Karakteri atdhetar i protestave të vitit 1997 dhe ndikimi i tyre në politikën e Kosovës
Nga Sabile Keçmezi-Basha – Që në fillim duhet thënë se politika gjenocidale e Serbisë ndaj shqiptarëve ishte sistematike, e organizuar dhe e futur në sistem. Një politikë e tillë, kriminale, u dëshmua që nga përfundimi i LDB-së, e që vazhdoi më 1968, 1981, sidomos u përsërit pas vitit 1989, kur Serbia ndërmori një sërë veprimesh dhe aksionesh të planifikuara, me qëllim të rrënimit të autonomisë kushtetuese, e cila Kosovën e definonte njësi federale të ish Jugosllavisë.
Pas presionit të paparë mbi ish-udhëheqjen aktuale politike, më 17 nëntor 1989, shpërthyen demonstratat masive të popullit shqiptar, por kësaj here me kërkesën për ruajtjen e pozitës kushtetuese juridike të Kosovës sipas Kushtetutës së vitit 1974. Duhet theksuar se viti 1989 ishte edhe nisma e tatëpjetës më të rrezikshme për popullin shqiptar dhe për pozitën juridike kushtetuese të Kosovës.
Me Rezolutën nr. 44/147, të Mbledhjes së 82, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (1992) dhe, po ashtu, me Rezolutën nr. 48/93, të Mbledhjes së 83 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (1993) ku, mes të tjerash, shkruan: “Të gjithë popujt e kanë të drejtën që lirisht dhe pa ndërhyrje të jashtme, ta përcaktojnë statusin e tyre politik dhe të shkojnë përpara në zhvillimin e tyre ekonomik, social, kulturor”, por, organet e dhunshme serbe, veç, okupimit klasik, ata ndaluan gjithashtu edhe financimin e arsimit shqip, përkatësisht të shkollës shqipe. Nxënësit e studentët shqiptarë u dëbuan nga godinat shkollore sepse, ata dhe mësimdhënësit e tyre nuk pranuan planet dhe programet serbe, dhe nuk pranuan ligjet e Serbisë.
Kjo gjendje e vështire zgjati një dekadë të tërë, gjerë në vitin 1999, kur pushtuesit serb së bashku me policinë dhe ushtrinë e vet okupuese u detyruan ta lëshojnë Kosovën, fal punës dhe veprimtarisë shumëvjeçare të formave të ndryshme të rezistencës aktive, të popullit shqiptar, luftës heroike e titanike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998 /1999).
Duhet thënë hapur se, protesta e 1 tetorit, 1997, e të tjerat në vijim, nuk ishin rastësi në historikun tonë. Ato ishin një vazhdim i luftës së shqiptarëve që ishin nën okupimin jugosllav dhe që me vite e vite kishin luftua për liri dhe të drejta kombëtare e politike. Megjithatë, protestat e atij viti, duke i krahasuar me demonstratat e vitit 1968, e të vitit 1981, ishin një dëshmi e qartë edhe për rritjen e shkallës së pjekurisë e të vetëdijes politike të shqiptarëve.
Është një fakt i pamohueshëm se të gjitha protestat e demonstratat që u organizuan në Kosovë, në të cilat, bartës kryesor ishin studentët dhe rinia shqiptare: ishin kombëtare, demokratike dhe përparimtare. Se, në të gjitha ato u kërkua ndryshimi dhe përmirësimi i situatës ekonomike, si dhe zgjerimi i të drejtave dhe lirive politike. Lufta për ndryshimin e gjendjes ekonomike e politike të popullit shqiptar u sintetizua në kërkesën “Kosova-Republikë” që synonte të ndryshonte pozitën kushtetuese të Kosovës dhe të mbarë popullit shqiptarë në kuadër të Federatës Jugosllave.
