KKVITI

Këngët që pikojnë gjak

/ 11 minuta lexim

Nga Rrustem Geci – Ese letrar për pedagogun, këngëtarin, kompozitorin, poetin, publicistin dhe mbledhësin e folklorit, Demir Krasniqin.

Në peizazhin e 4 mijë këngëve të mbledhura, dhe një pjesë të përpunuara dhe të kompozuara, nga mbledhësi i palodhur, Demir Krasniqi, nuk mund të kalohet pa e gëlltit një teke, dhe pa ia marrë këngës me të!..

Krijimtaria muzikore e Demir Krasniqit është prej 32 veprave të botuara dhe 17 në dorëshkrim. Kënga shqiptare, e veçmas ajo popullore, në brendinë e saj, shprehet Demir Krasniqi, ka vuajtje, ka dhimbje , ka dashuri. Jetën e shqiptarit dhe këngën e tij, përherë e kanë përcjellur fate jo të mira. Çdo hap që bënte populli aty ishte edhe kënga.

Këngëtari popullor me kujdes bëri tekstin dhe melodinë e shumë këngëve. Autori i këngës popullore ishte vet beteja, njeriu ynë i martirizuar. E bukura e këngëve tona më thotë Demiri, mbetet hyjnore. Në 4 mijë këngët e mbledhura të Demir Krasniqit, motivet janë të ndryshme; ka vuajtje, ka kryengritje, pusi vrasjesh, mashtrime, e krime të lemerishme. I dashuruar pas këngës dhe notave të pashkruara të këngëve, Demir Krasniqi, rend për të mbledh atë që nesër mund të humbet. Nëpër male bëheshin shkollat e luftës.

Nëpër oda absolvonin djemtë e ri dhe trimat. Vajza që ishte fejuar, e po priste martesën, nuk ishte pa dëshirat e saj. Ajo shkruante poezinë e heshtur të shpirtit; Po e tjerr një pe sa fluturon zogu / po e bëjë një plis për të gjithë njerëzit / dhe po e thuri një këngë, që kurrë s´i dalin lotët.

Këngëtari popullor, jo rrallë ishte edhe vet hero i betejave. Në 4 mijë këngët e mbledhura, Demir Krasniqi, prezanton shpirtin e bardhë të shqiptarëve dhe përpjekjet e tij për mbijetesë. Këngëve popullore në Kosovë, këngëtari popullor, tregon për fqinjët serbë, apokalipsit biblik që u binin fshatrave të paarmatosura shqiptare, duke i djegur, dhunuar e shkulur barbarisht. Leximi i këngëve popullore nga fjala e gjallë e popullit, vazhdon nga mbledhësit e saj. Tronditëse janë këngët e të shpërngulurve, nga Krahina e Mollës së Kuqe ( Toplica ).

Përshkuljet dhe ndjekjet me zjarr e hekur nga Ushtria serbe, ende kullojnë gjak edhe tek të palindurit e ardhshëm. Nga dritarja e këngëve popullore në Kosovë luftat ishin të njëpasnjëshme. Në një këngë të shkruar nga Demir Krasniqi lexojmë; Shyt Mareci një trim si zana / djalë për pushkë e kish lind nana / me Ymerin e Azizit – krah ju banë Mulla Idrizit / Të gjitha fshatrat në Gollak / veten e tyre e mbajnë me gjak !..

Këto dhe mija vargje të tjera tregojnë për përkushtimin e shkrimtarit, këngëtarit dhe muziktarit, Demir Krasniqit. Janë 32 vepra të botuara të Demirit, dhe 4 mijë këngë të mbledhura e të krijuara prej tij, që më frymëzuan të shkruaj për këtë autor të dashuruar në këngë. Demir Krasniqi u lind më 10 Shkurt të vitit 1950, në fshatin Tugjec të Malësisë së Dardanës, komuna Dardanë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme të Muzikës në Prishtinë. Demiri rrjedh nga një familje skajshmërish të varfër , por bujare, dhe kombëtarisht të fortë. Talenti i tij i rrallë muzikor, dhe dashuria e tij e madhe për këngën, u shfaq qysh në fëmijëri. Në programet e shkollës fillore, Demir Krasniqi, interpretonte shumë këngë, dhe bukur.

Mësuesit e tij Demirin ndryshe e quanin “Gjeniu i vogël”. Në një Manifestimin ndërkomunal të Dardanës, në vitin 1964, i quajtur, “Mikrofoni është i juaji”, Demir Krasniqi i shoqëruar nën përcjelljen e violinës nga arsimtari i tij, Rexhep Bunjaku, Demiri, rrëmben çmimin e parë, në vlerë 5000 dinar, me këngën, „Hajredin pasha po na vjen Radikës“. Në krijimtarinë e tij 40 vjeçare, Demiri Krasniqi, ndjek këngën si asnjë i dashuruar tjetër pas saj.

