Kanabisi në laboratorin politik të injorancës
Nga Emin Azemi – Nëse RENEA shqiptare arriti të shkatërrojë fushat e kanabisit në një fshat jugor të Shqipërisë, si mund të bëhet kjo në një fushë tjetër, ku politikanët kontrabandojnë (pa)diturinë e tyre me diploma e mastera të fituar në një tavolinë restoranti, diku afër fakultetit ku këmba e tyre asnjëherë s’ka shkelur. Ka të ngjarë që kanabisi atje të zëvendësohet me ndonjë rrënjë shafrani, por ç’t’i bësh politikës sonë injorante e cila në vend të kungullit shorton pacërkën për të prodhuar boshësi
Janë tri ngjarje të mëdha në hapësirën shqiptare që me dinamikën e ndikimit publik, secila e pavarur nga tjetra, diku në ‘thellësi’ sikur kanë një emërues të përbashkët. Aksioni i qeverisë shqiptare për të shkatërruar një nga bazat e ‘industrisë së turpit’ ku gjenerohej me dekada jo vetëm kriminaliteti, por edhe imazhi negativ për një popull të tërë që po toleronte pisllëkun në shtëpinë e vet, riktheu, megjithatë, moralin dhe shpresat e gjithë atyre që i torturonte një kohë të gjatë dilema hamletiane se ç’është ky lëmsh kriminal që po mblidhej në ‘barkun’ e një shoqërie e cila po paguante shtrenjtë tagrin e krimit të pandëshkuar nga shteti.
Lazarati si fenomen do të analizohet e studiohet nga të gjithë ata vëzhgues të cilët do të duan të dinë në detaje shkaqet dhe pasojat e mosfunksionimit të shtetit, por edhe ndikimin që ka ky mosfunksionim në shëndetin publik të një shoqërie.
Në Maqedoni posa u formua qeveria e re, kurse në Kosovë ende nuk po dinë se kujt i takon të bëjë qeverinë e dalë pas zgjedhjeve të 8 qershorit.
Lazarati i jugut të Shqipërisë, lëmshi mediatiko-politik i periudhës postzgjedhore në Kosovë si dhe ekipi i ri drejtues qeveritar në Shkup, janë tri pika në vende të ndryshme që ofrojnë një vështrim të përbashkët mbi atë se çfarë shteti po ndërtojmë dhe sa shoqëritë shqiptare në këto shtete kanë arritur të krijojnë strategjinë e refuzimit ndaj të keqes që rrotullohet pranë tyre.
Nëse Lazarati sot është një rrëfim i suksesshëm në planin operativ, sa mund të prodhojë efekte pozitive ky aksion në një plan më të gjerë shoqëror, kur dihet se krimi dhe abuzimi me ligjin janë dy nyje që vazhdojnë të mbajnë të mbërthyer zhvillimin normal të përditshmërisë sonë.
Ajo çka Lazarati është lajm i keq për tregtarët dhe përdoruesit e drogës në rajon, do të duhej të jetë ogur i mirë për ato shtresa të shoqërive tona, të cilat ende besojnë se politika e drejtë dhe e moralshme mund të krijojë ambient të favorshëm për zhvillimin e potencialeve tona kreative. Guximi për t’u përballur me të keqen, madje edhe me çmimin e humbjes së ‘bonuseve’ elektoral, politikën e bën më të besueshme në sytë e publikut, sidomos te ata që duan të pinë kafen e mëngjesit të lirë dhe të shpenguar pa e qarë mendjen shumë se cila parti është në pushtet.
Meqë ra fjala, këto partitë tona që janë në pushtet, sa i kanë të sofistikuar ‘laboratorët’ e antikrimit dhe antikorrupsionit, sidomos në kushtet kur konkurrenca e askushëve për t’u bërë politikanë është goxha e madhe. Kjo pyetje bëhet me peshë, posaçërisht tani kur publiku fillon të llogarisë dhe krahasojë sasinë e karameleve që politikanët i premtonin para zgjedhjeve me kakërdhitë që na ngelin nëpër duar pas zgjedhjeve, si relikte të një amoraliteti që ngrihet në normë dhe sjellje komode pa rrezik konkurrence. Lazaratasit e lagjeve e mëhallëve tona si ushunjëza kanë depërtuar nëpër poret e politikës së ditës dhe po funksionon perfekt aleanca në mes të lojalitetit social të turbo-votuesve dhe paditurisë lapadiare të aktivistëve partiakë, të cilët brenda natës bëhen faktorë të rëndësishëm, që vendosin se cili injorant t’ia zë vendin ndonjë të shkolluari dhe cila bandë mafioze lokale të kontrollojë dhe ‘pushtojë’ bizneset e fituara me mund e djersë.
A ka të ngjarë që fenomeni ‘Lazarat’ të jetë edhe një kohë ‘virus’ i paekzaminuar në shoqërinë tonë, përderisa kemi politikanë që drejtojnë poste falë diplomave të blera në pazarin e lirë të paditurisë. Nëse RENEA shqiptare arriti të shkatërrojë fushat e kanabisit në një fshat jugor të Shqipërisë, si mund të bëhet kjo në një fushë tjetër, ku politikanët kontrabandojnë (pa)diturinë e tyre me diploma e mastera të fituar në një tavolinë restoranti, diku afër fakultetit ku këmba e tyre asnjëherë s’ka shkelur. Çfarë performance qeverisëse e menaxheriale mund të presim nga të tillët, që në vend se të mbajnë ndonjë punë që iu shkon kaçikut të tyre (psh. ndonjë magazinier, ndonjë lulevaditës në varrezat e qytetit, apo ndonjë tagrambledhës), ata paturpësisht zaptojnë poste, duke ua pamundësuar shanset e avancimit të gjithë atyre që në afate rekorde diplomuan dhe në mënyrë të rregullt zhvilluan ngritjen arsimore e profesionale.
Lufta për të diferencuar vlerat, nuk është hiç më e lehtë se aksioni i policisë shqiptare për të çrrënjosur kanabisin nga arat e Lazaratit, sepse ka të ngjarë që kanabisi atje të zëvendësohet me ndonjë rrënjë shafrani, por ç’t’i bësh politikës sonë injorante e cila në vend të kungullit shorton pacërkën për të prodhuar boshësi.
(Autori është publicist nga Shkupi. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


