënë se nuk ka ende diçka konkrete rreth procesit të riformatimit, por nuk e ka mohuar se ai do të ndodhë.

“Shumë sinqerisht, me mua ende askush asnjë emër për këtë proces nuk e ka diskutuar”, tha Kuçi të mërkurën për Express.

Pacolli pati paralajmëruar se ndryshimet në kabinetin qeveritar priten të ndodhin pas kthimit Kryeministrit Hashim Thaçi të kthehet nga Brukseli.

“Do të kemi një formatizim të qeverisë shumë shpejt. Brenda këtij muaji. Javën e ardhshme do ketë negociata me Kryeministrin Thaçi”, tha Pacolli.

I njëjti bëri të ditur se Thaçit do t’ia kërkojë Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, duke u thirrur në marrëveshjen e koalicionit me të e në bazë të së cilës AKR’së i takon edhe një post ministror.

Post ky të cilin partia e Pacollit po e kërkon me ngulm, sidomos pasi Ministri i FSK’së, Agim Çeku nga Koalicioni për Kosovë të Re aderoi në PDK.

“Pra, ne do të takohemi me Kryeministrin dhe në këtë rast, AKR’së do t’i jepet dikasteri i vet, Ministria e Zhvillimit Ekonomik”, tha Pacolli.

Hidromorava

Ndër emrat e përmendur për MZHE, ndërkaq janë Vegim Gashi dhe Mimoza Kusari- Lila, e cila aktualisht kryeson Ministrin e Industrisë dhe Tregtisë. Pacolli nuk ka dashur të flasë se cilin prej tyre do të zgjedhë.

Ndërkohë që në PDK përgatitjet e Pacollit për ndryshimet eventuale në Qeveri po shihen si të ngutshme.

Burime të Express kanë pohuar se procesi do të ndodhë, por jo në javën e ardhshme siç po thotë Pacolli.

“Është ende herët të flitet për këtë. Kryeministri pas Brukselit do të shkojë në një udhëtim tjetër zyrtar , kështu që duhet të presim kur ai të jetë gati të bisedohet për këtë”, ka thënë një zyrtar i lartë i PDK’së për Express.

Ditë më parë edhe zëdhënësi i PDK’së, Blerand Stavileci, kishte thënë se gjithçka që ka të bëjë me riformatimin i mbetet Kryeministrit.

“Kjo i takon kryeministrit, përsëri ai do të diskutojë edhe me udhëheqësit e tjerë të koalicionit dhe do të vendoset për të gjitha”.

Stavileci ndër të tjera pati thënë se shefi i tij as që e ka diskutuar çështjen e riformatimit me partinë. “As vlerësimi i performancës së ministrave ende nuk është bërë. Performanca është edhe kolektive, por natyrisht është edhe individuale. Në momentin që bëhen këto vlerësime, me siguri që do të ketë edhe pozicionime konkrete”, ka thënë Stavileci.

Ndryshimet në kabinet qeveritar ndërkaq ka kohë që përfliten në opinion. Ndër ministrat më të përmendur për shkarkim është ai i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Kjo për shkak të skandalit të fundit me tenderin e pasaportave në ministrinë e tij, e që i kushtoi buxhetit të Kosovës me keqpërdorim të mijëra eurove, për çka është duke u zhvilluar edhe një proces gjyqësor.