Pedagogu i kulturës muzikore, Demir Krasniqi, mblodhi dhe përpunoi rreth 4 mijë këngë. Në të gjitha shkollat ku punoi, formoi grupet muzikore, dhe Shoqëritë Kulturo Artistike. Në fshatin Tugjec në vitin 1970 të Malësisë së Dardanës, formon SHKA „Shpresa e Malësisë“, në vitin 1974, në Prishtinë formon Shoqërinë Kulturo Artistike, „Kosova“, më pastaj, në Gjilan, Llabjan, Slivovë, Artanë, dhe Viti të Marecit.

Aktivitetet e Demirit ishin të pareshtura. Në vitin 1980 Demir Krasniqi anëtarsohet në Ansamblin Vokalo Instrumental „Çiftelia“ të Radio Prishtinës, nën drejtimin e kompozitorit dhe etnologut, Lorenc Antoni. Ndërsa, prej vitit 1968 deri më 1977. Anëtar dhe bashkëthemelues i Grupit folklorik “Vëllezërit Krasniqi” në Prishtinë. Në vitin 1990, Demir Krasniqi, në Gjilan, themelon SHKA “DITURIA”, për shkollat e mesme të qytetit të Gjilanit. Pastaj formon grupin muzikor “Xhevahirët”, grupin muzikor “Krasniqët” grupin folklorik “Sharkia”, „Marigona“, „Tefta Tashko“ etj. e tjerë. Demir Kraniqi ishte edhe kompozitor edhe këngëtar.

Në krijimtarinë e tij muzikore, Demiri ka shumë regjistrime këngësh në Radio dhe Televizion, duke botuar me qindra këngë dhe albume të ndryshme muzikore; disqe gramafoni, audio kaseta, video kaseta, kompakt disqe, DVD-i CV- i etj.

Demiri ishte edhe këngëtar i dasmave, gazmendeve familjare, pjesëmarrës i koncerteve dhe festivaleve. Demir Krasniqi katër herë ishte përfaqësues i këngës kosovare në festivalet ndërkombëtare si: Rivista e Folklorit Ballkanik në Zagreb, Rivista e Folklorit Ballkanik në Ohër, Tubimet e Folklorit Ballkanik në Beograd, dhe në Festivalin e Folklorit të popujve evropian “Danubi i kaltërt” në Novi Sad, ku ai këndoi në duet me këngëtaren, Nexhmije Pagarushën, me këngën, “Ku po shkon moj Rrushja e lalës”, festival u transmetua direkt përmes rrjetit televiziv evropian “Eurovizionit”.

Demir Krasniqi deri më tash ka botuar këto vepra :

“Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993,
“Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”(monografi)-Prishtinë,1995,
“Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
“Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
“Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
“Këngë krismash lirie I” – Gjilan, 2003,
“Këngë krismash lirie II” – Prishtinë, 2003,
“Familja Kurti nga Tugjeci “ (monografi) – Prishtinë, 2004,
“Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë , 2005,
“Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
“Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë ,2005,
“Kroi i këngës “- Gjilan, 2006,
“Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
“Valle popullore” – Gjilan, 2007 ,
“Këngë dhe ilahi fetare” – Gjilan, 2007,
“Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 ,
“Diell lirie” – Gjilan, 2008 ,
“Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, 2008,
Gëzim Marku :”Intervistë me Demir Krasniqin”, botoi “Zemra Shqiptare” – Londër , më 2009 ,
“I pa epur” – Gjilan, 2010,
“Malli për Gollakun” – Gjilan, 2010,
“Djepi i këngës” – Gjilan, 2011,
“Therje me vegsh “ – Gjilan , 2011.
“Amaneti” – Gjilan, 2011.
“Tinguj dhe ofshama” – Gjilan, 2012.
“Komentime dhe përkushtime” – Gjilan, 2012.
“ Kënga ime” – Gjilan, 2012.
“ Sofra e këngës ” – Gjilan, 2012.
“Shpirt i trazuar” – Gjilan, 2013.
“Bardh e zi” – Gjilan, 2013.
“Mot e lot” – Gjilan, 2013.
“Klithje kohe” – Gjilan , 2013 .

Mobi Casa

Demir Krasniqi është prodhimtar i madh i teksteve, kompozimeve, dhe punëtor i palodhshëm në mbledhjen e këngëve popullore. Demir Krasniqi, është rapsod i shkëlqyeshëm.

Në përvjetorin e përkujtimit të Jubileun të 500 vjetorit, të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut , në vitin 1968, Demiri Krasniqi botoi këngën “Kushtrimi i Skënderbeut”. Mëpastaj, Në Jubileun e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkroi tekstin, dhe kompozoi, këngën: “Lidhja e Prizrenit”.

Me rastin e Jubileut të 100 vjetorit të Kongresit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, më 15 Nëntor 2008, Demir Krasniqi ishte përfaqësues – kantautor nga Kosova. Ndërsa me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, kantautor i këngës: ”Kosova – nuse me kurorë”.

