Karaqeva të diskutohet si rast i veçantë në Parlament dhe Qeveri

Gjilan – Kryetari i Kamenicës Shaip Surdulli për rajonipress tha se edhe pse e ka sensibilizuar rastin e vijës kufitare në Karaqevë mes Kosovës e Serbisë, ka munguar vullneti që ky rast të diskutohet në Parlament e Qeveri si rast i veçantë.

Nuk është vetëm problemi i vijës kufitare, ende i pazgjidhur mes Kosovës e Serbisë në Karaqevë të Epërme ai që shqetëson krerët e institucioneve të Kamenicës. Në këtë pjesë kufitare tashmë ka edhe kontrabandim të mallrave andej e këndej kufirit që për mrekulli e shfrytëzojnë tregtarët e të dyja vendeve.

Kreu i Kamenicës Shaip Surdulli për rajonipress tha se edhe pse ka takuar shumë përfaqësues të Qeverisë, ministra, deputet, krerë të organeve të sigurisë, zyrtarë të lartë të Parlamentit, megjithatë rasti i Karaqevës ende nuk është diskutuar as në Qeverie as në Parlament.

“Unë mendoj se vija administrative në Karaqevë ku kemi protestuar e reaguar disa herë kërkon një angazhim dhe një ndërhyrje urgjente të vet krerëve institucional e shtetëror. Madje rasti i Karaqevës duhet të diskutohet si rast i veçantë edhe në Qeveri edhe në Parlament” tha Surdulli.

Surdulli tha se i ka njoftuar me kohë shumë herë institucionet qendrore, por me gjasë ka munguar ose po mungon vullneti që ky problem të shtrohet në tavolinën e bisedimeve. “Ne herdokur patjetër që duhet të merremi me këtë rast sepse në pyetje janë qindra hektarë tokë që i kanë takuar dhe i takojnë pjesës së Kosovës “ tha Surdulli.

Surdulli ua zënë për të madhe edhe deputetëve të rajonit të Anamoravës të cilët nuk kanë mundur të iniciojnë në Parlament rastin e Karaqevës. “Edhe pse kohëve të fundit nuk kemi ndonjë ndërhyrje të xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës, sepse KFOR-i dhe patrullat e policisë janë duke e vazhduar dhe mbajtur nën kontroll situatën , megjithatë mbetet pjesa dhe zona e pakontrolluar tek rruga e Breznicës , ku ekziston mundësia që aty të kontrabandohet nga të dyja palët” tha Surdulli.

Surdulli mendon se rasti i Karaqevës është problem politik i cili kërkon involvimin e faktorit ndërkombëtarë, pavarësisht se të gjitha të drejtat dhe argumentet janë në anën e palës kosovare, në veçanti të gjitha hartat kadastrale dhe dokumentet ekzistuese flasin se ajo pjesë kontestuese është e Kosovës tha Surdulli. /rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).