Kaq nga afera “Grandi”

/ 5 minuta lexim

Një prej skandaleve më të mëdha të vitit të kaluar, që supozohet se e shtyri drejt vetëvrasjes Dino Asanajn, është mbyllur të enjten. EULEX nuk ka gjetur prova se Astrit Haraqija, Ukë Rugova dhe të tjerët kanë kërkuar miliona euro haraç në emër të Asanajt që AKP t’ua kthejë hotel “Grandin” Behgjet Pacollit dhe Remzi Ejupit. Vendimi i europianëve, sipas biznesmenit Ejupi, është i ndikuar politikisht.

Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli dhe biznesmenit Remzi Ejupi u ka shkuar huq denoncimi që kanë bërë në polici për disa persona, të cilët, sipas deklaratave të tyre, u kanë kërkuar para.

Pacolli dhe Ejupi në shtator të vitit që shkoi kanë denoncuar Astrit Haraqinë, deputetët Naser Osmani dhe Ukë Rugova si dhe biznesmenin Gazmend Abrashi si njerëz që u kanë kërkuar miliona euro në mënyrë që AKP të mos ua merrte hotelin Grand.

Por, hetuesit e EULEX’it nuk u kanë mjaftuar deponimet dhe dëshmitë e Pacollit dhe Ejupit dhe kanë vendosur që ndaj këtyre të pushojnë hetimet.

EULEX nuk do të hetojë as të venë e Dino Asanajt, Adelina Reçica, e cila ndonëse nuk u denoncua nga Pacolli dhe Ejupi, më vonë u bë pjesë e hetimeve. Hetimet kanë pushuar edhe ndaj Burim Gashit, pronar i kompanisë “Agro Llapi”. Pushimin për hetime e konfirmon edhe Misioni Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

Zëdhënësja e këtij misioni, Bardha Azari konfirmoi të enjten se EULEX’i ka pushuar hetimet ndaj personave që kanë qenë të dyshuar për rastin e hotelit Grand. “Për të gjithë personat që kanë qenë si të dyshuar në këtë rast kanë pushuar hetimet”, tha Azari për Express pa dashur të japë sqarime tjera në lidhje me arsyet e pushimit të hetimeve.

Fundamenti

Personat e apostrofuar dyshoheshin se ishin sekserë të ish- shefit të AKP-së për të zhvatur para nga Pacolli dhe Ejupi.

Ky i fundit fare nuk është i befasuar nga vendimi i prokurorisë së EULEX-it për pushim të hetimeve. Ejupi tha për Express se nuk është çuditur me këtë vendim, pasi që, sipas tij, do të ishte befasuar nëse do të ndodhte e kundërta. Ai madje mendon se në këtë rast ka gisht politika. “Kjo është marrëveshje politike, ata janë marrë vesh që mos të vazhdohet me këtë rast pasi që edhe personat e hetuar janë pjesë e politikës. E në këto pazare politike është involvuar edhe EULEX-i”, tha Ejupi për Express. Ai nuk sqaron arsyen pse mendon se është marrëveshje politike, por vazhdon të qëndrojë prapa asaj se personat që kishte denoncuar në polici bashkë me Pacollin u kanë kërkuar miliona për ta mbajtur hotelin Grand. Me vendimin për pushim të hetimeve nuk janë befasuar as personat e dyshuar. Avokati i Gazmend Abrashit, Tomë Gashi tha se për të si avokat më shumë ka qenë befasuese hapja apo inicimi i këtyre hetimeve sesa vendimi që ka marrë të enjten.

“Hetimet as që është dashur të fillojnë sepse kanë filluar me incizime jo ligjore”, tha Gashi. Në vendimin e prokurorisë për pushim të hetimeve shkruan se nuk janë gjetur prova pas fillimit të hetimeve dhe se prokuroria nuk ka siguruar bazë të mjaftueshme për vazhdimin e hetimeve. Avokati Gashi tha se gjithnjë ka qenë i bindur se klienti i tij është i pafajshëm sepse ai nuk ka pas asnjë lidhje me rastin “Grand”.

Edhe avokati i Adelina Reçicës, Ramë Gashi thotë se hetimet ndaj klientes së tij kanë pushuar pasi që është vërtetuar se ajo nuk ka kryer asgjë të kundërligjshme. Ndryshe, Pacolli dhe Ejupi, të cilëve para pak kohësh iu mor hoteli me vendim të bordit të AKP-së kanë denoncuar në polici këta zyrtarë për kërkim ryshfeti në emër të të ndjerit Dino Asanajt, i cili bëri vetëvrasje në qershor të vitit që shkoi në zyrën e tij në Prishtinë. Sipas denoncimit, Ejupi ka arritur që ta incizojë me telefonin e tij “Bleckberry” pronarin e rrjetit të supermarketeve “Maxi”, Gazmed Abrashin, i cili i kërkonte katër milion euro Behgjet Pacollit për ta rregulluar punën e hotelit.

Pacollit fillimisht i ishte ofruar deputeti i LDK-së, Naser Osmani, i cili në atë kohë ishte anëtar i bordit të AKP-së dhe kryetar i Komisionit për çështjen e “Grandit”. Pak kohë më vonë në shtëpi i kishin shkuar Astrit Haraqija dhe kryetari i Listës “Ibrahim Rugova”, Ukë Rugova, të cilët janë në një koalicion qeverisës me Pacollin. Në këtë takim “urgjent”, sipas Pacollit, i kishin kërkuar tre milionë e 600 mijë euro “për të kryer punë” për “Grandin”. Denoncimet në polici, Pacolli dhe Ejupi i kanë bërë pas vdekjes së Dino Asanajt më 15 qershor 2012.

Autopsia mjekoligjore dhe hetimet e deritashme të kryera nga një prokuror dhe shumë hetues, përfshirë edhe të FBI-së, kanë treguar se Dino Asanaj ka bërë vetëvrasje. Në zyrën e tij private në Fshatin Ndërkombëtar në Prishtinë është gjetur një letër në dorëshkrim, e cila, sipas ekspertizës grafologjike dhe shenjave të duarve, ka dalë se është shkruar nga i ndjeri Asanaj. Letra e gjetur në tavolinë që flet për një akt vetëvrasjeje përmend akuzat e biznesmenit Remzi Ejupi të bëra në gazetën “Zëri” si dhe akuzat e shpezëtarit nga Lipjani, Abdurrahman Konjufca. “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”, shkruan në këtë letër. I fundit që kishte pirë kafe me të ishte deputeti i LDK-së dhe Naser Osmani, të cilin Remzi Ejupi e ka implikuar në kërkim ryshfeti.(express)