KKSB: Situata e sigurisë në Komunën e Gjilanit është e qetë dhe stabile
Gjilan – Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi e ka vlerësuar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në qytet dhe fshatra, ku policia gjithë kohën janë me patrullime.
Takimin e radhës së KKSB-së, në emër të kryetarit të komunës Alban Hyseni e hapi nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.
Për situatën e sigurisë në Komunën e Gjilanit, ka raportuar Naser Rrahmani, zëvendës komandant i Stacionit të Policisë në Gjilan, i cili theksoi se kjo situatë e qetë dhe stabile e sigurisë është si rezultat i ngritjes së vetëdijes qytetare dhe aktiviteteve të vazhdueshme policore.
Ai ka treguar edhe për numrin e veprave penale, atyre kundërvajtëse, aktivitetet policore e çështje tjera.
Ndërsa për vlerat e multietnicitetit, ka folur nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, e cila tha se ato kanë nevojë të promovohen dhe festohen.
Sipas saj këto janë një pasuri që e bën shoqërinë tonë më të pasur, më të fortë dhe më të bashkuar. Të jetosh në një komunitet multietnik është një mundësi unike për të mësuar, për të ndarë dhe për të bashkëpunuar duke respektuar dhe çmuar diversitetin.
“Multietniciteti nuk është thjesht ekzistenca e grupeve të ndryshme etnike, por një thirrje për bashkëjetesë harmonike dhe respekt të ndërsjellë”, tha Morina Bunjaku.
Nënkryetarja tha se duhet të ndërtojmë së bashku një të ardhme ku diversiteti është forcë dhe ku të gjithë ndihen të pranuar dhe të vlerësuar.
Ndërsa për lidhjen e marrëveshjeve me komunat fqinje dhe bashkëpunimi me interes për sigurinë në komunat përkatëse, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, tha se në një botë ku sfidat dhe mundësitë gjithnjë po ndërlidhen, bashkëpunimi mes komunave është i rëndësishëm.
“Si pjesë e angazhimit tonë për të ofruar shërbime më të mira dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve tanë, lidhja e marrëveshjeve me komunat fqinje është një hap i rendesishem drejt progresit të përbashkët”, tha ajo.
Sipas nënkryetares bashkëpunimi jo vetëm që forcon marrëdhëniet institucionale, por edhe krijon ura lidhjeje mes njerëzve, duke forcuar ndjenjën e unitetit dhe mirëkuptimit.
Më tej Morina Bunjaku, shtoi se bashkëpunimi është çelësi i suksesit. Vetëm duke punuar së bashku mund të krijojmë një të ardhme më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të begatë për qytetarët tanë.
Ajo tregoi se kanë realizuar marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Ranillugut, për ndriçim publik dhe si rezultat i realizimit të kontratës sociale tre komunitetet kanë qenë përformues të projekteve, për të cilën duhet falënderuar OSCE-në, USAID-in, KFOR-in për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm.
Për vendosjen e kamerave të vëzhgimit në zona, kanë folur zëvendës komandanti Naser Rrahmani dhe nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.
Ata treguan se kjo do t’i zvogëlon dhe parandalon krimet, vjedhjet, ndotjen e lumenjve, hedhjen e mbeturinave.
Janë vendosur 64 kamera në qytet dhe pritet të vendosen edhe 237 të tjera shtesë në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Gjilanit e Policisë me ambasadën amerikane dhe atë britanike./rajonipress/