Eko Higjiena

Konferenca e koncerte!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Beqë Cufaj-Diku duhej nisur. Themelimi i Ministrisë së Diasporës në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka qenë dhe është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në shtetet të ndryshme të Europës, dhe nëse doni edhe botës.

Edhe përzgjedhja e ministrit me emrin Ibrahim Makolli, ka qenë dhe është zgjedhje e mirë dhe e duhur. Bile duhet edhe të pajtohemi që përkundër krejt vështirësive fillestare-duke filluar nga konsolidimi i buxhetit e deri te sigurimi logjistik i zyrave e stafit, për dhe në këtë ministri, çuditërisht dhe me siguri duke iu falënderuar punës së madhe të këtij ministri kanë shkuar shpejt, shumë më shpejt sesa te ministra tjerë të kabineteve të mëparshme apo edhe të këtij kabineti.

Ndoshta kjo mund të shpjegohet edhe me faktin që për këtë resor, “miqtë” ndërkombëtarë nuk i kanë i futur edhe aq shumë gishtërinjtë dhe kokat e tyre prej “spin doktorëve” që dinë çdo gjë…

Pra, marrë në tërësi, kjo ministri nën drejtimin e Makollit, ka bërë një profil të të cilit do të duhej t’ia kenë lakmi edhe kolege e kolegë të tjerë.

Gjithsesi, krejt kjo që deri këtu u pohua do të mund të quhej edhe si vetëm njëra anë e medaljes. E ana e tjetër e po të njëjtës histori, tregim … për këtë Ministri del më tjetër. Do ta quaja shumë më kaotike, pa sistem dhe nëse doni edhe retrogarde.

Pse?

Fundamenti

Sepse Ministria e Diasporës, sado e rëndësishme dhe sado dinamike që po tregohet kujtoj që e ka nisur gabimisht, po vazhdon gabimisht dhe me këtë sistem pune nuk do të sjellë as edhe një risi në atë që njerëzit e zakonshëm, qytetarët e Kosovës në vendet e emigruara apo edhe të afërmit e tyre në Kosovë do të duhej ta prisnin.

Kjo mund dhe duhet thënë sepse konturat janë të gabueshme. Jo pse duhet të kemi diçka kundër konferencave e koncerteve por pse ato janë pak- ose thënë edhe më mirë asgjë kundruall asaj që do të mund të quhet identifikim të, së pari problemeve e më pas edhe potencialeve me të cilat diaspora e Kosovës, sidomos në Europë dhe në vende si Gjermania, Zvicra, Austria, Skandinavia, Italia, Anglia e Amerika i ka.

Pos koloriteve që secili vend i ka më vete, kujtoj që ajo që deri më tash ka munguar është edhe një kategorizim i gjeneratave të kësaj disapore. Këtë element e kanë si një çelës për çdo veprim edhe kroatët edhe izraelitët, por edhe grekët e serbët… Me një fjalë-cilat janë gjenertatat e kësaj diaspore. Çfarë të bëhet me të moçmit, mesmët dhe sidomos të rinjtë. A ka sistem shkollor dhe nëse jo pse jo… Apo duhet harxhuar mijëra e mijëra euro për takime koti nëpër Europë (konferenca) për të bashkëbiseduar rreth “programeve” arsimore në vend që ambasadave të Kosovës dhe konsullatave t’u jepet direktiva që të bëjnë identifikimin dhe klasifikimin e vendeve, ku do të mund të hapej mësimi plotësues për fëmijët e shqiptarëve që jetojnë gjithandej në Europë e Amerikë.

Pa lënë anash këtu nuk është edhe elementi kyç: ai i atdhedashësve që kanë kohë të jenë për këtë dhe atyre që thjesht nuk e kanë kohën. Sidomos kategoria e dytë, e këtyre, krysisht fëmijëve të tashmë tre brezave e gjysmë të shkuar në Kosovë nga vitet 90 do të duhej të jetë interesante. Sepse këta mijëra e mijëra dikur fëmijë e sot të rritur janë të shtrirë gjithandej në koncerne bankash, firma sigurimesh, institucione politike e kulturore në Europë… dhe do të ishte naive që të pritet se ata do të donin të kthehen në Kosovë.

Por ajo që gjithsesi me ta do të mund të bëhej është një bazë e të dhënave për ta e cila do t’i hynte në punë shtetit të brishtë të Kosovës me mungesën kryesore që e ka: atë të potencialit njerëzor. Dhe ky potencial ekziston- vetëm se duhet identifikuar dhe joshur. Ja një shembull: Sllovenia, e cila para disa vjetësh pati kryesimin e BE-së në Brdo të Kranjit për gjashtë muaj me radhë sa mbajti stafetën e Bashkimit Europian kishte ftuar për punë të përkohshme as më pak e as më shumë se 600 të rinj, studentë e punëtorë të saj që jetonin e punonin në Europë për të ndihmuar në organizimin e presidencës, e cila edhe u përmbyll me sukses.

Ky detaj është shembulli më i mirë i asaj që dua të them. Është mirë që po punohet me dhe për diasporën- por nuk mund të themi që vetëm ajo pjesë e konferancierëve dhe pjesmarrësve të koncerteve është tërë profili i diasporës. Përkundrazi. Sfida është dhe do të jetë si të kontaktohen dhe joshen të rinjtë tanë që janë aq të vyeshëm dhe shtrirë gjithandej në korporata dhe institucione aq të fuqishme gjithandej në botë… Ky segment ka më shumë rëndësi se edhe vetë regjistrimi a pjesëmarrja në parlament e diasporë… Jemi në shekullin 21 dhe në vitin 2012. Të mendohet që diaspora është ajo: e konferencave e koncerteve i ngjet gadi një fyerjeje…