KKGJILAN

Gagica: Pushteti aktual në Gjilan e në nivel vendi, është ndërtuar mbi bazën e mashtrimeve, shpifjeve, etiketimeve, gënjeshtrave

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Koalicioni qeverisës është i dështuar dhe mbahet ‘gjallë’ vetëm për shkak të numrave në kuvend e shpeshherë për interesa individuale e grupore, por jo edhe për komunën dhe qytetarët e saj. Gjilani ka kryetar që merr pagë, ka drejtorë që po ashtu marrin paga, por ama këtu përfundon. Ata nuk e kuptojnë përgjegjësinë e tyre që kanë në raport me qytetarët, të paktën në raport me votuesit e tyre thotë Nazim Gagica kryetar i degës së AAK-së në Gjilan.

Reagimet më të shumta dhe më të shpeshta që sot e një kohë të gjatë dominojë dhe janë të pranishme në mesin e qytetarëve janë nëse Gjilani ka zot shtëpie dhe nëse qeverisja komunale e ka të qartë përgjegjësinë që i takon në raport me qytetarin.

Duke e parë injorancën totale që po i bëhet kërkesave urgjente të qytetarëve Nazim Gagica kryetar i degës së AAK-së është përgjigjur në pyetjet aktuale të bëra nga Rajonipress.

Rajonipress: A është momenti i duhur që Gjilani të krijojë një ekip të shpëtimit për shkak të qeverisjes së keqe dhe të rënduar në çdo sferë të jetës?

Gagica: Gjilani nuk ka situatë emergjente, ka një qeverisje e cila nuk po e kryen punën e saj. Nuk bëhet fjalë për një kryetar të dobët apo një a më shumë drejtorë të dobët, fatkeqësisht, problemi është më i thellë se kaq, bëhet fjalë për një mentalitet çoroditës politik që krejt aksidentalisht sot udhëheq me Gjilanin. Komuna e Gjilanit në historinë e saj të qeverisjes së pasluftës, asnjëherë nuk është përballur me situata të këtilla çfarë po ndodh sot. Edhe atëherë kur buxheti i Komunës dhe ai i shtetit ishin shumë i vogël, ka pasur investime, ndërsa sot kur pushteti qendror mburret me rritjen e buxhetit të shtetit, Gjilani përballet me krizën më të madhe.

Rajonipress: Sa është i qëndrueshëm koalicioni LVV e PDK dhe a mendoni se deri tani vetëm interesat klanore e familjare i ka lidhur këtë koalicion?

UBT

Gagica: E thash pra, koalicioni qeverisës është i dështuar dhe mbahet ‘gjallë’ vetëm për shkak të numrave në kuvend e shpeshherë për interesa individuale e grupore, por jo edhe për komunën dhe qytetarët e saj. Shumica artificiale e krijuar në Kuvend, shpesh herë mbanë peng qeverisjen komunale, sepse një mentalitet politik që nuk sheh përtej interesave individuale e grupore, kriza nuk përjeton për çështje të interesit qytetarë por veç atëherë kur preken interesat e tyre.

Rajonipress: Si e shihni heshtjen dhe injorimin e Alban Hysenit karshi gjendjes së rënduar ekonomike, sociale e politike dhe injorimin ekstrem të kërkesave rreth gjendjes së rrugëve?

Gagica: Nuk është heshtje e as injorim, është mungesë e përvojës dhe e dijës për të udhëheq me Komunën. Gjilani ka degraduar në secilën sferë të jetës, nuk lëvizë asgjë para, ndërsa po shkatërrohet edhe ajo që me shumë mund e punë është ndërtuar. Rrugë të asfaltuara kanë mbetur vetëm brenda qytetit, aty ku ne kemi ndërtuar. Ju e dini se qeveria Haradinaj pati sjellur shumë projekte në Gjilan, të themi hera e parë që si Komunë e kishim vëmendjen e plotë nga niveli qendror, me ardhjen e pushtetit të ri, janë anuluar projektet dhe sot kemi këtë situatë çfarë e dimë të gjithë.

Rajonipress: Pse Gjilani nuk ka zot shtëpie, ku është fajtori dhe kujt i bie përgjegjësia?

Gagica: Gjilani ka kryetar që merr pagë, ka drejtorë që po ashtu marrin paga, por ama këtu përfundon. Ata nuk e kuptojnë përgjegjësinë e tyre që kanë në raport me qytetarët, të paktën në raport me votuesit e tyre. Gjilani ka shumë deputetë nga radhët e partisë në pushtet. Mbi 32 mijë vota të qytetarëve kanë shku për partinë në pushtet. Çka i kanë sjellë Gjilanit ata? Kur ata kanë fol për interesat e votuesve të tyre? Cili është projekti që e kanë nxjerrë për Gjilanin? Fajtorë nuk janë qytetarët, sepse ata kanë besuar se vërtetë këta janë ndryshimi. Pushteti aktual në Gjilan e në nivel vendi është ndërtuar mbi bazën e mashtrimeve, shpifjeve, etiketimeve, gënjeshtrave e rrugëve që bien ndesh me parimet e një subjekti normal politik e demokratik. Deputetët e Gjilanit më shumë janë ‘udhëheqës’ të Komunës së Gjilanit se sa deputetë, fatkeqësisht. Dua të them se si AAK në Gjilan jemi duke u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku në bazë të asaj që po ndodh tek ne, do të jemi në pushtet. Kemi një ekipë të shkëlqyer, profesionale, me njerëz të dëshmuar në secilën etapë të historisë dhe besojmë se ky është një shans i mirë edhe për Gjilanin dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Jemi shumë të vendosur që të jemi fuqishëm në shërbim të qytetarëve dhe të zhvillimit të Komunës sonë. Fat i madh që njerëzit e kanë kuptuar saktë mashtrimin që iu është bërë dhe si pasojë ata po i afrohen AAK-së dhe vizionit të saj të qartë për Komunën dhe për shtetin./rajonipress/