Ndërkaq, ndjenja për të dalë nga situata në të cilën ishim, duke e kundërshtuar regjimin serb, por edhe politikën pasive kosovare, po përhapej gjithandej ndër studentë. Në këtë mënyrë po rritej edhe presioni publik që të fillohej të ndërmerrej diçka. Studentët gjithnjë e më shumë ishin duke besuar se disa politikan, e sidomos disa parti politike, të cilat ishin organizma që e komandonin jetën në atë kohë, s’do të mund t’i kthenin kurrë ata në objektet universitare.
Por, si gjithmonë, ishin ata-studentët e qytetarët të cilët nuk qëndruan duarkryq. Në mënyrë të masovizuar, u organizuan që mos të shuhej shkolla shqipe. Andaj, me shpejtësi u hapën shtëpitë-fakultete e shkolla dhe studentët e nxënësit shqiptarë vijuan mësimet. Ata, mbajtën për dhjetë vite të ndezur, flakën e lirisë. Ata, u vunë në ballë të rezistencës kundër regjimit pushtues, duke mbajtur sistemin paralel shkollor. Ata mbrojtën dhe lartësuan dinjitetin kombëtar dhe qëndrestar. Ata folën kur duhej folur. Ata punuan kur ishte më së vështiri për të punuar. Ata bënë atë që kërkonte sakrificë, guxim, trimëri, gatishmëri, dije e përkushtim. Dhe nuk ka, një shembull në Evropë, që një kategori e tillë e shoqërisë të jetë më e edukuar, më e formësuar e më me kulturë qytetare e kombëtare, siç u dëshmuan studentët shqiptarë anekënd në tokat shqiptare që ishin nën okupim.
Në këtë periudhë, edhe Lëvizja studentore kishte filluar të riorganizohej dhe të kundërshtojë politikën e pritjes e të mos bërjes asgjë kundër pushtuesit Serb. Ajo, e udhëhequr nga studentët: Bujar Dugolli, Muhamet Mavrajt, Albin Kurti, Driton Lajçi etj., po ashtu gjeti përkrahje edhe nga profesori dhe rektori i nderuar Ejup Statovci, i cili me përvojën e tij dhe me shpirtin e një atdhetari intelektual i udhëhiqte ata në rrugën e drejtë të rezistencës, e të lirisë.
Kulminacioni i pakënaqësisë dhe mllefi ndaj okupuesit arriti dhe u shpreh më 1 Tetor 1997, kur mbi 20 mijë studentë të Universitetit të Prishtinës, vërshuan rrugët e kryeqytetit, duke protestuar për dhunën e egër, që ushtronte pushteti serb, mbi popullin e Kosovës. Edhe pse ishte lajmëruar se protestat do të jenë paqësore, policia serbe ndërhyri dhe gjakosi mija student. Dhe duhet shtuar se, nga 1 tetori 1997, në Kosovë ndryshoi shumëçka dhe, historia u nda në dysh: Koha para protestave dhe ajo, koha pas tyre. Dhe, nën influencën e ngjarjeve të 1 Tetorit, në Kosovë ndryshuan kahet e historisë. Protestat më 1997, vazhduan sipas planit të Këshillit Organizativ edhe më 29 tetor, 1997 e më vonë.
Në këto protesta studentët dhe populli i Kosovës dolën në rrugë si një trup i vetëm dhe zbrazi tërë pezmin, tërë revoltën dhe tërë urrejtjen e vet kundër shtypjes, shfrytëzimit, padrejtësisë dhe represionit të përjetuar gjatë dekadave të robërisë në ish-Jugosllavi. Protesta e 1 tetorit, e vitit 1997 do të konsiderohet se ishte njëra ndër protestat më të mëdha në Gadishullin Ballkanik dhe në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore ku kishin marr pjesë studentët dhe qytetaret shqiptarë me të njëjtën kërkesë.