Angazhimet e Demirit në aktivitet muzikore mahnisin. Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në Gjilan në atë kremte, Demiri ishte kantautor i këngës :”100 vjet të Pavarësisë”. Krijimtaria e Demir Krasniqit nuk mbaron këtu.

Demiri ishte 7 herë pjesëmarrës i festivalit, „Akordet e Kosovës“. Në festivalin „Kosovarja Këndon“ në vitin 1976, Demir Krasniqi me këngën, „ Zenel Hajdini“, rrëmbeu çmimin e parë, edhe të jurisë edhe të publikut. Krijimtaria e Demirit është e gjerë dhe e thellë. Ai është kompozitor i shumë këngëve dhe valleve në frymën e melosit popullor.

Demir Krasniqit, për mbledhjen dhe botimin e dy veprave muzikore të këngëtarit Qamili i Vogël – Muhaxhiri ( pas vdekjes së tij) , Familja e Qmilit të Vogël, Demirit ia dhuroi dy kompletet të veshjeve kombëtare të Qamilit të Vogël, dhurata këto që Demir Krasniqi i mbanë, i veshë dhe i ruan me krenarinë dhe respektin për këngëtarin e madh. Këngët shpesh kapërcejnë edhe kontinentet.

Në Qershor të vitit 2010, Shoqata “Miqtë e Amerikës”, ia dhuron dy këngë autoriale të Demir Krasniqit: ”Faleminderit Amerikë”dhe “Këngë për Presidentin Bill Klinton”, ia dorëzohen në duar Presidentit historik të SHBA-së , z. Bill Klinton, i cili e falënderon publikisht autorin, dhe këto dy këngë, që janë të parat në historinë e folklorit muzikor shqiptarë, të cilat hynë në Muzeun e burrështetasve amerikanë , në Shtëpinë e Bardhë në Vashington .

Në Festivalin tradicional“Zëri i Alfabetit” 2011 në Manastir, Demir Krasniqi nderohet me një mirënjohje dhe me “Plaketën e Kongresit të Manastirit”. Në Dhjetor të vitit 2011, nën moton: ”Me më të mirët”, organizuar nga Kuvendi Komunal i Gjilanit, Demir Krasniqi nderohet me mirënjohje “Për kontributin shumëvjeçarë në sferën e artit dhe të kulturës”.

Ndërsa Drejtoria e Festivalit të Këngëve dhe Valleve :”Gurra popullore” 2012, nderohet me Mirënjohje për kontributin e dhënë në lëmin e këngës ndër vite “. Në kuadër të manifestimeve kulturore kushtuar Ditës së Çlirimit të Gjilanit, më datën 15 Qershor 2013, nën patronatin e Kryetarit të Komunës , z. Qemajl Mustafa, DKRS të Gjilanit, Drejtori i Festivalit të Këngëve dhe Valleve : “Gurra popullore “ 2013, z. Nazim Gagica, i ndanë : Çmimin për karrierë “Xhevat Ismajli”.

Demir Krasniqi, është autor i këngës së parë kushtuar UÇK-së, me titull:”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, e botuar me tekst poetik dhe notal në të përditshmen “GAZETË E RE SHQIPTARE” në Prishtinë, më datën 17 Nëntor 1998, faqe 16. Është kantautor i himnit të Televizionit të pavarur “Festa” të Kumanovës, autor i himnit të “Liberalëve”, autor i “Himnit për Kosovën”, autor i“Marshit të UÇK-së” dhe autor i himnit “Flaka e Janarit”.

Demir Krasniqi, është autor i shumë poezive poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore. Demiri është mbledhës i pasionuar i folklorit burimor muzikor shqiptar, i cili deri më tash ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 4000 këngë të llojeve të ndryshme, gjithandej trojeve etnike shqiptare.

Pos kësaj, Demiri ka botuar me qindra këngë burimore të “Folklorit muzikor shqiptar”, Bleni 4,5,6 dhe 7 të Lorenc Antonit.

Demir Krasniqi është Publicist i shumë studimeve etnomuzikologjike nëpër shumë gazeta, revista bloqe dhe forume të ndryshme të internetit.

Demir Krasniqi, është radio-gazetar, dhe gazetar hulumtues i diplomuar. Këtë profesion Demiri e ka ushtruar në shumë mediume publike në Kosovë. Demiri dha kontribut të madh edhe në lëmin e gazetarisë dhe të moderimit.

Demiri vazhdon të jetë i angazhuar në Radio “Viktoria”, në Televizioni e pavarur “Vali” në gazetën “Bashkimi”, në gazetën javore “Fokus” që botohet në Prishtinë, në gazetën javore “Perspektiva” në Preshevë, në veb faqen elektronike “Zemra Shqiptare” në Londër. Pezazhi jetës së Demir Krasniqit nuk është aristokratik. Kënga popullore më thotë Demiri, është këngë e betejave, këngë e klithmave dhe kushtrimit, këngë e plumbit dhe plagës, dhe më e bukura e këngëve të dashurisë./Rrustem Geci – Dortmund/rajonipress/