RCCOLA

Komiteti i Arsimit miraton raportin e punës së Drejtorisë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Komiteti për Arsim, në mbledhjen e tij të fundit për këtë vit, ka miratuar raportin e punës së Drejtorisë së Arsimit për periudhën 11 mujore, të cilin e ka prezantuar drejtori Bujar Nevzati, ndërkohë që e ka rekomanduar për KPF propozimin për shikimin e mundësive për kompensimin e rrugës për punëtorët arsimorë.

Edhe ky vit shkollor ka filluar mbarë dhe ka ecur mirë deri në përfundim të këtij gjysmëvjetori, ka thënë Nevzati, duke nënvizuar se pasqyra e suksesit nuk është kompletuar ende por në janar do të ketë gati. Ai u shpreh i kënaqur me arritjet e nxënësve të kësaj komune në garat e ndryshme, duke veçuar nxënësit e shkollës “Thimi Mitko”, të cilët zunë vendin e parë në kuisin “Evropa”.

Gjatë këtij viti janë zgjedhur 16 drejtorë të shkollave dhe një zëvendësdrejtor, ndërkaq në shtator, në bazë të konkursit janë pranuar 104 punëtorë arsimorë. Sivjet kemi filluar me një shkollë të re në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”, shkolla e bujqësisë do të hapet në gjysmëvjetorin e dytë, ndërkaq gjimnazi i ri do të jetë i gatshëm për shtatorin e ardhshëm, ka thënë Nevzati.

Përndryshe, komuna e Gjilanit veçohet nga MASHT-i, për decentralizimin e buxhetit të shkollave, për bashkëpunim me donatorët e jashtëm, për krijimin e kushteve për fëmijët me nevoja të veçanta si dhe për kompletimin e dosjeve të punëtorëve për licencim, ka thënë Nezati.

Edhe Shkëlqim Latifi, kryesues i KA, u shpreh i kënaqur me rrjedhat në arsim, duke thënë se DKA ka bërë një punë të mirë, ndërkaq sa i përket kompensimit të shpenzimeve të rrugës për punëtorët arsimorë, ai kërkoi që të gjenden mundësi për të zgjidhur edhe këtë problem, duke nënvizuar shembullin e komunës së Prizrenit, ku çështja e udhëtimit është rregulluar prej disa vitesh.

Latifi e ka ngritur edhe problemin e kompensimit të disa mësimdhënësve, të cilët nuk janë përfshirë në listën e pagave si dhe çështje të tjera nga fusha e arsimit, ndërkohë që një sfidë tjetër për DKA-në, sipas tij, mbetet emërtimi i disa shkollave, proces ky që duhet të kryhet sa më parë, në mënyrë që secila shkollë të ketë identitetin e saj.

Saranda Bllaca e ka ngritur problemin e mungesave të nxënësve nëpër shkolla, që sipas saj janë mjaft të mëdha, duke thënë se komisioni nuk është takuar për të shqyrtuar ndonjë rast, sikurse edhe nivelin jo të kënaqshëm higjienik në disa shkolla.

Mimoza Shkodra tha se nuk duhet të tolerohet rrahja e nxënësve në shkolla, duke përmendur një rast në shkollën “Thimi Mitko”, ku sipas saj, është rrahur një nxënës nga kujdestari i ditës për shkak të mbathjeve.

Uji Dea

Ajtene Shahiqi e ka ngritur çështjen e rajonizimit, duke thënë se disa shkolla kanë ngelur me numër të vogël të nxënësve nëpër klasa, gjë që mund të qojë deri te shuarja e vendeve të punës së mësimdhënësve.

Rashit Sahiti kërkoi nga drejtori i Arsimit informacione rreth përfshirjes në sistemin e pagave të mësimdhënësve të pranuar në shtator të këtij viti, për numrin e shkollave që ende punojnë në tri ndërrime si dhe kohëzgjatjen e orëve mësimore në disa shkolla.

Sa u përket mungesave në procesin arsimor, Bahrije Veseli kërkoi që kjo çështje të shikohet edhe te mësimdhënësit, derisa për tekstet shkollore, ajo propozoi që të mos shpërndahen çdo vit, por ato të përcillen te gjenerata vijuese, ndërkaq mjetet që kursehen nga kjo mënyrë e sigurimit të teksteve, të shfrytëzohen për nevoja tjera në shkolla.

Bujar Nevzati, drejtor për Arsim, tha se është e nevojshme një ngritje më e madhe e vetëdijes së punëtorëve arsimorë, sa u përket mungesave në shkolla, duke theksuar se disa prej tyre nuk kthehen në punë pas përfundimit të seancave të Kuvendit Komunal, ku ata janë këshilltarë.

Sa i përket higjienës nëpër shkolla, ai ka nënvizuar se është vlerësim i inspektorëve sanitarë që gjendja e përgjithshme është shumë më e mirë se vitin e kaluar, duke shtuar se drejtorët e dy-tri shkollave nuk janë pajtuar me vlerësimin negativ të inspektorëve, pasi që inspektimi është bërë në kohën mes dy ndërrimeve, kur nuk është arritur të bëhet pastrimi i hapësirës.

Nevzati ka pranuar se ka pasur disa probleme sa i përket rajonizimit, gjë që ka ndodhur për shkak të ndryshimit të adresave të banimit nga disa nxënës, por premtoi se ky problem do të zgjidhet në vitin e ardhshëm në mënyrën më të mirë, sepse prindërve do t`u dërgohen me kohë hartat e qytetit, për t`u deklaruar se ku banojnë.
Tash për tash, në tri ndërrime punojnë ende shkolla “Thimi Mitko” dhe Gjimnazi. Te shkolla e Mjekësisë zgjidhja do të bëhet shpejt, ndërsa gjimnazi duhet të pres deri në shtatorin e ardhshëm, kur do të jetë gati objekti i ri.

Sa i përket pagave të punëtorëve arsimorë, Nevzati ka thënë se të gjithë ata që janë pranuar në shtator, janë futur në listat e pagave, sikurse është bërë zgjidhja edhe për 12-13 punëtorët me kontrata, të cilët janë pranuar më vonë.

Nevzati premtoi se DKA do të angazhohet për të siguruar mjete edhe për kompensimin e udhëtimit të punëtorëve arsimorë, nëse ky propozim miratohet nga Kuvendi Komunal. /rajonipress/