UBT

Koha për ushtri

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Milaim Shefkiu – Lajmi që na e dha kryeministri Hashim Thaçi se brenda pak muajsh Kosova do të bëhet me ushtri u përjetua si sihariqi më i mirë i fillimvitit. Pavarësisht se në këtë frazë mund të ketë ngjyra të politikës zgjedhore, megjithatë ideja për ushtri të shkruar me “bolld” në zhargonin urban, ushtri që flet shqip dhe mendon shqip, tejkalon barometrat zgjedhorë.

Se pas gjashtë vitesh vendi duhet të ketë një ushtri, është e natyrshme për përmbushjen e ëndrrës shekullore të shqiptarëve në Kosovë.

Kosovarët gjithandej në histori kanë qenë ushtarë, madje thonë të kenë qenë të mirë edhe kur ishin në shërbim të “dreqit e të birit”.

Një herë kanë shërbyer si nizam të Osmanllisë, duke ruajtur kufijtë e një perandorie që kishte pushtuar tri kontinente, më vonë duke i shërbyer, herë ushtrisë së Kralit e herë të Carit, gjermanit e partizanit, grekut e kujt jo tjetër, por asnjëherë në ushtrinë e Kosovës.

Shumë djem tanë që i kanë shërbyer Turqisë, kanë mbetur llogoreve të botës, deri në Jemen.

Shkrimtari anglez me famë botërore, Xhorxh Gordon Bajroni, u thuri ode ushtarëve shqiptarë që luftuan për çlirimin e Greqisë: “O ju trimat e Shqipërisë, që lirinë ia dhatë Greqisë”, thoshte ai.

Jo shumë moti “mrtva strazha” (roja e vdekjes) ka qenë roja më e “preferuar” e ushtarëve shqiptarë në ish-Jugosllavi. Kjo roje ka qenë e detyrueshme për një shtet që e kanë sfiduar përditë.

Eco Higjiena

Pas gjithë kësaj historie të shkruar gjithandej botës, ka ardhur momenti i duhur që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. Nuk është shumë e rëndësishme se si e ka emrin, a është FAK apo FARK apo me ndonjë emër tjerë.

E rëndësishme është se ajo do të jetë ushtri e Kosovës, e cila në substancë ka UÇK-në, e do të jetë e gatshme që ta ruajë tërësinë territoriale të Kosovës. Normalisht, pas disa vitesh, kur këtu nuk do të ketë më NATO.

Duhet të dihet qartë se mbi çfarë baze ndërtohet kjo ushtri. A qëndron NATO-ja prapa saj dhe a ka Kosova të njëjtën pikë koordinuese me ata që na ndihmuan të bëhemi shtet. Nëse këtu ka devijime, natyrisht se ideja e kryeministrit është për të dështuar, ndërsa dëshpërimi do të jetë radikal.

Ushtria e re, me emër të ri, siç duket, nuk do të ketë ushtarë aq sa mund të kemi menduar dikur, sepse ligji i xhunglës për qindra mijëra ushtarë ka rënë nga sistemi. Ushtria e Kosovës po ashtu nuk do të ketë as aeroplanë F16, sepse logjika e MIG-ëve është bërë e tejkaluar për karakterin e shteteve si këto ballkanike. Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë efikase për nivelin ballkanik, dhe sipas nevojave, do t’u shërbejnë edhe shteteve të tjera nëse kërkohet prej tyre. Të paktën kështu e përshkruajnë, në vija të trasha, ekspertët e sigurisë mozaikun “bardhezi” të ushtrisë së Kosovës.

Edhe pse në këtë fazë fillestare kërkohet të hidhet dritë mbi idenë për ushtrinë kosovare. Që të hiqen paqartësitë dhe dilemat ashtu që të bëhet e qartë se, vërtet, “kjo është koha për asqer, për herë të parë për vete”.

Edhe pse u tha qartë se Kosova po bëhet me ushtri, jo pak paqartësi e dilema kanë mbetur prapa. Si do të shkojë procedura e rekrutimit nuk është qartësuar ende. Megjithatë, më shumë se kjo rëndon paqartësia se çka në të vërtetë nënkuptojnë paragrafët e Marrëveshjes së Brukselit, gati një vit më parë, ajo e 19 prillit, nëse kësaj ushtrie nuk do t’i lejohet edhe një kohë të shkelë edhe veriun.

Vetë ideja e ushtrisë së Kosovës ka entuziazmuar shqiptarët që me të drejtë e kanë pritur këtë ditë. Dilemat e paqartësitë duan një qartësim. Mbase edhe qenka shkruar që gjithmonë të na dalë diçka që edhe gëzimin të mos e keni gëzim të plotë.