Koha e poezisë në Kishën e Shën Anës

Nga Sabit Rrustemi – Pjesa qendrore e Manifestimit rajonal të poezisë, “Trekëndëshi poetik i paqes”, është KOHA E POEZISË (ora e madhe letrare), e cila që nga fillimi (2010) mbahet në Kishën e Shën Anës, në Dunav, një objekt ky më i afërt i trekëndëshit kufitar Kosovë – Serbi – Maqedoni, tashmë i boshatisur dhe nën pronësinë dhe përkujdesjen e Famullisë së Stubllës, që për dekada, përveç besimit, ishte dhe qendër e përkujdesit mjekësor dhe humanitetit e solidaritetit për banorët e Grykës së Karadakut e më gjerë.
Edicioni i tretë me radhë i këtij Manifestimi tashmë tradicional, solli poetë nga e gjithë hapësira shqiptare si dhe mërgata.
Nga Kosova ishin: Agim Gjakova, Ibrahim Kadriu, Isak Ahmeti, Ramadan Mehmeti, Haxhi Vokshi, Nexhat Rexha, Sabit Rrustemi, Albinë Idrizi, Jeton Kelmendi ( mërgatë), Sarë Gjergji, Izet Abdyli, Xheladin Mjeku, Nebih Bunjaku, Engjëll Koliqi, Demush Mehmeti, Dritë Bekteshi, Fadil Abazi, Rrahim Sadiku, Lulzanë Pajaziti, Sinan Sadiku, Menduh Leka, Linditë Ramushi, Fadil Halimi, Fehmi Korça ( mërgatë) ,Musa Ahmetaj, Rudi Berisha, Zeqir Fazliu, Hysen Këçiku, Jusuf Bislimi, Ormira Dibrani, Aida Kamerolli, Elona Haziri, Jeta Sopa, Bilall Haliti. Nga Shqipëria, Agim Mato, Nikollë Spathari, Mimozë Erebara, Agim Bajrami, Sazan Goliku, Rozete Kreste, Pellumb Gorica, Hyqmet Hasko, Namik Selmani. NGa Maqedonia, Nehas Sopaj, Bejtush Mehmeti, Rrahim Ganiu, Sevdail Demiri, Sunaj Rahimi, Burhamedin Xhemajli, Ismajl Bilalli, Rexhep Bajrami. Nga Kosova Lindore (Serbi), Bilall Maliqi, Arsim Halili, Nehat Ramizi e Rexhep Abazi.
KOHA E POEZISË nuk ka karakter garues por, prezantues dhe afirmon vlerën dhe poetët pjesëmarrës. Të gjitha poezitë e lexuara që i përmbushin kërkesat artistike botohen më pas në LIbrin e Përbashkët të Manifestimit, me të njëjtin emër dhe, prezantohen në edicionin e ardhshëm.
Edhe kësaj radhe, moderatori i kësaj maratone poetike, Tahir Arifi, prezantoi edicionin e dytë 2012, ku janë publikuar poezitë e tridhjetepesë poetëve nga edicioni i kaluar.
Pjesë e KOHËS SË POEZISË, në Kishën e Shën Anës, përpos një numri të konsideruar artdashësish, medias si dhe banorëve të shpërngulur të kësaj pjese, ishin edhe personalitete publike të Kosovës, si Dom Lush Gjergji, z/ ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, z. Hajdin Abazi ( i cili me pak vonesë erdhi direkt nga Tirana), z. Veton Nevzadi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjilanit, Dom Albert Jakaj etj.
Me përfundimin e Orës së Madhe Letrare KOHA E POEZISË, u përmbyll edhe edicioni i sivjem i këtij Manifestimi.
Organizatori i këtij Manifestimi, Ars Clubi “Beqir Musliu’, një asociacion alternativ i shkrimtarëve në Kosovë, me seli në Gjilan, për poetët dhe pjesëmarrësit e këtij Manifestimi, shtroi edhe drekën me ushqime tradicionale, në ambientet e restaurant – bar” MBRETI” – it (Lladovë), si pjesë përbërëse e kësaj veprimtarie letrare e cila i përkushtohet Ditës së Lirisë për Kosovën dhe, çlirimit të Gjilanit.
Mbështetës të kësaj veprimtarie, krejt ndryshe nga veprimtaritë e kësaj natyre në Kosovë, ishin MKRS – Departamenti i Kulturës dhe DKRS e Gjilanit. Kurse ndihmuan në organizim edhe Famullia e Stubllës, Restaurant DUNAVI, restaurant – ba MBRETI (Lladovë), Shoqata e gjuetarëve “Agim Ramadani” si dhe Shoqata kulturo – humanitare “Kurexhaj” nga Zhegra./rajonipress/