Kërkohet përfshirja e Amerikës në dialog

Rreth gjysma e qytetarëve të Kosovës mendojnë se dialogu në Bruksel nuk duhet të vazhdojë pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Po ashtu rreth 50 për qind e qytetarëve nuk besojnë se dialogu ka arritur t’i përmirësojë marrëdhëniet mes dy vendeve (Kosovë-Serbi).
Kjo u bë e ditur dje gjatë prezantimit të një hulumtimi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) lidhur me pritshmërinë e qytetarëve rreth fazës përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi.
Jeta Krasniqi, menaxhere e programit në KDI, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mos ketë epilog.
“Nuk është ende e ditur se cilat tema do të diskutohen apo nëse akterë të tjerë ndërkombëtarë, përveç BE-së si ndërmjetësuese, do të përfshihen direkt në këtë proces. Cili do të jetë ekipi negociues, çfarë roli do të kenë institucionet e vendit, duke përfshirë këtu Kuvendin dhe cili do të jetë epilogu i këtij procesi, janë çështje të cilat ende mbesin pa përgjigje”, ka thënë Krasniqi.