Kërkohen më shumë arsye për ndryshimet e propozuara në planet urbanistike-arkitektonike
Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM) ka shqyrtuar të enjten propozim vendimin për miratimin e kushteve urbanistike-arkitektonike dhe kushteve të ndërtimit në disa pjesë të qytetit si dhe propozim vendimin për zgjidhjen urbanistike për një pjesë të planin detal në lagjen “Qarku” dhe pas një diskutimi të gjatë, ka vendosur që pikën e parë ta kthej për plotësim, ndërsa të dytën e ka rekomanduar për procedim të mëtejmë në KPF.
Bahrije Mahmuti, drejtoreshë për Urbanizëm, ka thënë se miratimi i kësaj zgjidhje është i nevojshëm për shkak se planet e vjetra urbanistike në pjesën e vjetër të qytetit të Gjilanit dhe disa pjesë përreth, janë të tejkaluara dhe nuk përputhen me konceptet zhvillimore dhe destinimet e parapara me planin zhvillimor urban (PZHU) të vitit 2008.
Me qëllim të përshtatjes së këtyre kushteve me PZHU, deri në miratimin e planeve të reja, krijimin e kushteve dhe mundësive për zhvillim bashkëkohor, për rregullimin dhe shfrytëzimin racional të tokës ndërtimore, hapësirës publike, profilimit të rrugëve, lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion si dhe krijimit të kushteve tjera të nevojshme për zhvillim të qëndrueshëm, është parë e nevojshme kjo zgjidhje, ka thënë Mahmuti.
Rexhep Kadriu, anëtar i Komitetit, i cili pati më së shumti vërejtje, tha se arsyetimi pse duhet të bëhen këto ndryshime, është i mangët, aq më tepër te lagja “Dardania” dhe ish-rruga “Musa Zajmi”, duke nënvizuar se nuk është bërë paraprakisht as debati me qytetarë. Vërejtja tjetër që bëri ai, ishte se projekti nuk ka as kosto financiare dhe shprehu dyshime se kjo po bëhet për interesa të caktuara.
Kundër ndërhyrjes te lagja “Dardania”, ishte edhe Shqipe Nuhiu, por ajo është pajtuar se duhet të ketë trajtim të disa rrugëve në pjesët tjera të qytetit. Sipas saj, në zonën e qytetit duhet t`i jepet përparësi etazhitetit më të lartë. Edhe Xhafer Xhelili tha se qendra e qytetit duhet të ketë trajtim të veçantë, ndërsa zgjerimi i rrugëve, është interes i qytetarëve, ka thënë ai.
Ramiz Ramadani ka thënë se ndërhyrja te etazhiteti, në favor të ndërtimeve më të larta, është i domosdoshëm, kurse Bekim Isaku tha se ndërhyrja në ish-rrugën “Musa Zajmi” është e pamundur të bëhet. Leonora Bunjaku ka thënë se ndryshimi nuk mund të bëhet për dy-tre qytetarë, nëse numri i kërkesave nuk është më i madh.
Edhe Florina Zymberi, kryesuese e KPUMM nuk sheh mundësi për ndërhyrje në këtë pjesë, sepse edhe ashtu dendësia e banimit është e madhe dhe nëse lejohet ndërtimi më i lartë, ky numër do të rritet edhe më tepër, gjë që do ta bënte jo funksionale këtë lagje. Ndërsa sa i përket lagjes “Dardania”, Zymberi ka thënë se projektimi i saj nuk është bërë për numër më të madh të banorëve, prandaj nuk do të ishte mirë të ndërhyhet tani.
Bahrije Mahmuti ka thënë se qëllimi ynë është që të krijojmë kritere për zhvillim. Sqarime rreth këtij propozimi për ndryshim, ka thënë edhe arkitektja Selvije Shefkiu, e cila drejtpërdrejt është marrë me këtë proces, duke thënë se qëllim kryesor është zgjerimi i rrugëve.
Ndërkaq, propozimin e dytë, KPUMM e rekomandoi për procedim të mëtejmë, meqë edhe qytetarët janë pajtuar për zgjidhjen e ofruar. Bahrije Mahmuti, ka thënë se në një pjesë të PDU në zonën “Qarku” është paraqitur nevoja e riorganizimit të një hapësire, me qëllim të hapjes së rrugës. Për të realizuar këtë, duhet të shpronësohet një sipërfaqe prej 779 m/2, ku gjendet një objekt banues i papërfunduar, i cili duhet të kompensohet.
Në këtë zgjidhje urbanistike preken edhe dy parcela të një familje tjetër, të cilat, në procedurën e shpronësimit do të ndërrohen, me qëllim të kompletimit të trojeve dhe rrugës publike. Mahmuti ka thënë se qytetarët janë pajtuar për këtë zgjidhje. /rajonipress/


