FIDANISHTJA

Koalicioni sekret me dizel mafinë

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Lavdim Hamidi – Nuk ka mbetur kioskë pa u fiskalizuar, ndërsa “sharra në gozhdë” Administratës Tatimore të Kosovës po i has me bizneset që kanë qarkullim qindra milionësh, përkatësisht me ato që merren me importin dhe shitjen e derivateve të naftës në Kosovë.

Këto të fundit po insistojnë që të lirohen nga fiskalizimi jo për faktin se nuk kanë potencial financiar për t’i blerë pajisjet fiskale, por pikërisht se e posedojnë një potencial të tillë dhe në këtë mënyrë ka shumë mundësi t’u jetësohet kërkesa.

Është e qartë se naftëtarët kanë ndikim të madh te shumica e grupeve parlamentare, pasi që për subjektet kryesore politike “derdhin thasë me para” në kohë fushatash parazgjedhore. Dhe si zakonisht e mira kthehet me të mirë.

Kjo edhe ndodhi në seancën e fundit të Parlamentit të Kosovës, ku deputetët e partisë më të madhe opozitare dhe ata të partisë më të vogël në pushtet, përkatësisht të LDK-së dhe AKR-së, ishin ndjerë keq nga “vobektësia” e naftëtarëve dhe kërkuan nga Qeveria që naftëtarët t’i amnistojë nga pagesa e fiskalizimit.

Kërkesë më të paarsyeshme dhe njëkohësisht më absurde sesa amnistimi i naftëtarëve nga fiskalizimi ka kohë që nuk kisha dëgjuar në seancat e legjislativit. Pas kësaj kërkese nuk ka asgjë për t’u çuditur se pse asnjëherë deri më tani këta deputetë nuk kanë reaguar për çmimet e larta të derivateve të naftës në Kosovë e as për cilësinë tepër të ulët të tyre.

Asnjëherë të vetme në “tempullin e demokracisë” nuk u debatua siç do të duhej për manipulimet e naftëtarëve me çmimet e derivateve e as kur këta të fundit fusin në Kosovë naftë me përqindje të lartë të sulfurit, që u dëshmua se është kancerogjene.

FIDANISHTJA

Madje edhe kur plasi skandali se nafta me të cilën ngrohen nxënësit në shkollat e kryeqytetit përmban përqindje të lartë të sulfurit, përfaqësues të partisë më të madhe në pushtet dhe të asaj më të madhe në opozitë, kërkonin me ngulm që të mos bëhet “zhurmë për asgjë”, duke u dalë në krahë bizneseve që i financojnë dhe njëkohësisht duke mos u brengosur për shëndetin e mijëra nxënësve të Prishtinës.

Po këta deputetë, pas më shumë se katër vjet që nga fillimi i procesit të fiskalizimit, asnjëherë nuk e panë të arsyeshme që të kërkojnë rimbursimin e blerjes së pajisjeve fiskale për bizneset e vogla, “pilareve”, të cilat mezi mbijetojnë në treg edhe kur shumë prej këtyre të fundit ankoheshin se po detyrohen të marrin kredi të shtrenjta në banka për t’i blerë arkat fiskale.

Njëkohësisht shumë biznese të vogla po vazhdojnë të mbyllen për çdo vit në Kosovë si pasojë e mungesës së subvencionimeve shtetërore dhe për shkak se bizneset e mëdha, pas të cilave qëndrojnë zyrtarë të lartë të institucioneve, vetëm sa po forcohen.

Shumë reale janë ankesat se fiskalizimi është proces i shtrenjtë dhe kjo u është besuar disa bizneseve që janë të lidhura ngushtë me politikën, mirëpo kjo është një çështje tjetër, me të cilën do të duhej të merret prokuroria.

Përfundimisht këto parti politike, sidomos ato opozitare, nëse ia arrijnë qëllimit për lirimin e rreth 1000 pikave të shitjes së derivateve nga fiskalizimi, apo shtyrjes së mëtutjeshme të këtij procesi, atëherë nuk kanë pse ta kritikojnë Qeverinë çdo fundvit se po miraton buxhet të varfërisë, pasi që po bëhen bashkëfajtorë për mospagesë të taksave dhe stimulim të evazionit fiskal. Dhe në këtë mënyrë po e vazhdojnë koalicionin disavjeçar sekret me mafinë e naftës në kurriz të konsumatorëve.