Është një fakt i pamohueshëm se, Protestat e vitit 1997, fillimisht kishin kërkua “lirimin pa kushte të objekteve studentore”, të okupuara nga Serbia. Kërkesë, që ishte një e drejtë morale, kombëtare, por edhe universale, e cila gjeti përkrahje dhe mbështetje nga të gjithë. Më 1 tetor, nëpër mes parullave u shpalos haptas programi i protestave, dhe të gjitha kërkesat, që u afishuan edhe në protestën e mëvonshme, do të ishin programi, boshti dhe themeli vertebror i protestave të vitit 1997.
Pas kësaj ngjarje, Universiteti i Prishtinës jo vetëm që nuk i ndali protestat dhe demonstratat, por gjeneratat e ndryshme të studentëve u mobilizuan dhe ishin bartësit kryesorë të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës. Vetëm nga viti 1998/99 nga forcat serbe ranë dëshmor 323 student dhe 8 mësimdhënës të universitetit, shumica prej tyre ishin pjesëtarë të UÇK-së.
Edhe pse opinioni ndërkombëtar, këto demonstrata, i kishte cilësua paqësore; Edhe pse këto demonstrata, kishin karakter demokratik e kombëtar, në Kosovë, nga e tërë Jugosllavia e mbetur, kishin vërshuar njësi të shumta policësh dhe ushtarakësh. Kundër studentëve e qytetarëve duarthatë u përdorën: bomba me gaz lotsjellës, shkopinjtë gome e kërbaçë, gazra helmuese kimike, armë zjarri, tanke, helikopter, autoblinda, e çka jo tjetër. Në protestë, pati shumë të helmuar, të plagosur, të arrestuar. Gati një brez i tërë në forma të ndryshme gjenocidi u flijua në altarin e shenjët të atdheut.
Duhet thënë edhe këtë se, protesta e 1 tetorit 1997, aty për aty nuk e avancoi statusin politikë të Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë së mbetur, por ajo pati jehonë në gjithë botën demokratike, por me këto protesta, nisi edhe zbërthimi i fatit të Kosovës së pushtuar, ngase, nga ai vend dhe nga ajo datë historike, filloi edhe zgjidhja e ardhmërisë së vendit tonë, për tu përmbyllur me fitoren e lavdishme të luftës së UÇK-së.
Këto ngjarje, bënë një rrotullim kopernikan në vetëdijen e popullit shqiptarë të Kosovës dhe të botës demokratike. Me këto ngjarje u bë një revolucion në kokat e shqiptarëve. Ata, njëherë e përgjithmonë u shkëputen nga ndikimet se në mënyrë paqësore do të fitonim të drejtat dhe do të shpalleshim republikë.
Protesta e 1 tetorit, 1997 nga shumë studiues, u quajt edhe Revolucion kombëtarë, sepse objektivi kryesor ishte liria kombëtare nga zgjedha skllavëruese e Serbisë.
Duhet shtuar se, 1 tetori i vitit 1997, ishte një ngjarje kulmore në historinë e Kosovës, ngase pati ndikim të pamohueshëm në ndërgjegjësimin e popullit të pushtuar; pati ndikim në zgjimin e ndërgjegjes; pati ndikim, në heqjen e frikës dhe ndikoi dukshëm në organizimin dhe angazhimin e popullit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Kështu, kur udhëton nëpër damarët e historinë shqiptare dhe analizon të gjitha përpjekjet dhe ngjarjet e saj, del në pah, pa diskutim, se roli i madh që kanë luajtur studentët, Universiteti i Prishtinës dhe personeli i saj administrativ e arsimor, të cilët, në kushte e rrethana të ndryshme dhe të vështira, kanë dhënë maksimumin për lirinë e Kosovës, duke dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme në shtet formimin e saj.
(Kumtesë e lexuar në Konferencën Shkencore “Lëvizja Studentore në Kosovë dhe protesta e 1 tetorit 1997”, Prishtinë, 2 tetor 2017)


