UBT

Kërkohet hetim për shkeljet në tenderin e librave shkollorë

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Prishtinë – Deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave, kanë kërkuar hetim të veçantë për procesin e shpërndarjes së librave shkollorë për nxënësit e klasave të ulëta.

Në mbledhjen e këtij komisioni të mbajtur të mërkurën, deputetët kanë kërkuar nga auditorët që të iniciojnë rekomandime drejt Ministrisë së Arsimit për t’i ndaluar keqpërdorimet në procesin e tenderimit për shtypjen e librave shkollorë, por edhe në procesin e shpërndarjes së tyre.

Në raportin kthyes për auditimin e pasqyrave financiare dhe zbatimin e rekomandimeve deri në muajin e nëntë të vitit 2012, thuhet se Ministria e Arsimit nuk ka marrë parasysh rekomandimet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në lidhje me ndërprerjen e shkeljeve ligjore të cilat, sipas auditorëve, e kanë përcjellë ndër vite procesin e dhënies së librave shkollorë.

Fundamenti

“Duhet të hetohet në detaje çështja se si premtohen 500 mijë euro, ndërsa shpenzohen 7 milionë e 500 mijë euro për libra shkollorë”, ka thënë deputeti Ali Sadriu, kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave. “Ajo që nuk dihet është se kush i pranon këta libra kur vjen koha e shpërndarjes së tyre nga shtëpitë botuese tek institucionet arsimore”, ka thënë Sadriu.

Ai pohon të ketë dëgjuar për rastet kur librat e shpërndarë falas nga Ministria e Arsimit, për të cilat janë paguar mbi 7.5 milionë euro, të shiten për letër të thjeshtë me kilogramë në deponitë e letrës.(Koha)