RCCOLA

Komuna e Gjilanit në aksion për kërkim të burimeve alternative për ujin e pijshëm

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Në bazë të vendimit të kryetarit të Komunës së Gjilanit të datës 25.02.2014 për themelimin e Komisionit për përballimin e situatës emergjente të thatësisë, sot në ditën e parë është mbledhur Komisioni, të cilin e udhëhoqi nënkryetari i Komunës së Gjilanit dhe kryetari këtij komisioni, Rexhep Kadriu.

Pasi u analizua e gjithë gjendja, u konstatua se Gjilanit momentalisht i mungojnë 120 litra ujë për sekondë, ndërsa është vendosur nga data 1 mars do të ketë orar të ri të reduktimeve, ku ky orar do të respektohet plotësisht.

Nga e hëna, inspektoriati i Komunës në bashkëpunim me kompaninë “Hidromorava” dhe në asistencë të Policisë së Kosovës do të marrin masa që të gjitha autolarjet, të cilat furnizohen nga rrjeti i ujësjellësit, të shkyçen me automatizëm.

RCCOLA

Në takim u vendos që nga e hëna të inspektohen dy burime të reja alternative në lokacionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për këtë Komuna e Gjilanit ka bashkëpunim të ngushtë me FSK-në për shfrytëzimin e këtyre burimeve për nevojat e qytetarëve.

Alternativa e dytë është që të inspektohen burime të ujit në fshatin Koretishtë, ku do të shikohet mundësia e hapjeve të puseve të reja për furnizim të qëndrueshëm të qytetarëve.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe nënkryetari Rexhep Kadriu, iu bënë apel të gjithë qytetarëve që maksimalisht ta kursejnë ujin e pijshëm, shkaku gjendjes së rëndë të furnizimit me ujë si pasojë mungesës së reshjeve./rajonipress/